Nga Lekë Pepkolaj
Si fillim po shkruaj dy fjalë që ne ta njohim më mirë Albanologun më të madh të shekullit XVIII, një nga albanologët më të mëdhenj edhe të kohës së sotme.
Dhimitër Kamarda ka lindur, me 23.10.1821 në Piana Degli Albanesi, në provincën e Palermos, Itali. Studimet e para i kreu në vendin e tij të lindjes ku një ndihmë të madhe i dhanë babai dhe vëllai i madh Nikolla, i cili ishte dhe babai i dytë për të. Ata duke parë talentin e tij në vitin 1833 e dërguan për të studiuar në Romë në kolegjin De Propaganda Fide ku mbaroi shkëlqyeshëm studimet për teologji. Gjatë kësaj kohe Kamarda pati kontakte me shumë arbëreshë të Italisë, shqiptarë dhe në veçanti me abatin e Mirditës, Preng Doçin. Gjithashtu ai lidhi miqësi me studiuesin arbëresh të Kalabrisë, Vincenzo Dorsen, me të cilin mbajti lidhje gjatë gjithë jetës së tij. Në vitin 1844 u bë diakon dhe më pas u emërua prift në kolegjin Ponteficio di S. Atanasio në Romë. Pas kësaj kohe u kthye në vendlindje dhe u prit me gëzim dhe ceremoni festive nga kleri dhe populli, të cilët shihnin në të një shembull të një përsoni me shumë kulturë dhe ndershmëri të madhe. Në vitin 1845 Ipeshkvi Mons. Giuseppe Crispi, profesor i greqishtes e emëroi famullitar në kishën greke të Napolit. Në Napoli punoi tre vite dhe më pas për arsye politike u detyrua ta lërë Sicilinë. Gjatë kësaj kohe Kamardën e ftuan në Romë e disa vende të tjera, por ai zgjodhi Cesenen tek Padri Benedettini, ku atje ishte abat një tjetër sicilian . Në gjysmën e vitit 1851 Camarda u shpërngul në Livorno ku dhe atje në vitet e para vuajti duke mos pasur një punë fikse. Gjashtë vite më pas Kamarda u sistemua dhe u bë mësues i greqishtes në lice. Kjo është periudha kyçe e tij ku ai iu kushtohet studimeve mbi gjuhën shqipe. Po në këtë kohë vërehen raportet e tij me kulturën evropiane. Veprat kryesore të tij janë publikuar në Livorno. Raportet e tij me familjen e mbi të gjitha me vëllain Nikolla janë vërtet burim kulturor. Nga vëllai ai merr materiale gjuhësore të kolonive arbëreshe të Sicilisë. Kamarda mban kontakte me Giorgio e Vincenzo Schiro, Vincenzo Dorsa dhe mbi të gjitha Dora d’Istria domethënë me princeshën Elena Gjika. Kamarda e vlerësonte shumë Elenën me të cilën pati shumë miqësi. Ata mbajtën shumë kontakte ku numerohen rreth 60 letra të dërguara mes tyre. Elena bëri që Kamarda të kishte lidhje me përsona të rëndësishëm politik dhe ekonomik si: Luigi Napoleone - filolog e kimist, Max Ducker - historian prusian, Rudolf Krehl - president i shoqërisë lindore të Lipsia etj. Një tjetër figurë e rëndësishme që mbante lidhje ishte Girolamo De Rada. Kamarda vazhdoi të punonte në Livorno dhe në vitin 1864, me shpenzimet e veta botoi kryeveprën e tij Saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese. Kamarda shfaqi interes për kulturen jo zyrtare, por vepra e tij vlerësohet jashtëzakonisht shumë edhe në rangun zyrtar. Vepra vlerësohet nga Domenico Comparetti, filolog i famshëm italian. Veprës i bëhet vlerësim edhe nga Angelo De Gubernatis, përson me kulturë e famë evropiane. Kamarda vdiq papritmas 13.03.1879 në momentin kur ishte duke skicuar një gramatikë të gjuhës shqipe të punuar pas vitit 1879.
Dy fjalë për kryeveprën e tij.
Duke e parë në historinë e disiplinës është përpjekja e parë organike për të përshkruar origjinën e historinë e gjuhës shqipe, krahasuar me gjuhët e tjera indo-evropiane. Me gjuhën shqipe deri në atë kohë ishin marrë shumë studiues të huaj, por para tij nuk ishte hulumtuar një cope i gjithë organizmi i gjuhës shqipe.
Cili ishte mendimi i Kamardës për gjuhën shqipe në kryeveprën e tij?
Për t’iu shmangur edhe unë patriotizmit, zgjedha glotologun e njohur italian G. I. Ascoli, të flasë çka mendonte Kamarda për gjuhen shqipe në veprën e tij:
“Gjuha shqipe është e lidhur shumë ngusht me gjuhën greke. Të dyja gjuhët qëndrojnë përballë njëra-tjetrës si binjake, por shqipja mbi të gjitha në leksik merr pjesë më shumë se greqishtja në elementin e ashtuquajtur pellazgjik-italik. Nga ana tjetër arsyet e gjuhës, sikur ato të historisë, doket dhe traditat provojnë se shqiptarët vijnë drejtpërdrejt prej Iliro-Maqedonasve dhe nga Epiriotet e lashtë duke dhënë mendimin mjaft të mundshëm ku del që shqiptarët janë pasardhësit e Pellazgëve, pra Pellazgët e rinj, ashtu sikur janë Helenet e rinj grekët e sotëm”.
Kamarda u vlerësua shumë nga Miklosich, Gustav Meyer, Norbert Jokl e shumë, e shumë të tjerë. Vepra e tij u bë studim i hollësishëm edhe për glotologun më të madh italian të kohës së tij ndoshta edhe deri në kohën e sotme G.I. Ascoli, ku edhe pse nxjerr disa ‘bishta’ ku do ti trajtoj pas pak, e vlerëson jashtë mase veprën. Ja çfarë shkruan: “Në një fushë të ngushtë historike lëviz një gjuhëtar, që është italian e epiriot së bashku: Demetrio Camarda, shqiptar i Sicilisë, të cilit i kushtohet puna më e madhe e gramatikës krahasuese, ardhur në këtë gadishull deri në ditët e sotme. Volumi i parë i tij Saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese, përshkruan e shqyrton imtësisht gjithë organizmin e gjuhës së shqiptarëve, e ndërton një paralelizëm të vazhdueshëm mes shqipes e greqishtes, por drejtuar mjeshtërisht edhe gjuhëve të tjera të familjes ariane, të Azisë dhe Evropës. Volumi i dytë Appendice al saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese, është një antologji shqiptare, e pasur me ilustrime filologjike, paraprirë nga arsytimi i gjatë dhe i çmuar, letrar e historik dhe ndjekur nga tregues të bollshëm që i gjejmë në gjithë veprën. Kamarda ka vendosur së bashku, material të bollshëm, duke e dhënë siç i vinte përshtat, veçanërisht ai tregon kujdes rreth arbëreshëve që janë në Itali dhe që ka punuar përreth me shumë dëshirë, me shumë mprehtësi dhe ndihmuar nga kultura e gjerë dhe e kulluar. Libri i tij siguron pergjithmonë një vend të zgjedhur mes albanologëve, dhe një stoli të vertetë të letërsisë së sotme të Italisë ”.
Më poshtë po jap kritikat rreth veprës. Në disa pika do lë vetë Kamardën të përgjigjet dhe në disa të tjera do të jap mendimin tim.
- 1. Aspektet politike të veprës. Është e vërtetë që Kamarda është marrë me politikë, me shpirtin e tij prej demokrati. Gjuha shqipe peshon shumë rëndë, po të shihet vetëm në aspektin gjuhësor. Ajo është një gjuhë e lidhur shumë ngushtë me historinë, e cila na ndihmon shumë në origjinën e saj dhe nuk vesh ngjyra patriotike sikur ju duket disave. Me sa duket Kamarda duke qenë njohës i shkëlqyer i studiuesve gjerman kishte hetuar me kohë frymën nacionaliste gjermane në lidhje me teorinë ‘indo-gjermane’ të gjuhëve. Gjetja e origjinës së gjuhës shqipe vërteton në mënyrë të drejtpërdrejt autoktonine tonë, pra kuptohet fare mirë sa ndikim ka dhe ka pasë aspekti politik.
- Shkrimi i shqipes me alfabetin grek. Ja dhe shkaqet që i shpiegon qartë vetë Kamarda:
- afërsia e madhe mes shqipes e greqishtes.
- janë përdorur në atë kohë nga studiues të njohur evropian (Bopp, Hahn etj) dhe në shumë vende te Evropës si: Gjermani, Greqi etj.
- nuk mendoj se asnjë studiues italian apo jashtë Italisë do ta ketë problem për të kuptuar alfabetin grek.
- këto germa janë përdorur edhe në shqipëri përvec zones së Shkodrës.
- Aspektet fetare duke qenë prift i ritit bizantin. Kamarda thotë që në fillimet e hershme të studimeve të mia kam hetuar një afërsi të madhe mes gjuhës shqipe e asaj greke (ndoshta ndikimi i aspektit fetar), por duke përdorur metoda shkencore, ajo që kisha menduar nuk ndryshoi.
- Mungesa e elementit anas që vjen nga mos krahasimi me gjuhët rumene, sllave, turke etj. Sot kemi shumë punime mbi gjuhen tonë dhe rolin e saj në gjuhët e ballkanit. Por të sjellim sot shembujt e Ascolit (p.sh: numri ‘gjashte’ është i huazuar nga rumanishtja) sikur nuk shkon. Në këtë pikë vërtet ka nevojë për kërkime shkencore të metejshme ku e thekson disa herë edhe vetë Kamarda.
- 5. Ngarkesë e tepërt për të afruar shqipen me greqishten. Çdo vepër ka qëllimin e saj ku për vetë autorin ishte shumë i kahershëm. Kamarda e ndien shumë të nevojshëm këtë krahasim sepse sheh që gjuhësia evropiane i ikën këtij krahasimi, madje edhe vetë F. Bopp.
- Mungesa e leksikut të Mesharit. Për mendimin tim kjo nuk është mungesë e veprës, por ogurzezë për gjuhën shqipe. Tjetra, mendoni pak sikur Kamarda të kishte në dorë leksikun e mbledhur nga Gazulli. Kamarda e njihte shumë mirë gjuhën e Budit, Bardhit dhe Bogdanit.
Siç po shihet qartë nuk janë ‘bishtat’ e kryeveprës që pengojnë në mos botimin e saj në gjuhën shqipe.
Në një artikull kaq të shkurtër nuk arrin të nxjerrësh në pah vlerat e të madhit Kamarda, por qëllimi është të dihet se, pse kryevepra e tij nuk botohet në gjuhën shqipe. Kjo nuk më takon mua të arsyetoj apo të tregoj psenë, por do theksoj disa gjëra që i shoh të arsyeshme:
- Kjo kryevepër duke qenë stoli në letersinë italiane, duhet të jetë patjetër edhe në gjuhën shqipe sepse është gur themeli i Albanologjisë.
- Botimi i veprës është shumë i rëndësishëm sepse të kuptosh Kamardën duhet të njohesh gjuhët e vjetra greke, latine, sanskritishte etj, ku shumë pak studiues tonët e kanë këtë ‘llustër’.
- Ka ikë koha t’iu japim të tjerëve mendimet tona e sidomos per çështje kaq të rëndësishme.
- Studiuesit e rinj e duan lirinë në jetën e tyre ‘informale’.
- Kot pa dashje mos na del ndonjë studiues i ri, ndjekës i teorisë se tij, siç na doli Marco La Piana.
Shpresoj që sa më shpejt kjo kryevepër të botohet në shqip, por e plotë (me gjithë ‘bishtat’ e saj) dhe jo te ketë fatin e veprës së Hahn apo të De Radës gjuhëtar e ndonjë tjetri.