Nga Miranda Haxhia
"Kurva"
Nuk shikonin lulet e mëpastaj kokrrat e shijshme të manaferrave, por, harronin këmbët në baltë, ngrinin kokën dhe psherëtinin: “Kurva e dreqit!...Sa e mirë që është! Mos vdeksha pa ia këputur cicat, siç këpus bishtat e cingarit…”
Ajo kokën lart, fustani i hapur si dekolteja e Kareninës, këpucët i mbante në dorë, me dorën tjetër ngrinte palën e fustanit që të mos ia rrëmbente balta, flokët si shtëllunga resh deri në fund të brinjës, buzët plot mish e me ca të plasaritura të ëmbla… e mbi të gjitha… qimet e vetullave të hequra. Kjo e fundit i vinte kapakun fjalës ‘Kurvë’ Nuk ishte parë që një çupë e pamartuar të hiqte vetullat.
I pëlqente të dilte mbrëmjeve dhe të shëtiste në rrugën e shtrembër të katundit. Shkonte të blinte bukë te furra e bukës, kthehej ngadalë, sytë gjysmë të perënduar dhe një buzëqeshje që rrallë i hiqej nga fytyra. Isha e vogël dhe besoj se për këto gjëra e quanin ‘kurvë’ Mjafton. Mjafto nuk ishte e dashuruar. Thoshin që ia kishte marrë zemrën një djalë që kishte ardhur ushtar në atë cep, por këto ishin fjalë që i nxori Titi, sepse kur ktheheshin nga ugaret, rruga kalonte nga gardhi i repartit, e sapo kalonte Mjafto, dikush këndonte përmatanë: ‘O do të marr moj xixëllonjë,/ rrugën natën ta shikonj/ ta shikonj e të rrëxonem/ o do të marr e të martonem…
Titi ia tha Bekut, pastaj lajmi mori dhenë. Po ‘Kurvë’ prej vërteti u bë kur ia ndezi në shpullë atij mësuesit të fshatit që e ftoi në takim me prindër, gjasme për kushëririn e saj.
Dhe Mjafto ecte me këtë fjalë që e ndiqte nga pas, megjithëse ajo nuk besoj se e dinte, derisa ia tha një mbrëmje i ati. “Shtrigë, do të të mbyll në katua. Po më nxjerr bojën… Do të të martoj me të parin që do të të kërkojë… do të të nxjerr nga dera e pasme…”
Mjafto ishte fati i Vikushit. E fejoi i ati pa e pyetur. Vikushi ishte një burrë si i rritur me zor, gjysma e trupit i anonte, një dorë kishte harruar të rritej. Dhe me Mjafton qenë si tërfili me selvinë. Vikushi na qëlloi burrë i urtë. Një natë para se të fillonte dasma, ai i dërgoi fjalë të dilte te pusi i Nuses. “Shiko, Mjafto, unë do të mbaj, por më thuaj…. Jo për gjë, por … ta di...” “Çfarë?” “Shiko si bën… sikur nuk e di… ja… e shikon pusin? Në fillim nuk ishte pus. Por u bë pus…” Mjafto me sytë gjysmë të perënduar dhe vetullat e holla, e shikonte Vikushin nga lart poshtë. Qeshi. “Po, Vikush. Po ta them…” “Hë, ma thuaj…” “Ta thashë, pra… jam kurvë… Mos u marto me mua…” “Jo, jo” shtrembërohej Vikushi. “Unë do martohem me ty, por dua që ta di. Se nuk e kuptoj… Do ta kujtoj çdo natë... se unë të dua, Mjafo... Por nuk di të bëj dashuri...Do më mësosh ti, se ti je... ashtu... si... ti je kurvë.”
U ndanë të pakuptuar. Të nesërmen e dasmës, kur gratë qenë mbledhur te pusi të mbushnin shtambat e kovat, në fundin e tij, shndriste fytyra e fjetur e Mjaftos.
E nxorën Mjafton, e pa doktori. Ishte e virgjër. E tha tre herë me zë të lartë ai burrë i vjetër që vinte njëherë në javë nga qyteti: “Mjafto ishte e virgjër, o njerëz. E mbytët me zor!”
Ajo kënga e ushtarit që zgjatej sikur të mos kishte fund kur kalonte Mjafto, perëndoi përgjithmonë.
Vikushi, pak si i hutuar, llogariste sa muaj do shtynte me mishin e dasmës. Meqë nuk kishte frigorifer asaj kohe, e futi në lëkurën e bagëtive, e lidhi fort, pastaj e hodhi në fund të pusit. ‘Kot u shtyra në atë martesë’ mendoi. ‘Ajo kurvë që kurvë ishte.’
“Hë o Vikush, as pus nuk dite të hapje?” e tallnin burrat me këmbët e zhytura në baltë. “Ta mblodhi kurva!”
‘Po mirë, pot ë ishte kurvë, pse do ta donte ai ushtari Mjafton?’ me këtë pyetje u plak e u bë si kërcu Vikushi, shkurtohej nje ane e supit, anohej tjetri, por përgjigjen e saktë nuk e mori dot vesh kurrë, derisa vdiq.
Thonë që edhe kur vdiq, ‘Kurva! Ah Kurva!’ psherëtinte.