clear

Mjerimi i kultures dhe perkthimi, nga Shpetim Cucka

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

6f5dfde2d5bb52c477ab3d602ec3e1a4 XLI pafe nuk është ai që mohon perëndite e shumices  por ai që bashkohet me mendimin e shumicës për perënditë.

                                                                                                                                     Epikuri

Kohë pas kohe në mjetet e informimit publik objekt vëmendjeje bëhet tema e përkthimit. Trajtimi i saj jo vetëm nuk ngrihet në asnjë rast e në asnjë drejtim më lart se trajtimi që u bëhet temave të tjera, por mund të thuhet me siguri të plotë që sikurse përkthimi është ndër veprimtaritë intelektuale më të shpërfillura, po ashtu edhe këto raste të rralla të trajtimit publik të kësaj teme hyjnë në shfaqjet më pak cilësore të kapaciteteve analizuese – edhe kështu tejet të zbehta – të inteligjencës sonë.

Mbizotërojnë fjalët e përgjithshme, përmendet më të rrallë, si për ilustrim, ndonjë dukuri e gabuar e veçantë, e cila nuk përbën një të metë dalluese vetëm për përkthimet tona, renditen thatë ca emra mjeshtrash të së kaluarës përcjellë me ndonjë epitet tejet të ngrënë dhe me qarje për shpërfilljen e përndjekjen e tyre nga regjimi i kaluar dhe nënvizohet se honoraret për përkthimin janë të pamjaftueshme për të jetuar vetëm me këtë veprimtari. Kryefjala e vërtetë e ligjërimit mbetet egocentrizmi, ndërsa mesazhi bazë është dhënia e direktivave: “duhet bërë kjo” e “duhet bërë ajo”.

Nga ana tjetër e gjithë kjo vobektësi e përmbajtjes shoqërohet (kur është fjala për shkrime) me pozime stilistike e sidomos leksikore – ku bie në sy “brilantina” e barbarizmave nga italishtja dhe anglishtja – dhe me një mimikë e gjestikulim (kur është fjala për biseda televizive), të cilat jo vetëm janë të kapërcyera prej dhjetëvjeçarësh edhe për amatorët e fjalës së shkruar dhe artit skenik, por thjesht nuk i shkojnë mendjes dhe fizionomisë së një të rrituri.

Nuk është qëllimi i këtij shkrimi të gjurmojë arsyet e një mjerimi të tillë intelektual, që nga njëra anë e zhvlerëson dita-ditës e më shumë në sytë e qytetarëve kategorinë e punonjësve të punës mendore duke e kthyer pothuaj në nofkë turpi fjalën “intelektual”, ndërsa nga ana tjetër cenon më tej besimin – edhe kështu jo pak të tronditur në dy dhjetëvjeçarët e fundit – të lexuesve dhe shikuesve të zakonshëm te shkenca dhe dija.

Por shpërfillja e padenjë që i bëhet përkthimit, ku kanë dhënë ndihmesë të çmuar veprimtarë të tillë të spikatur të kulturës sonë, emrit të të cilëve nuk i bëjnë nder lëvdatat e shumëkujt, dhe gjendja e sotme e kulturës në përgjithësi, e gjuhës amtare në veçanti, e rënduar nga mospërfillja e politikanëve dhe boshësia e atyre pak elitarëve që fati na e ka sjellë të kemi, kërkojnë në të vërtetë shumë përkushtim e veprim shoqëror dhe në këtë drejtim një artikull gazete është më e pakta që mund të bëhet.

*  *  *

Profesori francez i gjuhësisë, Zhorzh Munën, në librin e tij “Përkthimet dhe përkthyesit” shkruan: “Shek. XIX solli jo vetëm një ndryshim, por madje një përmbysje të gjendjes, duke përhapur kthimin në mall të veprës artistike dhe duke futur nocionin përkatës të veprës artistike si pronë. Dhe atëherë përkthyesi (në rast se nuk është një shkrimtar i vlerësuar në gjuhën e tij amtare) bëhet ai përkthyesi i mjerë, mëditësi i panjohur i keqpaguar, gjithnjë i shpërfillur, i zhveshur nga çdo e drejtë mbi mallin që ka prodhuar pasi ta ketë shitur këtë, emri i të cilit mund të vihet, por edhe të mos vihet në kapakun e librit, në varësi të trillit të botuesit (ose deri edhe të pakujdesisë së botuesit a të shtypshkronjës) dhe për të cilin kritikët nuk flasin pothuajse asnjëherë, përveç rasteve kur, duke i kushtuar vetëm me një rresht e gjysmë në fund të kronikave të tyre, e vënë në lojë për ndonjë gabim stilistikor ose gjuhësor që mund të kenë gjetur a që pandehin se kanë gjetur në përkthimin e tij (ndonëse – dhe sidomos atëherë kur – ata vetë e njohin pak ose keq gjuhën origjinale të veprës)”.

Kush e njeh sadopak të sotmen tonë në përgjithësi – që nuk ndryshon fare nga e sotmja në botën perëndimore – jetën kulturore dhe marrëdhëniet financiare brenda saj në veçanti, dhe kush ka ndërgjegjen e duhur qytetare, nuk e ka të vështirë të pranojë vërtetësinë e këtyre konstatimeve. Përkthimi është i shpërfillur në përmasa dukshëm më të mëdha se veprimtari të tjera mendore, të cilat nuk janë cilësisht më të larta a më të përhapura se ai, ndërsa përkthyesi shikohet me keqardhje të rreme, në të vërtetë me përçmim krejtësisht të paarsyeshëm, për gjendjen e tij të padenjë shoqërore. Dhe në kundërshtim të hapur me normat e trumbetuara të demokracisë dhe me tërë atë zhurmëri ankesash për shpërfillje të grupeve të interesit, që na përndjek nga kanalet televizive dhe faqet e shtypit sa herë preken interesat e grupimeve me kontribute shoqërore tejet të dëmshme dhe me norma fitimi tejet të turpshme, përkthyesit nuk thirren praktikisht asnjëherë jo thjesht për të bërë mbrojtjen e vetvetes, gjë për të cilën kanë një të drejtë të plotë e të padiskutueshme, por as për të shpalosur për këto e për të tjera çështje të kulturës sonë të të shkruarit e të folurit, pra, të gjuhës shqipe – punëtorë të së cilës ata janë – pikëpamjet e tyre, që mund të jenë shumë të vlefshme, së paku, shumë më të vlefshme se fjalëritë boshe të ca specialistëve të gjithçkaje e të asgjëje.

Kurse ata që ftohen më së shumti të flasin për çështje të përkthimit e, në përgjithësi, të gjuhës nuk i kanë shfrytëzuar asnjëherë këto ftesa, në thelb tejet të kufizuara, tejet përzgjedhëse, për të vënë gishtin në plagë, ashtu si u pa më lart se ka bërë Zhorzh Munëni. Por fundja nuk ka përse të pritet prej tyre diçka që nuk hyn në mëtimet e tyre jetësore: luajtja e rolit të intelektualit të mirëfilltë.

*  *  *

Le të ndalemi te dy çështje konkrete, që preken shtrembër ose nuk preken fare atëherë, kur qëllon rrallë e tek të flitet a shkruhet për përkthimin.

Vlerësimi i përkthimit dhe shpërblimi material i përkthyesit

Sikurse u tha më lart, kjo temë preket rrallë e me shpërfillje intelektualoide në ndërthurje me temën e vlerësimit të përkthyesve. Por nuk mund të ketë një vlerësim të merituar për përkthyesit pa një vlerësim të merituar për përkthimin. Dhe vlerësimi për përkthimin është pjesë e vlerësimit për gjuhën shqipe. Në ç’gjendje është vlerësimi për përkthimin, për gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare e vendit, si dhe për arsimin e kulturën në tërësi?

Në të vërtetë, këto çështje nuk janë parë asnjëherë të lidhura, as sot e as në të kaluarën. Dhe, po të mbahet parasysh gjendja e përdorimit të gjuhës shqipe, po të shikohet ecuria e arsimit dhe kulturës sonë, ecuri që ka të bëjë jo vetëm me ndërtesat, por sidomos me tekstet shkollore, me përgatitjen e arsimtarëve, me punësimin e denjë të të diplomuarve, me mbrojtjen, ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës amtare, të asaj materiale dhe asaj shpirtërore, atëherë nuk është reale të pritet në kushtet e sotme një vlerësim i drejtpeshuar, i merituar, i përkthimit dhe i përkthyesit.

Nëse ekonomia e tregut, domethënë ekonomia kapitaliste, ekonomia e përqendruar te kapitali, është krejt e përshtatshme, madje e krijuar enkas, për fusha të tilla si sistemi bankar ose ai i spekulimit në bursë, ajo e ka krejt të pamundur për vetë thelbin e saj të krijojë klimën e duhur për përparimin e përkthimit, të gjuhës, të arsimit dhe kulturës mbarëqytetare, të gjitha këto dukuri jofitimprurëse nga pikëpamja kapitaliste. Cili mund të jetë vallë shpërblimi i merituar material i përkthimit profesional (e jo spekulativ) të një kryevepre si “Iliada” a “Komedia Hyjnore”? Cili individ, cili botues do të merrte përsipër të përcaktonte masën e punës për një përkthim të tillë, pra, dhe masën përkatëse të shpërblimit të tij? Dhe a mund të përfytyrohet që dikush tjetër, individ a institucion qoftë (përveç shtetit), të dalë e të porositë kundrejt një shume të përshtatshme përkthimin e kryeveprave të tilla? Mendoj se përkthimi i ri i tyre, sikurse në tërësi i veprave madhore (dhe jo spekulative të llojit “bestseller”) të letërsisë botërore, do të vonojë jo vite, por dhjetëvjeçarë dhe nuk do të jetë, edhe në u bëftë ndonjëherë realitet, veçse arritje e zellit vetjak të atij që do t’i përkthejë pa mbajtur fare parasysh masën e shpërblimit, këtë zot të shëmtuar të kohëve tona.

Meritat e përkthimit në gjuhën dhe kulturën shqipe

Përkundër këtij zhvlerësimi, që vazhdon të shfaqet edhe në kohën tonë dhe që dëshmon për mosçiltërsinë e qarjeve për përkthyesit e përndjekur, përkthimi ynë, përkthimi i një vendi të vogël, i cili e ka përpjesëtimisht më të nevojshëm se mjaft vende të tjera më të mëdha vjeljen e kulturës së krijuar jashtë, ka disa merita të mëdha kulturore, të cilat jo vetëm nuk janë qëmtuar e analizuar me seriozitet, por as nuk janë formuluar në mënyrë të qartë e pa atë ngurrimin shpirtvogël e smirak deri në turp – të lirë në miell për shumë vlera të rreme e të shtrenjtë në krunde për ato pak vlera të mirëfillta – se mos kësisoj do t’u thuren lëvdata të tepruara përkthyesve.

Së pari, përkthimi shqip ka qenë një fushë e madhe e zhvillimit të gjuhës shqipe jo vetëm për shkak të vetë përmasës së letërsisë së përkthyer, por edhe të nivelit përgjithësisht të lartë të përgatitjes gjuhësore të autorëve të përkthimeve. Në këtë drejtim krijimet cilësore, të tilla si ato të Dh. Paskos, S. Cacit, P. Gjeçit, P. Zhejit, B. Dokos, R. Shvarcit, si dhe të ekipit përgjithësisht e tejet padrejtësisht të harruar të përkthyesve të librit politik e filozofik me intelektualë seriozë si S. Leka, M. Qirici etj., qëndronin në një nivel me veprat më të njohura të letërsisë sonë, madje shpeshherë mjaft më lart se këto. Ky ndikim i përkthimeve në gjuhën shqipe ka qenë si në fjalëformim, ashtu edhe në sintaksë e stilistikë.

Së dyti, përkthimi ndikoi në mjeshtërinë artistike të krijuesve të letërsisë sonë. Veprat e huaja, në rastet kur ato kanë pasur një cilësi të lartë artistike dhe janë përkthyer me nivelin përkatës, kanë ushtruar ndikim të shëndetshëm jo vetëm mbi lexuesit gjithnjë e më të shumtë (kjo falë tirazheve të larta jo vetëm për atë kohë, por edhe për sot si dhe falë çmimeve vërtet popullore) dhe natyrisht, mbi krijuesit e rinj, por edhe mbi krijuesit e njohur të vendit. Të shumtë kanë qenë ata që dinin përmendësh vargje të tërë nga tragjeditë e Shekspirit, nga vjershat dhe poemat e poetëve të njohur frëngj, gjermanë, anglezë, rusë, italianë etj. Nuk mund të vërë askush në dyshim se zhvillimi i të gjitha gjinive dhe llojeve të letërsisë (prozë e poezi, tregim, roman, dramë, komedi, vjershë a poemë) erdhi edhe nga fakti që të tillë shtrirje gjinore patën edhe veprat e përkthyera.

Së treti, përkthimi, për shkak të përmbajtjes ideore dhe thurimës logjike të veprave të përkthyera, ka ndikuar në fuqizimin e sistemit logjik të mendimit në gjuhën shqipe, në aftësimin tonë për të shprehur pikëpamje dhe gjykime të ndërlikuara e me një nivel të lartë abstragimi. Veçanërisht e lartë ka qenë vështirësia dhe e konsiderueshme vlera logjiko-gjuhësore e përkthimit të veprave nga fusha e kritikës letrare dhe estetikës sikurse dhe e veprave të mirëfillta filozofike, ekonomike, politike të Marksit, Engelsit, Leninit etj. si “Ideologjia gjermane”, “Familja e shenjtë ose kritika e kritikës kritike”, “Anti-Dyringu”, “Dialektika e natyrës”, “Kapitali”, “Materializmi dhe empiriokriticizmi”, “Fletoret filozofike” etj. etj. Ai nivel përkthimi, i arritur ndër të tjera falë organizimit të atëhershëm të punës përkthimore e redaktimore – diçka e papërfytyrueshme në kohën tonë, dorështrënguar kur është fjala për kulturën e mirëfilltë, përbën diçka të pakapërcyer edhe sot e kësaj dite, ndërsa studimi i ndikimit të tij në gjuhën shqipe do të duhej të ishte një detyrë parësore e gjuhësisë sonë.

*  *  *

Në dritën e këtyre të dhënave tingëllojnë më së paku të papjekura e fëmijërisht kryelarta mendimet e shprehura aty-këtu nga ndokush për një marrje në patronazh (domethënë nën sqetull) të përkthimit dhe një licencim të tij nga një grup njerëzish të vetëzgjedhur dhe të vetëvlerësuar, si mënyra e vetme për rritjen e cilësisë së përkthimeve tona. Po kështu duket jorealiste, jo e mbështetur me këmbët në tokë, ideja e përgatitjes së përkthyesve të rinj brenda strukturave të sistemit të lartë arsimor.

Jo se formimi i përkthyesve të rinj është një proces i vetvetishëm, i çorganizuar dhe tërësisht vetjak, por nuk mund të kryhet brenda një a dy vjetësh dhe as brenda një kuadri të kufizuar disiplinash mësimore. Ai është një proces i gjatë dhe i ndërlikuar teoriko-praktik, që nuk mund të përfytyrohet si i ngjashëm me formimin e një profesionisti të sferës së prodhimit.

Formimi i atij që do të përkthejë vepra të artit, të shkencës e të politikës, vepra në prozë e poezi, vepra dramatike e filmike, nuk mund të kuptohet pa arsimimin serioz filologjik (domethënë gramatikën, stilistikën, prozodinë, metrikën, letërsinë, teknikën e krijimit dhe përkthimin), pa edukimin e mirë kulturor (jo vetëm si dije, si informacion të shumanshëm, por edhe e sidomos si sistem filozofik, pra, botëkuptimor, dhe si sistem logjik), pa edukimin shpirtëror ose të ndjenjave (me zhvillimin e ndjeshmërisë përmes njohurive në psikologji, estetikë, muzikë, pikturë dhe skulpturë) dhe, së fundi, por që është e para për nga rëndësia, pa një edukatë të shëndoshë qytetare, domethënë pa kultivimin e ndjenjës së qytetarisë dhe bindjeve qytetare, para së gjithash të atdhedashurisë dhe të njeridashjes.

Në një shoqëri me të vërtetë demokratike këto do të ishin kërkesa të formimit të çdo qytetari. Por për përkthimin ato janë të domosdoshme, pasi përkthyesit gjatë veprimtarisë së tij i takon të ndeshet me vlera nga më të larmishmet kulturore dhe ai nuk mund t’u shmanget atyre me shpresën vjedhacake se nuk do të kapet në gabim, sikurse ka ndodhur shpesh edhe me disa që mbahen për përkthyes me përvojë dhe marrin poza akademike e ligjërojnë ex cathedra, ndonëse nuk e dinë ç’është në të vërtetë procesi mësimor, ç’përgjegjësi e madhe qytetare është të dalësh përpara një shumësie dëgjuesish.

Dhe a mund të mendohet që veti e vlera të tilla të jepen me një a dy vjet shkollë apo nga një a dy të ashtuquajtura talente të përkthimit të sotëm? Në rastin më të mirë kjo do të ishte mendjelehtësi dhe, siç dihet, mendjelehtësia ka qenë kurdoherë shok i pandarë i mendjemadhësisë. Jeta ka treguar që përkthyesit vërtet të zot kanë qenë njerëz me besim në aftësitë e tyre, por vetëbesimi i tyre nuk ishte mendjemadhësi.

Po ç’mund dhe ç’do të duhej të bënte shoqëria për përkthimin?

Mendoj se shoqëria jonë, në radhë të parë shteti, do të duhej të mbronte pastërtinë dhe zhvillimin e shëndetshëm, domethënë në përputhje me ligjësitë e brendshme, të gjuhës shqipe. Asnjë të ardhme nuk mund të ketë jo më përkthimi, por as arsimi dhe, për rrjedhojë, formimi qytetar i shqiptarëve pa mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës sonë zyrtare. Kjo është detyrë e shenjtë përpara vetë historisë së kombit tonë.

Dhe, nëse duam të jemi të sinqertë, domethënë, nëse duam ta shohim të vërtetën në sy, mund dhe duhet të pohojmë se mbrojtja e shqipes është sot më poshtë e më keq se mbrojtja e ligjit, e shëndetit, e mjedisit e kështu me radhë. Kjo për arsyen e thjeshtë se gjuha është një mekanizëm pa forcë të menjëhershme kundërvepruese. Në rrugë, pakujdesia shoqërohet me humbjen e jetës. Po kështu edhe në fushën e shëndetit, të mjedisit, të mbrojtjes etj. etj. Gjuha nuk ka të tilla kundërmasa të skajshme. Ndaj edhe është aktualisht hirushja e jetës së shqiptarëve, duke filluar nga politikanët dhe të ashtuquajturit intelektualë të të gjitha profileve. Mjafton të dëgjosh si flasin mjekët, artistët dhe shkrimtarët, për të mos u ndalur te deputetët. Duket sikur të gjitha këto kategori bëjnë garë kush e kush të përdorë më shumë në të folur e në të shkruar fjalë dhe ndërtime të huaja. A thua se u vjen turp të flasin shqipe të pastër, se u vjen turp që janë shqiptarë! Në të vërtetë ata që flasin kështu nuk e njohin shqipen dhe – gjë shumë e mundur – nuk e duan atë.

E dyta që shoqëria mund të bëjë për përkthimin është të ligjërojë të drejtën e autorësisë së përkthyesit për përkthimin e kryer prej tij. Në fund të fundit, kur ne lexojmë “Hamletin”, nuk lexojmë origjinalin, pra, drejtpërdrejt Shekspirin, por variantin e tij shqip të krijuar nga fillimi deri në fund, me të gjitha vlerat dhe të metat, nga mendja e Fan Nolit. Si mund të kapërcehet, domethënë të mohohet një fakt i tillë? Këtë mund ta bëjë vetëm padija ose mosmirënjohja (ose edhe të dyja bashkë).

Në konventën e Bernës të vitit 1886 u pranua e drejta e përkthyesit për të pasur titullin e autorit për punët përkthimore të kryera prej tij. Në vitin 1908 në Berlin kjo konventë e rishikoi me themel këtë çështje dhe në paragrafin 2 të nenit 2 përcakton të drejtën morale e juridike të përkthyesit si autor: “Mbrohen si vepra origjinale, pa paragjykuar të drejtat e autorit të veprës origjinale, përkthimet... (etj.etj.)”.

Pa këto dy masa ne do të vazhdojmë të ushqejmë mungesën e qytetarisë, me të gjitha pasojat e këqija dhe afatgjata që kjo sjell me vete, dhe do të vazhdojmë të ushqehemi në një masë të madhe me përkthim-tradhtira, shkurt, me kundërkulturë.

Autori: Përkthyes

KERKO

Copyright © 2024 FENIXPOST, developed by AgoràFutura.Net - All rights reserved.

Search