Lekё Pepkolaj
Më shumë se tridhjetë autorë të vjetër grekë e latinë na flasin per Pellazgët (detar e piratë) që gjendeshin ne Siujdhesën greke e italiane, në zonat e Mesdheut, Adriatikut e në shumë zona të Detit Egje. Ka kohë që glotologu Sardenjas Massimo Pittau mbron hipotezën e një lidhje etnike Pellazge-Etruske-Sarde dhe thotë që Sàrdeis, kryeqyteti i Lidias është vendi i origjinës së Sardëve dhe Etruskëve. Është interesant fakti ku Stefani i Bizantit na thotë për ekzistencën në territorin ilir të një qyteti të quajtur Sardos, banorët e të cilit quheshin Sardēnoi. Të njëjtin toponim e ndeshim edhe te Frang Bardhi i cili thotë: “Sapa quhet popullorçe Zadrima, kurse Sarda është një nga gjymtyrët e Sapës”. Në lidhje me thënien e dijetarit bizantin ballkanologun Emanuele Banfi i cili shkruan: “një gjë është e sigurtë se historia e lashtë e Sardenjës është edhe sot shumë, shumë e mbushur me probleme dhe ideja se qytetërimi i lashtë Sardenjas mund të ketë diçka të përbashkët me mjedisin ilirë mund të jetë një hipotezë pune mes të tjerave, për tu kontrolluar dhe për tu provuar duke u bazuar tek të dhënat empirike”. Gjuha latine është baza e gjuhës sarde, por nuk duhet mospërfillur elementi i saj anas, mbetjet e të cilit vijnë nga një gjuhë ose gjuhë të folura në Sardenjë para pushtimeve punike e romane. Shumë studiues kanë hulumtuar një shtresë të madhe leksemash nga gjuha sardina (gjuha e vjetër sarde), pra një shtresë që i takon një gjuhe që fliste një popull akoma më i vjeter se ai Sardian, mjaft e pasur më së shumti në fushat e bujqësisë e blegtorisë. Nuk ka asnjë dokument të shkruar për gjuhën Sardine po gjenden me mijëra toponime te shpërndara nëpër Sardenjë që nuk shpjegohen dot në latinisht apo ndonjë gjuhë tjetër të njohur. Në këtë këndvështrim ngjason me gjuhën Ilire ku dokumentohet: me disa glosa, me më shumë material onomastik (emra njerëzish, emra vendesh, fisesh e popujsh), madje edhe këto glosa të transkriptuara në greqishte dhe në latinishte. Massimo Pittau mbi origjinën e gjuhës Sardine thotë: “mendoj se kam vërtetuar që gjuha Sardina është gjenetikisht e ngjashme me atë etruske, që zakonisht edhe ajo mbahet të jetë me origjinë anatolike e saktësisht ‘lidia’.
Që herët kemi disa studiues që vënë përballë gjuhën shqipe me gjuhët e pellgut anatolik. Këtë gjë na e pohon edhe gjuhëtari austriak J. Matzinger ku thotë që hulumtimet historike-krahasuese kanë treguar se frigjishtja dhe shqipja afrohen mes tyre. Hititishtja e frigishtja janë te dokumentuara dhe të interpretuara mirë ne fazën e tyre anatolike. Gjuha shqipe është pjesë e trungut indoevropian të gjuhëve por degë që del nga vetë trungu dhe pa lidhje bijësore me asnjë degë apo rrem të këtij trungu. Nuk do flas tani për dëmet që i sjell gjuhës shqipe aspekti gjenetik, por do përpiqem të preku rëndësinë e aspektit areal. Indoevropianisti Eric Hamp kah vitet 1990 na flet për mundësinë e vështrimeve të pozitës së para-shqipes në ngrehina areale në periudha më të hershme, në një bashkësi (NWEIE) me grupet e paragjuhëve tokare, keltike, gjermanike e balto-sllave. Pra për Sprachbund mund të flasim për kohë e hapsira të ndryshme. Kemi edhe grupime dy gjuhësh p.sh: i ‘gjuhëve adriatike’ ku hyn mesapishtja e venetishtja dhe popujt mesap dhe venët nuk ishin fqinj. Pra, gjuha para-shqipe dhe ajo sardine mund të shihen në aspektin areal. Pse jo, pjesë e këtij grupi mund të jetë edhe gjuha para-baske e trungut jo indoevropian. Për të tre keto gjuhë është e rëndësishme se sot janë gjuhë të gjalla, gati për këndveshtrimin e tyre sinkronik. Në literaturë gjejmë shumë punime për të shpjeguar këto leksema sardine, ku janë përdorur gjuhët e Afrikës veriore, Këlte-Iberike, Baske, Aziatike, Korsikes etj, ku secila hipoteze perjashton tjetrën. Për shumicën e këtyre studiuesve gjuha shqipe nuk iu vjen në ndihmë. I pari studiues që e krahason gjuhën sardine me gjuhën shqipe është etnolinguisti i njohur gjerman Max Leopold Wagner, ku në revistën franceze “Revue de Linguistique Romane” 1933 shkruan:
- L. Wagner është themeluesi i gjuhësisë sarde dhe njohësi më i mirë i gjuhës së vjetër sarde dhe i asaj moderne. Ai ishte etnolog dhe etnograf. Vepra kryesore e tij është: “La lingua Sarda. Storia, Spirito e Forma”. Një pikë këndvështrimi interesante është roli i etnokulturës në gjuhën tonë dhe atë sarde. Një tjetër autor që sheh lidhjen e gjuhës tonë me atë sardine është Alberto Areddu, i cili në vitin 2007 boton veprën “Le origini Albanesi della civiltà in Sardegna”. Por edhe sot jemi përsëri me mendimin e Wagnerit ku thoshte: “themeli i vërtetë i gjuhës së vjetër Sarde, pra ajo e Ilienses, ngel deri më sot e drejtuar në një mister të thellë”.
Shtresa onomastike e mëposhtme është marrë nga autorët më të njohur të kësaj fushe M. L. Wagner, M. Pittau, H. J. Wolf, A. Areddu etj.
Coronzu toponim në zonen Abbasanta, ‘macigno[1] (Pittau)[2] = lloj guri shkёmbor’. Sh. guracak, gurëgac.
- Crecco; Castèa, Cala; Costi toponime në zonën Abbasanta, ‘querce, tana dell'acero, acer
(Pittau) = qarr, lloje panjash’. Ka lidhje me fjalen ‘krekё’. Gjendet edhe në formën ‘krekcё’ (tek
fjalori i M. Elezi). Dru krekcar është dru i thyeshëm (Gazulli). Pra, është fjale onomatopeike e
shqipes dhe jo siç thote Meyer, Orel, Elezi. Fjala latine ‘acer’ (nga ku flitet që vjen fjala ‘krekё’)
mendohet se vjen nga greqishtja e vjetër ‘άκαστος’ (M. de Vaan) që është fjalë parahelene
(Beekes). Material shtesë: ‘kashtar’ domethënë diçka e brishtë (Elezi).
- Cuddina, Coddina toponime ne zonen Oliena, ‘collina (Pittau) = kodër’. Sh. kodrina. E rëndësishme është që fjala ‘cuddina’ nuk është huazim latin për gjuhën sardine. Për shumë gjuhëtarë fjala ‘kodër’ është huazim nga rumanishtja ‘codru’ që domethënë ‘pyll’. Nga ana semantike është pak larg. Në sanskritisht ‘kutam’ është vend i ngritur dhe nga ana semantike e fonetike afrohet me shqipen. Pokorny fjalën ‘kodër’ e lidh me fjalën ‘kulm’ dhe PIE *kel dhe fjalën latine ‘culmen’ as që e përmend fare. J. Trumper (2015) fjalën ‘kodër’ e sjell të ardhur nga latinishtja ‘quadrum’. Por nga ana semantike është më afër fjala rumune ‘codru’. ‘quadrum’ ka lidhje me ‘cantone’ ‘quartire’ krejt diçka tjetër (aspekti semantik) në lidhje me ‘kodër’ Çabej fjalen ‘kodër’ e lidh me fjalën ‘kand’. Material shtesë: ‘kungё’ ‘kurriz’ ndoshta fjala ‘kundër’ = përballë, ‘skundra’. Kemi toponimin thepi i Skunorёs. (Rajё, Tropojё). ‘koduq’ = send i mbledhur duq.
- Crábia toponim në zonën Aidomaggiore e Milis, Pittau e lidh me fjalën parasarde ‘carva’ që është ‘ramo d'albero = degë peme’. Gazulli na kujton shndrrimin e v-dh. p.sh: krande, ‘kathje’, ‘karth’, ‘krrabë’ etj.
- Gabaru, ‘rivo di Sassari (Pittau) = lumë në Sassari’, në gjuhën baske: ‘gavarra = lumë’. ‘Addua’, ‘ader’ (hidro, adriatik) janë fjalë Ilire-Venete (Pokorny). Rrënja ‘ab’ = ujë, lumë’ është term Iliro-Kelt (Pokorny, Krahe).
- Gurrispai, Gorrispai toponime në zonën Nuorese, ‘ricca di fonti e vasche per l’approviginamento idrico (Pittau, Areddu) = e pasur me burime e vaska për furnizim me ujë’. P.sh: gurrë (Areddu). Material shtesë: ‘gurrec’, ‘gurrёtore’.
- Guppunnìo ‘fontana principale a Ollolai (Areddu) = kroi kryesor në Ollolai’, p.sh: gyp (Areddu), ‘gypor’ ose forma gegё ‘gup’. Akkad. ‘gin’ (Beeks). Material shtesë: ‘me gufё’, ‘zguer’ ‘gabё’ ‘gabzhuer’.
- Ollollái, për Pittaun është toponim paralatin. ‘llolloi’ Wagner e krahason me fjalën tonë ‘lule’. Sh. lula, Hit. ‘alil, alel’ Copt. ‘hleli, here’ Bask. ‘lili’. Fjala ‘lule’ mendoj se është fjalë jo IE e shqipes.
- Urruarzu toponim në zonën Abbasanta, ‘il roveto (Pittau) = shkurre’, Sh. shkurror, ku është vend me shkurre e therra (M. Elezi). Fjala ‘shkurre’ ka një etimologji mjaft të errët. Çabej e lidh me fjalët ‘korr’ e ‘tkurr’. Areddu fjalën ‘shkurre’ e lidh me fjalën sardine ‘pibishirra’. Material shtesë: ‘hale’, ‘hithë’, ‘ultё’.
- Zéppara, zona Campidano, Wagner e lidh me fjalën ‘tsèppara = ‘pianura molto sassosa’ = vend me shumë gur’. Sh: thepaja (Areddu), ‘thepina’ ku janë vende me maja e thepa (M.Elezi).
- Aláse, alási(u), alásu, olási, ollásu ‘agrifoglio (Wagner) = bot. ashe’ Sh. halèz, ‘hale’ (Areddu). Pittau thotë se këto lloj bimësh kanë të përbashkët se janë me hala.
- Buttiro ‘fagiolo (Rubattu) = fasule’. Sh. bathё. Huld e krahason kete fjale me Burushaski: ‘bu:kak’. Fjalë që nuk mund të ndërtohet fjala PIE.
- Aùrri ‘ostrya carpinifolia’ (Wagner). Sh. verr (Areddu). Të kësaj familje janë ‘arrçi’, ‘arra’ etj.
- Eni, Enis ‘taxus baccata’ (Wagner). Sh. enië, venië (Areddu). Pittau thotë se në të vertetë është një fitonim mesdhetar që rritet në Iliri e Sardenja.
- Gurpe ‘la volpe (Wagner) = dhelpra’. Sh. kurpen, ‘kurthe’, ‘dhelpër’ (?).
- Gágaru ‘un cane da caccia (Wagner) = qen gjuetie’. Sh. zagar; Bask. ‘cakurr’; Georg. ‘dzagli’; Corsi. ‘gákaru’. Mendoj që është fjalë jo IE e shqipes.
- Kallittsa ‘volpe femmina (Wagner) = dhelpër femër’. Wagner e krahason me fjalën ‘kèlysh, por thotë se mund të jetë rastësi. Mund të lidhet më mirë me fjalen kulshedër. Kemi një lidhje të ‘kulshedër’ me ‘këlysh’ nga Kamarda. Këlyshët e kulshedrës.
- Anzesa, Angesa ‘specie di cavalletta (Areddu) = lloj karkaleci’. Sh. anzё (Areddu), anza.
- Boborissína ‘formica (Wagner) = buberrec’ Meyer sjell fjalen ‘boberesh’, nga zona e Shkodrës (e citon vetë Wagner).
- Bobboi ‘qualunque insetto di formazione infantile (Wagner) = cdo lloj insekti i formës së mitur’, Sh. bobёl, bobёz, ‘buba’, ‘bubaç’ etj.
- Visisìa, ‘grillo (Areddu) = bulkth’, Sh. vizhё (Areddu) ka lidhje me fjalën ‘vezulloj’.
- Tungu ‘piede del monte (Rubattu) = fillimi i malit’. Ndoshta ka lidhje me fjalën thundër, ‘themër’. Mendoj se kemi një interpretim të gabuar të Areddu që e lidh me fjalën ‘cung’. Fjala ‘cung’ ka lidhje me fjalën ‘shyt’. Material shtesë: ‘fundi’ ‘bytha’ e arës, përroit dhe malit.
- Thiccu ‘goccia (Areddu) = pikon), Sh. shiez/e ku është përrocke ose burim që del në kohë shirash ose kur shkrihet bora (M. Elezi). Pra ka lidhje me fjalën tonë ‘shi’. Areddu këtë fjalë e krahason me fjalën ‘çikëz’ mendoj një interpretim i gabuar i tij. Material shtesë: ‘thith’ është shtjellë uji, vorbull, gjir. Thithat e lumit (FGJSSH).
- Thaddocu ‘che cammina lentamente e lamentandosi (Pittau, Areddu) = që ecë ngadalë e duke u ankuar’. Areddu e lidh mirë me fjalën shqipe ‘çaloke’ që vjen nga fjala e shqipes ‘çaloj’. Por fjala ‘çalё’ vjen nga fjala ‘shalё’ (Çabej). Mendoj një përballje më të mirë me fjalën shalakan (ai që është ‘çalaman’ (M. Elezi). Areddu merret me një fjalë të shqipes në një fazë të vonë. Material shtesë: ‘zhagutan, zhagotan’ (ai që zvarritë punët).
- Therga ‘veste che il padrone dà ai servi nei giorni festivi (Wagner, Areddu) = veshje ku pronari ju afron shërbëtorëve në ditë festash’. Wagner e lidh me fjalën shqipe cergё dhe për mendimin tim ka të drejtë. Fjala ‘cergё’ është e shqipes dhe ka lidhje me ‘thercё’, dicka që të ther. Cerga bëhet me lesh dhiet. Ndërsa Areddu mendoj se gabimisht e lidh këtë fjalë me fjalën Ilire ‘tergium’ të cilat edhe pse kanë lidhje fonetike janë shumë larg në aspektin semantik. Material shtese: fjala ‘therga’ mund të ketë lidhje me fjalën thekё. Thekёt e shamisë, të grurit.
- Brunku ‘montagna a punta (Wagner) = maje mali’. Sh. vend bri, brini.
- Turrilìu ‘corriere (Pittau) = postieri’, Sh. turraz, ‘me u turrë’.
- Tuérra, thurru, turru, tzurru, zurru, ciurru ‘rigagnolo, rivolo, cascata,-ella (Wagner, Pittau) = rrёke, rrjedhё, rёnie); Bask. ‘txurru = ujëvarё, burim’; Sh. gurra, ‘gurron’.
- Gáras ‘rocce frastagliate’ (Wagner) = shkëmbinj të dhёmbëzuar’. Sh. kershe, ‘gurishte’.
- Bákku ‘gola di montagna (Wagner) = qafë e malit’. Sh. bàke, ‘bàhe’, ‘praqe’ (M. Elezi)
- Pala ‘pendio (Wagner) = e pjerrёt’. E pjerrët gjendet në formën ‘pora’ (Orel) ku ka lidhje edhe me fjalën ‘bri’.
- Sakkáyu, -a; ‘agnello o capretto d’un anno (Wagner) = qingj ose kec i një viti’. Sh. shiek/u ku është qingj ose kec sipër gjashtë mujorit (Gazulli).
- Alaússa, ‘una specie di loglio giallo (Wagner) = lloj egjre e verdhё’. Ndoshta i ‘lulsё’ ‘i lultë’ dhe vjen nga fjala ‘lule’.
- Gorroppu ‘canalone (Rubattu) = kanal i madh’. Sh. gropё, ‘gropnajё’,‘grabё’ etj.
- Líttu ‘terreno boschivo’ (Wagner) = mjedis i pyllёzuar’. Sh. lisni = ‘pyll i ri me dru çfardo’ (M. Elezi).
- Cúguru ‘cima di un monte (Wagner) = maja e malit’. Sh. kugё, ‘kreja’ (Areddu); Bask. ‘kukurh = kreshta’. Material shtese: në ‘krye’ të arës, shpatit.
- Sirbóne ‘cinghiale (Pittau) = derr i egër’. Sh. dèrrpa që vjen nga fjala ‘derr’. Material shtesë: ‘derk, derkan’.
- Gárga ‘tana della volpe (Wagner) = strofkulla e dhelprës’. Sh. garroq (FGJSSH).
- Barrasone, barrasolu ‘fascio di spine (Areddu) = kaçubё therrash’, p.sh: murriz (Areddu)
Toponimet: Ilói, Illói (Aidomaggiore); Ilái (Gairo, Noragugume); Ilói, Illói (Sedilo) sipas Pittaut janë fjalë para-sarde dhe ngelin të pashpjegueshme. E sa e sa të tilla ka. Duhet shumë kujdes tek onomastika pa asnjë pikë referimi mbështetëse, përballja me gjuhën shqipe mund të jetë vërtetë rastësi.
Këto leksema që solla nuk i shoh si huazim të asnjërit krah, por i shoh si shtresë e përbashkët e dy gjuhëve të vjetra para-shqipe e sardine, ku konvergjojnë. Për të gjetur pikën e konvergjencës gjuhëtarëve mendoj t’iu vijnë në ndihmë historianët, arkeologët pse jo edhe gjenetikët. Interpretimet e mia të kësaj shtrese nuk janë “t’pleqnume për mete” jane ‘ngacmime’ për studime të mëtejshme. Kjo shtresë jep një ndihmë të madhe ne ballkanistikë. Me mjaft interes ngelin për tu parë leksemat e gjuhës para-greke të kësaj shtese sardine.
Shtrohet pyetja se cila është rëndësia e këtyre leksemave të përbashkëta?
Nga aq pak leksema qe solla për një artikull kaq të shkurtër mendoj se duket qartë se ka një shtresë të përbashkët mes gjuhës shqipe dhe gjuhës sarde. Sa është kjo shtresë në aspektin sasior? Kjo duhet parë e ribërë me studime të tjera. Kjo shtresë ka shumë rëndësi për historinë e gjuhës shqipe ku akoma është vjerrur ndërsa për popullin e Sardenjës kuptojnë diçka më shumë se kush ishin paraardhësit e tyre Sardian.
Mendoj që parësore për origjinën e gjuhës tonë ngel edhe fjala e historianëve, arkeologëve, gjenetikëve etj. Ne jemi autokton në trojet tona ku edhe sot (dje) për fat të keq përpiqen me mjetet e gjuhës, (mjete subjektive të dala edhe nga tavolinat e të ‘fortëve’ e te ‘mëdhenjëve’) të na nxjerrin jo autokton.
[1] Për të mënjanuar keqinterpretime kam lënë në gjuhën italiane domethëniet e kësaj shtrese leksemash.
[2] Autori që e quan fjalën Sardine dhe jep kuptimin e saj që perdoret (ose i afrohet).