Fantazia
– Ndal, këlysh qeni!
Tani atë do ta mbërthejnë nga duart, do ta rrasin në makinën me xhama të errët “Volvo”. Një forcë e tmerrshme dhe njëkohësisht e vëmendshme e shtrëngon, që ai mos të bërtasë, mos të plagosë ndonjë pjesë të trupit. Ai arrin të bëjë një pyetje idiote – për çfarë? – para se t’ia mbyllin gojën. Më tej do të vijë gremina dhe historia tjetër, nëse do të bëhet ndonjë gjë, nëse nuk do ta djegin menjëherë në furrë. Ai e kishte menduar ta kalonte ndryshe këtë ditë, veçanërisht fundin e saj, por gjëra të tilla edhe ndodhin – papritur.
Ju, – mendonte t’u thoshte ai sot atyre tetë vajzave, të cilat ishin regjistruar në kurs, – ju jeni kripa e vendit, ju vleni sa floriri. Skenarist – është profesioni i vetëm i autorit. Regjisori mund të mos bëjë në përgjithësi asgjë: aktorët do të luajnë, operatori do t’i xhirojë bukur, kurse montuesi do t’i montojë. Prandaj të gjithë duan të bëhen regjisorë. – ai lëkund kokën. – Nuk janë regjisorë ata, natyrisht, asnjëri. Ju, – ai përsërit, – ju peshoni sa floriri.
Ai do t’i trembë vajzat me erudicionin, pastaj do t’u tregojë historinë, në të cilën vetë ai do të vihet në botën qesharake dhe të shëmtuar, – rezerva e historive është e madhe, dhe kjo gjithmonë është joshëse. Ai është mjeshtri, ato janë nxënëset e tij. Detyra e tyre është të mësojnë nga mjeshtri, kurse e tij – ta bëjë të qartë për to lëndën e kinematografisë: çfarë është kinemaja, dhe çfarë nuk është. Pastaj ata së bashku do të shikojnë një film.
– Transformimi, – ai do të godasë me gishta. E gjithë çështja është te transformimi, nëse ai ndodh, atëherë… E kuptoni?
Dhe mjafton – për ditën e parë të mësimit. Pastaj ai do të niset te binjakët, do t’u dhurojë atyre një përmbledhje të skenarëve të veta, atje do t’i japin për të ngrënë gjëra të shijshme, pastaj do të kthehet në shtëpi – te Varja, gruaja e tij, dhe te Anjuta, vajza, – ato tashmë do të jenë në gjumë. Ky është plani.
Mëngjesi nisi me një ngjarje qesharake të parëndësishme. Duke zbritur me ashensor nga kati i vet i fundit, ai u pa në pasqyrën e re, që e kishin vënë pas remontit, pastaj i hodhi sytë te portreti i udhëheqësit në paradë – xhupi me jakë të ngritur marshalli, yjet, – portreti ishte ngjitur fort, që t’mos shqitej, dhe u mundua ta gërvishë me çelës, kur pa mbishkrimin: XHELAT në xhaketën e bardhë (Pallaç; në rusisht ishte shkruar në fund me shenjën zbutëse blu). Megjithëse me shkronja shtypi, por dorën e Anjutës nuk mund të mos e njihje. E trishtë, nga njëra anë, – çfarë nuk mësojnë në vitin e dhjetë të shkollës së muzikës Gnesink? – por nga ana tjetër, prekëse. Bashkë me yllin ai gërvishi dhe shenjën zbutëse.
Shtëpia ishte e vjetër (nga të gjitha anët ishte shtëpi staliniste), në hyrje kishte gjithsej dymbëdhjetë apartamente, kështu që nuk ka dyshim, se portretin e kishte ngjitur – banori me mbiemër të tmerrshëm Voblli: nuk ishte Vadiku, violinisti virtuoz, që e solli këtë ndyrësirë, as Tamara Maksimovna, pedagoge e të folurit skenik, jo, – nuk ka tjetër përveç Vobllit, ish ndjekës. Duke dalë nga hyrja, ai u përkul, sepse mbas remontit mbetën konstruksione të pa hequra – skela ndërtimi, pleksje tubash. Tani ai do ta shikojë këtë Vobllin, se kohën e ngrohtë të vitit ky e kalon në rrugë: në shtëpi nuk e lejojnë të pijë cigare, por e ka dhe si zakon profesional, si duket, që të vërtitet pranë hyrjes. Ç’është e vërteta, kohët e fundit del me një stol të vogël dhe thotë: më dhemb shtylla kurrizore.
– Këtë të gjithë e kemi. E gjithë puna bëhet në këmbë. Më përpara nuk kishte kamera vëzhgimi, as këto celularët.
Ç’të thuash këtu? Vërtet, nuk kishte.
Në punë shkoni, Andrej Georgeviç? – pyet Voblli dhe shikon orën.
Ai i tund kokën atij, një çast e ndjen veten fajtor – ora dymbëdhjetë, kurse ai sapo doli nga shtëpia dhe do të niset, po, për në punë, më këmbë. Në rajonin e tyre gjatë verës zgjeruan trotuaret, kurse pjesën e xhadesë, e ngushtuan, rrugët duken ndryshe, jo si zakonisht. Andrej, me qëllim bën një rrugë të tërthortë, që të kalojë pranë shkollës, franceze, ku kish mbaruar: një ndërtesë tipike, pesëkatëshe, para pak kohësh e përforcuan me një kub të stolisur xhami – jo sipas stilit, por Moska është e gjitha eklektike. Dhe, ndër të tjera, sot pranë hyrjes nuk e gjeti Vobllin. Ai tashmë disa ditë nuk ka qenë, kjo mund të ketë ngjarë, nëse e kanë shtruar në spital, për të shëruar shtyllën kurrizore. Dhe, le të rrijë në spital. Ky XHELATI e gëzoi shumë.
Po, shkolla ishte franceze, konsiderohej më e mira, pastaj – nuk është i keq edhe fakulteti i matematikës në Universitetin e Moskës, megjithëse nuk shquhej për aftësi të veçanta në matematikë. Edhe për frëngjishten nuk kishte aftësi, dhe në përgjithësi për asgjë nuk kishte. Por miqve ai u dukej, përkundrazi, njeri i lloj-llojshëm, me dhunti të mëdha.
– Juve më doni mua thjesht si send. – Stravinski, atij i kujtohet, po në këtë mënyrë u shpreh kur vdiq Shaljapini. Ndoshta jo Stravinski, dikush tjetër.
– Jo, Andrjusha, ti vet e do veten si send, – iu përgjigjën miqtë. – Kurse ne… Ne ty thjesht të duam.
Dhe ai për njëfarë kohe qetësohej: ndjenjat e shokëve dhe shoqeve kanë karakter të kushtëzuar, kanë nevojë për rinovim. Natyrisht, dëshira për të qenë i pëlqyer (mjaft naive në rastin e tij) është e metë, por për piktorin, për artistin, është e natyrshme. E shpeshtë, sidoqoftë. Duke folur për mëkatet, ndër veprimet qytetare, ai e konsideron veprimin më të turpshëm, futjen e vet në komsomol. Djali i vogël kishte një histori familjare të një veprimtarie antisovjetike – në apartament atyre u kishin bërë dy herë kontroll (të rriturit thoshin – shmon), – ai e mban mend, sa e habitur e pa mësuesja. Andrej e bëri lutjen pothuajse më përpara se e gjithë klasa e tij. Ishte marrëzi, marrëzi e tmerrshme, dhe aspak e domosdoshme – në tetëdhjetë e shtatën. Mirëpo me gratë ishte gjithmonë i çiltër, prandaj qe martuar për të tretën herë.
Ai është skenarist, atë e njohin, megjithëse, siç dihet, nuk ka piktorë të vlerësuar sa duhet. Ka shkruar jo vetëm skenarë, ai dhe drama ka shkruar, deri sa u mor me kinemanë, pastaj kur doli në dritë Anjuta, nisi të punojë në televizion. Po me fakultetin e matematikës ç’u bë? Matematika është arritja më e lartë e mendimit njerëzor, ai nuk ndiqte asnjë qëllim praktik, kur u fut për matematikë. Të themi të drejtën, edhe këtu bëri një lëshim ndaj prindërve, ai vetë donte tjetër: të vinte në skenë, të luante, të krijonte. Studioja teatrale e Universitetit të Moskës ishte në atë kohë në një nivel shumë të mirë, dhe ai i kalonte gjithë mbrëmjet atje, kurse provimet – lexonte dhe i jepte. Dukej që ishte i aftë. Dhe ushtrisë i shmangej.
Matematika është me matematikë, ka diçka, që mund të mësohet më me vështirësi: të bëhesh esëll dhe të gjallërohesh, të mos dëshpërohesh. Asgjë nuk mund të krahasohet madje me atë që përjetuan prindërit, pa folur për gjyshërit. Po, llahtar! Por më shumë është e mërzitshme, a është kështu? Kështu që nuk duhet t’u shtojmë një barrë më shumë, atyre që na rrethojnë, atyre, që ne i duam jo si send. Ndoshta nuk është dhe aq keq? Ndoshta, është më mirë sesa duket? Nuk duhet thjesht të rrish dhe ta urresh regjimin. Duhet punuar, shkruar, fëmijëve t’u mësohet muzika (gruaja Varja jep mësim harmoninë), gjuha ruse. Ata, që ai më pak i fal, qetësia e të cilëve nuk është aq e shtrenjtë për të, përkundrazi, i këshillon të largohen sa më shpejt.
Neve nuk na mjafton fantazia. Emigracioni – një gjë e tmerrshme: mansarda pariziane ose, nuk e di, shtëpia me shumë apartamente në Bruklin… Po ja, që ta përfytyrosh rojën në kullë, ngritjen në orën gjashtë të mëngjesit – jo, nuk mjafton fantazia.
Vetë ai është mirë me fantazinë. Prandaj pas bisedave, që filluan të bëjnë për kullën dhe rojet, ai netëve rrotullohet pa gjumë. I premton vetes, se do të zgjohet i plotësuar me gëzim, mirënjohje ndaj prindërve, vajzës, gruas (te Perëndia ai beson gjithnjë e më pak), dhe,më në fund, ndaj miqve, por shpesh e më shpesh, sidomos kohët e fundit, zgjohet me rrahje zemre, jo i lirë, i mbërthyer si me hekura. Por ai kësaj do t’ia dalë. Sidoqoftë, vajzat e tij të vogla nuk duhet të vuajnë. Me një gjendje të tillë shpirtërore ai jetoi dy vjet e gjysmë, me të tilla mendime jetoi deri në një shtator.
– Andrej Georgijeviç, pse ikët nga televizioni? – e pyet Lidia nga Krasnodari, me një të folur karakteristike, me ballë të ulët, me baluke të rralla.
– Nga televizioni ikën të gjithë njerëzit e mirë. – A nuk e vuri re, vallë, ajo?
Tek ata një Kuban… – Ç’hyn këtu Kubani? Kjo Lidia – është një vajzë shumë aktive. Çfarë bënte më përpara?
Studentët e degës së skenarit të gjithë janë rreth tridhjetë vjeç, të gjithë kanë arsim, profesion.
– Ka punuar në ZHKH, pra si menaxhuese e shtëpisë, dhe çfarë?
Po pse iku ai, pyet ajo.
– Vendosa që nuk do të futem përsëri në komsomol.
Nuk është e qartë? Mirë.
Ja përbërja e kursit të tij të ri: dy Nastja, dy Olja, një çift të rinjsh hiç fare të pashëm, (ata, ai e di, së shpejti do të largohen, thjesht nuk do të vijnë më), ajo vajza Lidia dhe, më në fund, burimi kryesor i rrezikut, – e mençura, zeshkania me dhëmbë, Rahil. Kursi është dy vjeçar, thjesht tregti, duhen pranuar të gjithë, ka vetëm dy lloje nxënësish, të cilëve iu druhet, – të çmendurit dhe të mençurit. Ja dhe njëra prej tyre: dhëmbë të çrregullt, të mëdhenj, sy të mëdhenj. Kur qesh i duket mishi i dhëmbëve të sipërm. Skenarë këtu nuk do të presësh – fantazia nuk vlen, koka e saj është e tejmbushur me Delezin dhe Derridën, ajo do t’ia marrë mendjen me fjalë atij. Por, Rahil është e datëlindjes tetëdhjetë e shtatë. Dikush ia vuri emrin Rahil vajzës së vet në tetëdhjetë e shtatën.
Dhe kështu, ai do t’u mësojë profesionin e skenaristit. Po, po, të dashur, profesionin: epoka romantike, që zgjati pothuajse dyqind vjet, mbaroi. Kaloi koha kur piktori rrinte në krye të tryezës, mbushur plot me aristokracinë, shtresën e lartë të klasës së privilegjuar; të gjitha ato darkat e Rikardit, Vagnerit me Ludovikun, me mbretin e Bavarisë, –u zhdukën. Idetë mbi frymëzimin, të futura nga lart, nëse i keni, harrojini, nxirrini nga koka. Dikur, në ditët e fitores – ai shqipton emrin e pianistit të njohur, mikut të prindërve (Rahili tund kokën, të tjerëve kjo nuk u thotë asgjë), – atë e mësonin të sillej pranë gjeniut pa u vënë re, të ecë pa bërë zhurmë, si në shtëpinë e të sëmurit për vdekje, mos e dhëntë Perëndia të flitet për koncertin e kaluar, aq më shumë për koncertin e ardhshëm e në përgjithësi, për muzikën. Ndryshe është puna tani me të rinjtë, se midis tyre ka mjeshtëra të shkëlqyer, po ai Vadiku (ai përmend mbiemrin), fqinji i tij: a kishte njerëz? E pritën normal? Si kaloi? Ankohet: kaloi. Ose thjesht: luajta, si munda. Të gjithë shkuan të pinë.
Nxënësit heshtën, Lidia diçka shënon në fletore. Në xhep atij i vibron celulari. Le ta shohim: jo, nuk e njeh numrin, – dhe ai kalon në atë, që llojet vizuale të artit – në radhë të parë kinematografia – gjithnjë e më shumë e ngushtojnë letërsinë dhe muzikën, ai nuk e di se fajin e ka mungesa e përfytyrimit, por po atë muzikë ai preferon ta dëgjojë tani me ilustrime, vizatime në libër, me regjistrime në video. Kështu që, kolegë, zotësia për të shkruar skenarë, për të krijuar filma, është një gjë e dobishme, megjithëse në situatën e sotme, në situatën tonë të sotme, ai duhet t’i paralajmërojë, perspektivat nuk kanë shpresë aspak, dhe në qoftë se ata kanë ardhur për sekretin e sukseseve të shpejta, atëherë receta nuk ka – suksese, as të shpejta, as të ngadalta, nuk do të pasojnë.
– Do t’na duhet neve të ndajmë fatin e shumë arkitektëve të mrekullueshëm: ndërtesat tona madhështore, do të ekzistojnë në letër, në revista dhe në përmbledhje librash, kurse në ekrane nuk do të vihen.
Një e trokitur në derë. Vajza nga sekretaria.
– Shkoni, ju lutem, në kuadër.
Nuk e sheh ajo se ai po zhvillon mësim?
Duhet plotësuar lista e evidencës. Të shkruhet, në cilat shtete ai ka qenë gjatë këtyre dhjetë viteve të fundit.
– Nuk duhet shkruar – në të gjitha?
– Çfarë do të thotë – në të gjitha?
– Fillon t’i numërojë: Austria, Belgjika, Hungaria, Greqia… – marrëzi, në prani të nxënësve.
– Kaloni nga kuadri, – e ndërpret vajza. – Jo më vonë nga e marta, me pasaportën për jashtë shtetit.
Ai del në korridor duke e ndjekur pas: çfarë ka ndodhur, çfarë?
– Kërkojnë çështjen tuaj personale.
Pse me zë të ulët? Tashmë dhe çështje ka?
– Çështjen personale e organizojnë për të gjithë.
Po kujt ia kanë kërkuar? Të gjithëve – apo vetëm atij?
Ajo ngre supet: pse pyesni? Shikon me keqardhje:
– Ndoshta, keni shkruar ndonjë gjë? Ose keni folur? Mendohuni.
Çfarë mund të kish shkruar ai? Zemra i bën një pauzë, pastaj i jep një shtytje të fortë. Përsëri dhe përsëri – pauzë, shtytje. Ai e di: zemra nuk do të ndalojë, këto janë të ashtuquajturat ekstrasistola, asgjë e rrezikshme, megjithatë nuk është mirë. Merr disa herë frymë thellë, dhe kthehet në klasë: hë, a nuk shohim një film?
Lëvizja e pluhurit në rrezen e projektorit, ekrani i bardhë, gjysmë-errësira – filmat seriozë nuk i shikojnë në televizor. Ai do t’u shfaqë atyre “Rënia e gjetheve”, pastaj do të sqarojë, si është ndërtuar ky film. Tregon, ku duhet drejtuar vëmendja: te fotot familjare, te trokitja e sferave të bilardove, te pianoja e çakorduar në kabinetin e drejtorit, te planet e mëdha, jo të shpeshta, tek e folura ruse në radio, në atë, që pothuajse çdo ngjarje përsëritet dy herë, ka pasqyrimin e vet. Kështu boja e patharë, e lë gjurmën në faqen fqinje, po ta mbyllim fletoren.
– Sa mustaqe kanë këto gruzinet, – merr frymë rëndë njëra prej dy Oljave.
Nuk do të qeshim me Oljën. Na thoni edhe disa përshtypje të tjera? Vetë atë, filmi e harmonizon në mënyrë të pandryshueshme, e pajton me realitetin. Ndër të tjera, krijuesi i këtij filmi, kaloi disa vite në fakultetin e matematikës, para se të drejtohet nga kinemaja.
Po për çfarë bëhet fjalë? Asgjë nuk ndodhi: në thelb, një ngjarje e vogël pa ndonjë vlerë. Dhe hyn në përjetësi me skena fshatare, me radhën e fotografive, me goditjen finale në kambanë. Nga pikëpamja e tij, filmi ishte për lindjen e personalitetit, për dinjitetin.
– Mos, vallë, është për rrënjosjen?
Po, faleminderit, Rahil. Po si lindi titulli, as ai nuk e ka të qartë: në gusht nuk bien gjethet.
– Ja ky është cikli vegjetativ i rrushit. Të pjekurit e frutit, pastaj filizat, dhe rënia e gjetheve. Përgatitja e bimës për dimër.
Ja se çfarë, Rahil është botaniste, në kuptimin e plotë të fjalës: mbaroi studimet në fakultetin e biologjisë. Kështu njohuria shkencore nuk i bën dëm askujt, kurse për piktorin ajo është burimi më i çmuar i metaforave.
– Fund e krye film antirus, – deklaron papritur Lidia e bukur.
Ai qesh:
– Ndoshta antisovjetik?
Balli i vogël i saj mblidhet në pala: – Kjo është e njëjta gjë, pa ndryshim.
Jo, atij nuk i duket kështu. Ka ndryshim.
– Andrej Georgijeviç, çfarë qëndrimi mbani kundrejt këtij pushteti? Këtij tonit, po, të tanishmit. – Lidia pyet si njeri që ka të drejtë të dijë, e shikon drejt e në sy atë.
Atij i kujtohet biseda me vajzën nga sekretaria. Të përgjigjem me citat? – pse u shfaqi ai atyre filmin “Rënia e Gjetheve”. Përgjigjet rreptë:
– Unë mbaj qëndrim negativ.
Rahil përplas pëllëmbët disa herë: ajo e duartroket Andrejin, askush tjetër.
– Kaq, shkruani detyrën.
Ai bashkë me të shkoi deri te metroja. Ajo punonte në shkollë deri para pak kohe, gjersa kjo u bë e pamundur, për shkaqe të kuptueshme për të gjithë ne.
– Sa e gëzuar jam, që pikërisht ju jeni mjeshtri ynë, Andrej Georgijeviç. Ju jeni jo vetëm njeri jashtëzakonisht i talentuar, por dhe shumë i guximshëm. Njëri pa tjetrin nuk mund të jetë, kështu? Ajo u përshëndet me të duke i zgjatur dorën.
Në vagon ai u kujtua për celularin. Kishte gjashtë zile, nga i njëjti numër i panjohur. Ai shkoi deri te stacioni “Kodrat e Harabelave”, doli në platformë. Çfarë dokrrash: thirrja nuk mund të mbetet”. E çuditshme, ka pare në telefon. Çrregullime në rrjet? Provova edhe një herë – e njëjta gjë. Dhe vazhdova deri te stacioni “ Jug-Perëndim”.
Te binjaket ai shkon vetëm. Atje do të jenë: zonjat e shtëpisë, shoqet e tij – Ada dhe Gllasha, Adelaida me Agllajën, burrat e tyre Aleksandër dhe Aleksej – ai nuk u mësua t’i dallojë ata menjëherë, janë pozitivë, por pakëz të mërzitshëm; inxhinierët – profesion ky i rrallë për kohët e sotme; do të jenë fëmijët e tyre, ata tashmë janë adoleshentë, dhe, ka mundësi, tre ose katër çifte mysafirësh.
Ada, e madhja, dhjetë minuta më përpara ka dalë në dritë. “Si është kjo të kesh kopjen tënde të saktë?” – ”Ne jemi mësuar, – përgjigjen ato, – po si është, mos ta kesh kopjen?” Dhe banojnë pranë e pranë, në të gjashtëmbëdhjetin – kanë dy apartamente, një ballkon të përbashkët. Mësonim bashkë në Universitetin e Moskës, në fakultetin e kimisë, dhe ato parapëlqejnë teatrin. – Kohë e gjallë ka qenë atëherë, apo jo, Andrjush? U kujtohet, që të gjithë përqark pinin cigare, dhe nga flokët, nga fustanet vinte gjithashtu erë cigareje. Kishte gëzim, vetë i qepnim kostumet, vetë i bënim dekoret. Binjaket gjenin çfarë të luanin: ato për shembull, “Fantazmën e Kentervilit” e bënë shumë qesharake, por për Adën dhe Gllashën teatri mbeti një lojë, nuk u kthye në profesion. Fat, që me këto vajza ai nuk pati asnjë histori dashurore, pothuajse fare. Me Gllashën diçka pati, dhe kjo, nën ndikimin e çastit, ka kohë.
Nga miqtë ishte një çift, të cilin ai kurrë nuk e ka ditur si quhen. Po ku janë, pyet ai, ata?.. – Në Gruzi u nisën dhe atje u vendosën. – Si kështu. Si i shpëtoi atij ky çast!
– Natyrisht, me vrullin që ke ti… – Gllashenka po tallet?
Bisedat janë të zakonshme: mbi atë, se – ja, vera iku, për shëndetin e prindërve, por më shumë për karakteret e tyre të vështira, për meritat dhe të metat e infermiereve nga republikat e ish B.S. Atij nuk ka se çfarë t’i thuash për këtë shkak, sepse prindërit e tij tani për tani nuk kanë nevojë për infermiere.
– Andrjush, ti sot nuk je i përqendruar, – motrat duan, që ai ta heqë mendjen nga mezet, që të tregojë ndonjë gjë. Aq më tepër, se ato do të kenë një fazan të pjekur. Si janë ato vajzat e tij të reja!
Ai i sjell ndërmend një nga një ngjarjet e sotme – duhet pranuar, se të fusin frikën: përjashtimi nga norma i çështjes personale, papritur e pa kujtuar, pyetjet për pushtetin. Dhe mungesa e kundërshtimit aktiv – madje pa tendosje të vëmendjes në pritje të diçkaje, por boshe, qetësia pa përmbajtje si përgjigje e deklaratës së tij, duartrokitje të izoluara, më vete, më mirë ato të mos ishin. Më mirë të bërtisnin, të ziheshin. Më përpara me grupet e tjera ndodhte dhe bërtisnim.
– Kursi, si kursi: dy Tanja, dy Manja, dy dhëndurë Mezhujeva, një idiote agresive, por ka, siç m’u duk mua, dhe shpirt të dashur. – Gëzimi është i pakët, por toni duhet marr më i gjallë: – I ushqej ata me mendimet e mia më të dashura, njëra pas tjetrës, pa asnjëfarë politike, dhe këtu fluturon andej-këtej, – ai kujton bukuroshen Lidia, – atë, e njihni, bushtra-zogëza – buzëholla, gojëvogla.
Ata që e dëgjojnë shihen në sy: Andrjusha, çuditërisht është vëzhgues i mirë. Sinqerisht, ai nuk e mban mend se çfarë goje ka Lidia, kjo dukej vetë. Ai e çon rrëfimin e vet deri në fund: zë ngoje dhe kuadrot, dhe sekretarinë, mendohet pakëz – çdo historie, madje dhe të thjeshtës, i duhet kulmi dhe zgjidhja. Tani që i tha të gjitha, ai pret se do ta qetësojnë, do ta ngushëllojnë: nuk është e frikshme, gjoja, te ne në institutet, edhe në ndërmarrjet ka kontrolle – për sy e faqe, të gjithë tani kanë plan, ndër të tjera për kontrollet nuk ka pse të shqetësohemi, nuk janë ato kohë. Megjithatë, të gjithë heshtin.
– Epo mirë. – Duhet mbyllur me pijen tonike. Në qoftë se mbete këtu për të jetuar, bëhu gati për çdo gjë.
Biseda pas kësaj përsëri sikur lëkundet në gjykime, ngatërrohet, herë hidhet në të kaluarën, herë te fëmijët, tashmë dhe verën ata e kanë pirë, dhe fazanin e kanë ngrënë, dhe ai gjykon me zë për idenë tonë të gabuar mbi drejtësinë – se ajo, drejtësia, gjithmonë është e pranishme në atë kryesoren ose ngadhënjen ja tani:
Dhe me asgjë nuk mund ta zhdukësh atë gabimin fëminor. Në përfundim, do të vijnë të na marrin, por ne vetëm do të pyesim – pse? Unë dhe vetë jam i llastuar. Mua kurrë, për shembull, nuk më vinin nota më poshtë sesa meritoja. Mësoja shkëlqyeshëm, sidomos në shkollë, megjithëse ndonjëherë e dija – për tresh në rastin më të mirë.
– Kurse unë, – shqipton papritur Ljosha, – e kundërta.
Ljosha ka një përfytyrim tjetër për drejtësinë. Në qoftë se ty të dhanë më shumë se e ke merituar, – çfarë drejtësie ka këtu? Ai, megjithatë, dhe pretendimet i ka më të thjeshta. Dhe Ljosha, nga i cili më përpara asnjë fjalë nuk kemi dëgjuar, tregoi, se si ai me shokët shkonin në pranverë në gjyq, më saktë për në gjyq, ata nuk i lejonin të futeshin në ndërtesë.
– Qëndrojmë një orë, dhe dy, e ngremë dhe zërin, dhe çlodhemi nga njëra këmbë te këmba tjetër – ftohtë, kështu që na u desh të largohemi për nevojat personale. U ktheva, vazhdoj të qendroj. Shokët i humba. U mblodhën disa qindra njerëz. Kur po largohesha, po vinin autobusët, nga të dy anët e mbyllën pjesën e kalimtarëve. Deklaruan: “Qytetarë, mos pengoni kalimin e transportit”. Po ne po qëndrojmë në trotuar. Pastaj policia me kaska dhe mburoja – nisi të kapë nga turma njërin, tjetrin, më shpesh ata që bërtasin ose kanë ndonjë veçori dalluese – pllakatë, kapele me ngjyrë të ndezur ose, ta zëmë, mjekër të kuqe. Unë nuk jam kundër të ndodhem në autobus– do të më çojnë në degë, do të më kontrollojnë pasaportën dhe do të më lëshojnë, megjithatë nuk përpiqem, nuk turrem, as kam ndonjë zell për atje. Tani për tani vëzhgoj. Kurse ata thërrasin: “Qytetarë, lironi kalimin”. Ata i shënojnë të gjithë me radhë kush ndodhet më afër rrugës. Por autobusët, madje të mbushur, nuk lëvizin, ndërsa unë e ndjej se më erdhi koha të iki. Sqarohet, se nuk më duhet vetëm mua të iki. Gratë në moshë e me pamje intelektuale thonë: nuk do të jetë keq të rezervojmë shishe plastike, se po t’ua presim grykën, do na duhen… Qeshin: ju burrat, mirë, mund të mos e prisni. Dhe këtu unë ika – nuk më pëlqeu idea e përmjerrjes në autobus. Nuk dua të shikoj edhe atë, si gratë urinojnë në shishe.
– Dhe kaq?
– Po, ika. Dhe mbaroi veprimtaria ime protestuese.
– Andrej u bë një pedagog i vërtetë. – Nuk kuptohet pse Gllasha tha për të në vetën e tretë. – Ai nuk ndihet komod, kur dikush flet më larg tij.
Kështu është, duhet kapur filli i bisedës.
– Mua më duket se çështja qëndron në mungesën e fantazisë. Natyrisht, kur i përfytyron vuajtjet, mundimet e emigracionit… Do të më strehojë… – ai thotë emrin e mikut të përbashkët, që jeton në Bruksel prej kohësh. – Ai ka një apartament të madh. Ose, – i njohuri tjetër i tyre, – Në Hjuston ka një shtëpi të tërë. Ja ai shkoi në punë, pastaj erdhi nga puna, po ti çfarë krijove sot? Me Hollivudin a lëviz ndonjë gjë? Ti shikon në frigorifer, kurse ai vrenjtet në fytyrë. “Andrjush, mos ndoshta, hë për hë, duhet të kërkosh një punë më të thjeshtë?” Çfarë, të shpërndajë picat, të presë shkurret, apo të fshije rrugën? “Vetëm mos mendo, askush ty nuk të përzë. Ja pra, ti u zemërove… Ta përfytyrosh, si do të largohen fëmijët nga ty, luftën me alkoolin, me brengën – për këtë mjafton fantazia. Po si ju duken thirrjet “Zgjohuni” në orën gjashtë të mëngjesit, në repartin e qepjes së dorezave? Era e trupave të palarë, domosdoshmëria për të respektuar etiketën, specifike, të kampit. Të vazhdoj? Kërcënimi i jetës është çdo çast, mungesa e ngrohjes, ushqimit, ajrit. Çështja madje është jo “për hir të fëmijëve” – ne duhet të kujdesemi për veten. Inercia është një gjë e tmerrshme. A e dini biografinë e Kisinxherit? Ju kujtohet, sa e zgjatën ata, para se të iknin nga Bavaria? Por neve nuk na e pret mendja më shumë se Kisinxheri, ju siguroj.
– Hjuston… – shqipton Ada e menduar. – Ne, Andrjush, kemi gjetur apartament në Vilnjus.
– Ashtu? Ka kohë?
– Po ja, pas marshimit të Ljoshës drejt gjyqit.
– Vilën e shitëm. Na vjen keq për vilën, por duhet të bëjmë fli diçka. Vilnjusi, arsyetojnë ata, nuk të shpëton nga çdo gjë. Megjithatë, me pasaportë izraelite… – Aha, edhe pasaportë izraelite kanë? – Hë për hë vetëm Sasha dhe Gllasha kanë. Ai nuk e dinte se Sasha ishte çifut. Pakëz nga gjyshja, nga ana e nënës, por pikërisht ajo që duhet.
– Ka të ngjarë, Andrjush, ti do të mbetesh vetëm te stoli.
Pauza.
– “Gostia vazhdon. Kryetari mbetet i zhytur në mendime të thella”, – deklaron Gllasha.
Mizore. Por, në përgjithësi, me punë. Ada e shikon motrën në mënyrë shprehëse:
– Kjo është për çdo rast zjarri. Ndoshta dhe nuk do të duhet.
Të tjerët pinin çaj me karamele e konjak.
Këtu është zagushi. Ai ngrihet nga tavolina, shkon te dhoma fqinje, afrohet te dritarja. Një mbrëmje e ngrohtë moskovite, u ndezën dritat. Ada hap derën e ballkonit: kur të errësohet, do të jetë fare mirë. Atyre nuk u pëlqen qendra, por rajoni. Po nëse do të nxjerr kokën nga dritarja dhe të shikojë larg… – Ada e shtyn xhamin.
– Mos e hap, të lutem! – ai u spraps te paradhoma.
Ai filloi të ketë frikë nga lartësia.
– E frikshme, ballkoni mund të bjerë?
– Kam frikë të shoh poshtë. Futem në ngasjen e çastit dhe…
Ajo thërret motrën.
– Dëgjo, neve nuk na pëlqen gjendja jote. Ti, Andrjush, gjithmonë ke dalë përtej kornizave të rrethanave të propozuara. Por dhe ke ditur, kur duhet spostuar teatri për më vonë dhe të përgatitesh për sesionin.
Po, ka ndodhur një gjë e tillë… Ai vesh këpucët, duhet lëvizur, duhet bërë një shëtitje. Ka gjë, po të mos përshëndetemi?
– Ose, e dini… Nuk më mbajnë këmbët. Motra, thirreni taksinë.
Ato e përcjellin, e puthin secila në faqe:
– Ne me dobësi jemi të fortë.
– Por të dobët jemi pamasë. – Qeshin, e përshëndesin dhe ia bëjnë me dorë.
Përkëdhelia e tyre në rrethana të tjera do të qe shumë e këndshme – të tilla bukuroshe janë dhe të miat, por sot ai ndjen pak. As binjakët, as vera që piu, nuk e bënë të qeshë, nuk e dehën atë. Po ai pothuajse as nuk piu.
– Ta bëfsha… nënën! – shoferi godet frenat, e nxjerr atë nga dremitja e sëmurë. – E shikon çfarë bënë? Me këtë, – shton edhe të shara të tjera, – mundet gjithçka. Numrin e pe? EKX97. E di se çfarë serie është kjo?
Nga ta dijë ai për ca numra? Kërkon ta ulë radion – rep rus, nuk është më i keqi për kohët e tanishme, lere, vetëm ule zërin – dhe përsëri provon t’u telefonojë atyre që e kërkuan, në kohën kur po bënte mësim. Tani zëri mekanik i propozon atij të fusë fjalën kyçe. Çfarë dreqin kërkon? Çfarë fjale është kjo?
– Me këtë aparat të mbushur, – shoferi i bie me gisht celularit të vet, – mund të llogarisin këdo. Ku ndodhet akësecili, çfarë thotë. Madje edhe në qoftë se e pret, dhe e heq baterinë. Teknologji speciale. Ne të gjithë jemi aty brenda, nën kapak.
Më mirë ishte të ulesha mbrapa. Çfarë ka atje për numrat e makinave? – Dhe shoferi i tregoi atij: kur një javë më parë varrosi vjehrrën, përpara autobusave të varrimit që shkonin drejt krematoriumit u doli me mikrobus një burrë – i vetëm, pa ndihmësa – gjithashtu me numrin EKX, “Ford”, – ai u afrua te punëtorët, ata e ndihmuan t’i ulë dy arkivole, i futën brenda në krematorium, edhe ai burri kaloi me ta, dhe mbas tre minutash del, bëri një rrotullim, dhe u zhduk.
– Po kush ishte në ato arkivolet? – Ai përpiqej, që tëmos i dridhej zëri.
– Një djall e di. Ndoshta të tillë, si ne të dy.
Ai u ndje keq, nisi të marrë frymë shpesh, dhe sytë ju errën, zemra i rrihte fort. Si hapet dritarja? Uli xhamin deri në fund, dhe vuri fytyrën te rryma e ajrit të ftohtë. Pa kërkuar leje, i vërtit butonat e radios – e ngre zërin. Ai nuk e dëgjon më shoferin – çdo muzikë rep, çdo mut, është më e mirë, se këto historitë për arkivolet. Mbi pasqyrën është shkruar: Objects in mirror are closer than they appear. Me ritmin e muzikës ai nis ta përsëritë. Objects in mirror/closer than they appear. Sendet në pasqyrë janë më afër se sa duken. Më afër, se sa duken apo se sa paraqiten? Ku closer ato? Në pasqyrë? Mendja është për arsyen. Objects in mirror… Çfarë do të thotë kjo?! – Çfarë? Jo, ai nuk ka ndërmend të nxjerrë zorrët. Do të dalë këtu. Të shkojë në shtëpi më mirë. Sa shumë dridhet! Ai arrin, pothuajse vrapon deri te kthesa e rrugicës, ja – hyrja. Edhe nja tridhjetë metra dhe ai është në shtëpi. Por në trotuar pranë hyrjes, ka ndaluar një makinë e errët e panjohur “Volvo”, dritat i ka të fikura, por motori punon. Dhe afër saj ca hije të gjata. Numri? Çfarë shkronjash, si tha ai? Numrat si me qëllim janë mbuluar nga balta. Jo, një hije është, por dyshe. Ai shtrëngon në xhep çelësat, mund të godasë me çelësa ose ta hedhë paketën në dritaren e tjetrit, ta thyejë, të bëjë rrëmujë. Të sulet? Të iki me vrap? Ai nuk i ndjen këmbët. Me sjelljen e pamenduar i solle vetes ngatërresa, Kisinxher? Ja tani, tani pa bërë as një as dy hapa, do të dëgjojë të bërtiturën: “Ndal, këlysh qeni!” dhe një forcë e tmerrshme do ta mbërthejë nga krahët.
Hija shkrep çakmakun, pi cigare. O Perëndi, Voblli!
Edhe ai e njohu atë:
– Andrej Georgijeviç, do të çlodheni?
Duke mos qënë në vete, ai turret të hapë derën, kur papritur merr një goditje në kokë. Tubat, pyjet – ato i harroi – nuk u përkul duke hyrë në makinë. Nga goditja ulet në bisht, shtrëngon ballin me dorë. Jo, nuk ka gjak. Mori frymë thellë. Voblli përkulet mbi të, kërkon ta ndihmojë; nuk ka nevojë, jam mirë. Gjithçka, vërtet është mirë, vetëm koka i dhemb shumë.
“Mos më beso” – kështu quhej në shkollë kjo lojë fëmijësh. Duhet vënë në kokë të ftohta. Hyri në ashensor, mbështeti ballin te pasqyra, qëndroi ashtu gjysmë minute. Shtypi numrin e vet, dhe gjatë kohës që po ngjitej ashensori, atij i kaloi çdo gjë. U largua nga pasqyra dhe e vështroi veten me kujdes: prej kohësh nuk kish bërë marrëzira. Ai ka harruar dhe frëngjishten, dhe matematikën, por dokrra të tilla si lojën e shkollës “Mos më beso” e mban mend deri tani.
Hyri ngadalë në apartament, hodhi një sy në dhomën e gjumit, pastaj shkoi te Anjuta, vajza. Ato flenë, kështu mendonte. Kush është ai, Gebëlsi, që i helmoi vajzat e veta nga fundi? Doli në kuzhinë, qëndroi pak te dritarja, vështroi trotuarin e errët bosh. Pastaj kaloi në banjë, mori sapunin, furçën, hodhi në legen ujë dhe fshiu murin e ashensorit, derisa e pastroi krejt nga i poshtri mustaqemadh. Pisllëqet dhe mbeturinat e sendeve të copëtuara i mblodhi, dhe i hodhi në boshllëkun e ashensorit. U kënaq duke parë murin ende të lagur të ashensorit, përsëri i hodhi një shikim vetes në pasqyrë.
Pra, a mund ta quante përsëri veten trim, të zotin?
Janar 2017
Përktheu Myzejen Shapllo