- Kritiku letrar amerikan rrëfen dashuri dhe urrejtje dhe sfidon lobet universitare.
- Ankesa e Bloom-it: është një Nobel për idiotë
- Le Clezio i palexueshem. Lessing? Ka shkruar vetëm një libër. Pëlqej Cormac McCarthy-n. Salinger do të harrohet
“Një vit më parë rrashë duke thyer gjithë vertebrat e shpinës. Doktorët ma hoqën fillin, por ja ku jam”.
Sytë e ylbertë të Harold Bloom-it janë plot trishtim të përzier me turp ndërsa kërkon të justifikojë atë bastun, tashmë të pandashëm, pas të cilit varet për të mbajtur peshën e viteve dhe halleve të një trupi që nuk ndalet së ndjekuri ritmet e papërmbajtura të mendjes së tij të jashtëzakonshme.
“Gjëja që më ka mbetur më shumë peng është se s’mund të udhëtoj”,shpjegon autori i të famshmit Kanuni Perendimor, Ankthit të Ndikimit dhe nja 30 librave të tjerë që kanë përmbysur historinë e kritikës letrare botërore.
“Do të desha shumë të rishihja Bolonjën dhe Barcelonën, dy nga qytetet e mia më të pëlqyera, por po të merrja avionin do të vdisja në fluturim. Duhej të dëgjoja gruan e të kujdesesha për veten në të ri. Kam bërë jetë të çrregullt, me pije e cigare, duke lënë pas dore ushtrimin fizik”.
Edhe tani 78-vjeçari Bloom nuk heq dorë nga ndonjë gotë me Sherry, ndërsa flet. Vazhdon sin ë kohët e vjetra, kur mjaftonte një recension i tij për të krijuar apo shkatërruar një karrierë..Enciklopeditë e përshkruajnë si “ kritiku letrar amerikan më me influencë”. “ Vezullimi i kulturës perëndimore”, që në epokën e internetit këmbëngul të shkruajë me stilograf. “Por mendja ime është më e zgjuar se kurrë, falë geneve.Prindërit e mi ishin hebrenj shumë të varfër, gjysmëanalfabetë, që vinin nga Evropa lindore. Por kam pasur paraardhës që studjonin Talmudin: një disiplinë që kërkon një kujtese të hatashme”.
Si ajo e tija, aq legjendare sa M.H Adams, studjuesi i famshëm i romanticizmit, tutor i tij e përcaktoi si “studenti më i aftë që ka pasur ndonjëherë”, dhe “ i vetmi i zoti të lexonte një libër me të njëjtën shpejtësi që shfletohet”.
Kultura e tij enciklopedike?
“ E dores së parë. Gjithmonë kam parapëlqyer gjuhën origjinale ndaj përkthimeve. Lexoj në greqisht dhe hebraisht- antike dhe moderne- latinisht, jidish (hebrahishtja e Gjermanise dhe Evropes lindore) anglisht, frëngjisht, spanjisht, gjermanisht, portugalisht dhe italisht”. Italia për Bloom-in mbetet një nga djepat letrarë më jetësorë. “Jo vetëm Dante,Petrarka dhe Bokaçio- shpjegon-.Po Manzoni, një nga romancierët më të mëdhenj të botës. Pirandelo, më inovativ se Çehovi dhe Beketi. Kampana, që mund të bëhej Walt Whitman-i italian po të mos kish vdekur aq i ri. Dhe pastaj madhështori Leopardi, një poet i një niveli të veçantë”.
Të nesërmen e daljes së Kanunit Perëndimor, të përkthyer ne 45 gjuhë, midis të tjerave edhe ne shqip, Bloom u bë ikona kulturore për miliona të rinj në të gjithë botën. “ Më bombardojnë me telefonata dhe e-mail. Më konsiderojnë si far të tyre, më përgjërohen të zbres prapë në mejdan. Po unë i bëra gjithë betejat e mia,atë që kisha për të thënë e thashë: nëse një punë nuk e ka më shkëlqimin e saj estetik, fuqinë e saj zhbiruese dhe origjinalitetin autentik, nuk ia vlen t’a lexosh. Letërsia është një festë individuale dhe nuk duhet të ketë asnjë vlerë revanshi socio-politik. I kam shpallur luftë tezave feministe, marksiste,dhe port-strukturaliste që prej vitesh kanë pushtuar universitetet, dhe jo vetëm në Amerikë.
Fillimi i fundit për Bloom ka qënë ’68: “ Ka shkatërruar estetikën, duke ndërkallur një kundërkulturë false politikisht korrekte në bazë të së cilës mjafton të jesh një lesbike eskimeze për të vlejtur më shumë se një shkrimtar”.
Ndërsa pjesa tjetër e kritikëve i hidhte në plehra si “elitarë dhe jopërfaqësues të kulturave të tjera”, Bloom i ka ringjallur “ meshkujt evropianë të bardhë e të varrosur”. Duke u përballur kështu edhe me akuzën për racizëm, elitizëm dhe seksizëm. “Autorët e mi të parapëlqyer mbeten Dante, Shekspir, Servantes, Folkner, Homer, Prust dhe ëilde-pohon me ton sfidues- sepse e zgjerojnë ndërgjegjen tonë pa e deformuar.Dhe prekin individin pa pretendime për të ndryshuar botën”.
Kryqëzatat e tij anti Nobel janë të mirënjohura.
“Ia kanë dhënë çdo idioti të kategorisë së pestë- ankohet-, nga Doris Lessing, që ka shkruar vetëm një libër të pëlqyeshëm nja 40 vjet më parë, dhe sot firmos fantashkencë feministe, tek Le Clezio, i palexueshëm, tek Dario Fo, thjesht qesharak. Qoftë edhe Toni Morrison s’do të ishte e denjë për çmimin. “ Jemi miq të vjetër,por tani shkruan vetëm fiction për supermerkate”.Megjithatë në epokën e Obamës është e kuptueshme të thuash se ngjyra, orientimi seksual apo etnia e një shkrimtari kanë rëndësi”. Nobelistët e fundit që e meritojnë?
“Harold Pinter, një zë autentik, edhe pse dishepull i Beketit. Dhe Jose Saramago, me të cilin jam grindur sepse është stalinist dhe e përzunë nga Israeli se ai e akuzonte për një Aushvic të ri në Gaza”.
Midis bashkëkohësve Bloom urren J.K.Roëling, Stephen King dhe Adrienne Rich (plehra) dhe pëlqen Cormac McCarthy-n. (“Meridiani i Gjakut është një libër i jashtëzakonshëm), Philip Roth (“Pastorale Amerikane dhe Teatri i Sabbath janë kryevepra”) Thomas Pynchon (“Magjia e lotit 49, është i përjetshëm”) dhe Don Delillo është i shkëlqyer”. Më i vakët kundrejt Salinger: “ I riu Holden vazhdon të mallëngjeje,por pas 30 vjetësh do të jetë jashtë mode”.
Shumë i ashpër?
“Kritika letrare nuk mund të jetë jopersonale”, kundërpërgjigjet. “ Në të kundërt të T.S. Eliotit, mendoj se duhet të jetë personale, e apasionuar dhe e thellë. Por të shoqërohesh me autorët që trajton është gabim. Më mirë t’i njohësh nga veprat e tyre”.
“Po të mos flasim ne keq për të vdekurit, kush do ta bëjë?”.shton me një buzëqeshje dinake, duke kaluar nëpër duar disa autorë të mëdhenj të vdekur rishtazi. “ Belloë një i çmëndur i vërtetë, njeri në shumë anë i pamundur”.
Midis fansave të tij numëron edhe Papa Vojtilën. “ Miq të përbashkët më kanë thënë se i kishte lexuar dhe vlerësuar gjithë librat e mi dhe më kishte ofruar nj udiencë po të vija në Romë. Refuzova”.
Shkaku nuk ishte i natyrës personale.
Raporti yt me Zotin?
“Nuk mund të kuptoj një Zot të fuqishëm dhe të plotarsyeshëm që ka lejuar Aushvicin dhe skizofreninë”, përgjigjet Bloom, djali i madh i të cilit është prekur nga një formë e rëndë skizofrenie që nga lindja.