clear

ISH-SHËRBËTORËT E DIKTATURËS JANË LARG NGA KATARSA

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

aeba7b38690b2c9b33af36c7880cc765 XLThanas L. Gjika

ISH-SHËRBËTORËT E DIKTATURES JANË LARG NGA KATARSA

(Përgjigje z-injve S. Braho e E. Caja

ndaj sulmeve kundër personaliteteve V. Zhiti e A. Tufa)

Në gazetën “Dita” gjatë javës së parë të prillit u botuan dy shkrime që ngjallën shumë komente. Në njërin, z. Spartak Braho, deputeti aktual i Partisë Socialiste, ish prokuror në kohën e diktaturës komuniste, sulmoi z. Agron Tufa, drejtor aktual i “Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit”. Madje kërkoi mbylljen e këtij institutit dhe pushimin nga puna të drejtorit të tij. Tjetri, z. Edmond Caja, ish-polic në burgun e Qafë Barit e më vonë drejtor i përgjithshëm i burgjeve, sulmoi shkrimtarin e talentuar Visar Zhiti, ish i dënuar i ndërgjegjes në burgjet Saç e Qafë Bar, se në veprat e tij letrare dhe në intervista ka përmendur disa veprime kriminale të z. Caja, për të cilat ky ngul këmbë se nuk janë të vërteta dhe se ai ka bërë mjaft veprime në të mirë të të dënuarve, kurse Visari paska qenë përkrahur se ishte rekrutuar prej Sigurimit në burg. Pra këta ish-shërbëtorë të dikaturës komuniste, si atëhere tentojnë dhe sot të vrasin e plagosin intelektualët e shquar që punojnë e krijojnë për demokracinë e vëtetë, në vend që të kërkojnë të falur për ato që bënë dikur nën diktatin e partisë shtet... 

Thjesht, kuptojmë se edhe pas gati 30 vjet nga dështim-kapitullimi i turpshëm i sistemit të diktaturës së proletariatit shoqëria shqiptare po vjen vërdallë si miza pa kokë dhe nuk do të gjykojë si duhet atë sistem të gabuar. Ka ende njerëz, madje politikanë me pozita si z. Braho dhe të tjerë që kanë kurajon të quajnë të dëmshme punën e vështirë për zbulimin dhe dënimin e krimeve të komunizmit. Kurse z. Caja, që jeton në emigracion në botën e lirë prej shumë vitesh, vijon justifikojë shërbimet që i bëri atij regjimi. Të tillë njerëz i quajnë gjë normale dënimet që u jepeshin njerëzve për disa fjalë ose poezi, ata kërkojnë si dikur që njerëzit të heshtin ndaj së keqes që u bëhej në jetën e përditëshme e sidomos nëpër burgje, në vend që ta denoncojnë të keqen që kryen ata vetë ose kolegët e tyre.

Për të ecur drejt shpëlarjes dhe çlirimit nga mendesia komuniste duhet që secili prej nesh, bashkë me zotërinjtë Braho, Caja e komentatorët që i mbrojnë, të reflektojmë dhe të kuptojmë se cilit proces i kemi shërbyer: thellimit të luftës së klasave dhe izolimit të Shqipërisë, apo kemi ndihmuar për ecjen drejt lirisë duke u ndënjur larg këtyre kërkesave themelore të partisë shtet. Një analizë e sinqertë e bëmave tona, ose të prindërve tanë të asaj kohe do të na ndihmojë të ecim përpara si shoqëri dhe ta dënojmë veten për gabimet e krimet që bëmë me dashje ose pa dashje, të shtyrë nga frika, nga dëshira për karierë, etj.

Shkrimtari i talentuar Visar Zhiti, i cili për disa poezi jo konformiste u dënua dhe kaloi 10 vjet në burgjet Spaç e Qafë Bar, ka përshkruar përveç punës së mundimshme dhe sjelljes së ashpër të rojeve e policëve edhe gjendjen e rrethimit fizik dhe shpirtëtor të të burgosurve, duke aluduar për nëntë rrathët e Ferrit imagjinar të Dante Aligerit:

Rrethorja e parë e dukshme, e madhe e atij lumi-ferr, dallgët e tij të ngrira janë telat e lartë me gjemba...

Rrethorja e dytë... është e gjallë... Janë ushtarët e armatosur nëpër ato kullat e drunjta me automatikët në krahë, gati për zjarr.

Stiksi prej ujrash të tij ose antikënga e tretë. Lumi malor që rrjedh poshtë dhe përrenjtë e çartallosur që dalin nga galeritë.

  Malet. Ç' pengesë rraskapitëse. Të ndjekin hap pas hapi policët dhe qentë.

Populli. Po, po, populli im është rrethim edhe ky, rrethim gjallesash. Të ndalon populli, s'të lë, të kap... ah! S' bën dot populli pa perënditë dhe sa më të rreme qofshin, aq më shumë u bindet...

Rrethimi i gjashtë, ose rrethi i gjashtë, a kreu i gjashtë i poemës. i vdekur si rrethimi i parë me tel me gjëmba. Rreth i madh sa gjithë vendi... një vijë gjaku. Kufiri i Republikës.

Rrethimi i shtatë është prej letre, mallkim... janë marrëveshjet shtetërore me vendet fqinjë. Ti arratisesh, ata të kthejnë.

Rrethi tjetër e tejkalon të parin, telin me gjëmba, është puna raskapitëse në galeri dhe uria nga ushqimi minimal. S' ke fuqi për asgjë.

Rrethimi i pashikueshëm. Frika. Eshtë rrethim abstrakt, i asgjëkundshëm dhe i kudondodhur. Eshtë frika, për të cilën investohet aqe shumë, madje dhe importohet. Frikë nga e panjohura, nga e shkuara, nga e ardhmja, nga e tashmja, nga tjetri, nga puna, sa e rëndë, nga libri i ndaluar, nga burgu, nga arratia dhe së fundi frikë nga vetja, nga mendimet e tua... E mbajmë vetë ne burgun tonë, duke u nënshtruar, duke i bërë keq njëri tjetrit. Frika i mban banditët shtetërorë, i bashkon dhe i bën të fortë, vigjilentë.

Lumi i frikës vjen rrotull nesh nëntë herë, gjithë jetën. Ai është gjithërrethuesi.

Më i fortë se diktatura është miti i saj.

Këto rreshta tingëllojnë si vargje poetike, ku tipizohet në gjerësi e thellësi jeta shqiptare nën diktaturën komuniste për të burgosurit me nëntë rrathë të ferrit shqiptar, por dhe për vetë popullin, i cili jetonte gjithashtu i rrethuar prej disa rrathësh të të njëjtit ferr...

Pikërisht ngritjen në art të gjendjes së të burgosurve dhe të mbarë popullit shqiptar nën diktaurën komuniste nuk ua falin shumica e ish-shërbëtorëve të atij sistemi, të cilët herë pas here e sulmojnë Visar Zhitin në vend që ta përgëzojnë e t'i kërkojnë të falur atij dhe gjithë të dënuarve të ndërgjegjes që vuajtën burgjet e rënda të atij sistemi.

Edhe personalitetin tjetër, shkrimtarin dhe analistin e talentuar, z. Agron Tufa, i cili po bën një punë shumë të vështirë për njohjen e së vërtetës së asaj kohe, e sulmojnë ish-shërbëtorët e atij regjimi të gabuar, madje dhe e kanë kërcënuar.   

Zotërinjve Spartak Braho dhe Edmond Caja, dua t'ju them se shoqëria jonë nuk mund të ecë përpara po të mos kryejë dënimin e krimeve të komunizmit. Dhe krim i kohës së diktaturës komuniste kanë qenë të gjitha punët që ndihmonin partinë shtet per ta shtrënguar lakun e rrethimit, për ta forcuar luftën e klasave, për ta varfëruar popullin duke shpallur kulak fshatarin më punëtor, duke prishur kisha e xhamia dhe duke dënuar priftërinj e hoxhallarë e besimtarë të pafajshëm, duke ia hequr fshatarit lopën, derrin, pulën nga shtëpia, si urdhëronte partia shtet, për ta varfëruar sa më shumë që të nënshtrohej më kollaj.

Edhe nëse ish-shërbëtorë të atij regjimi si ish-prokurori S. Braho e ish-polici e ish-drejtori i burgut të Qafë Barit E. Caja nuk duan të evoluojnë dhe të dënojnë bëmat e tyre të asaj kohe, do të vijë dita kur gjyqtarë të kualifikuar si dhe bijtë e nipërit e tyre të kthjelluar do të dijnë t'i dënojnë jo vetëm për pjesëmarrje në krimet dhe për justifikimet që u bëjnë atyre krimeve, por edhe për mosdënimin e krimeve dhe terrorit që panë me sytë e tyre gjatë shërbimit të devotshëm ndaj diktaturës. Këtë besim e kanë shprehur analistët Astrit Lulushi e Spartak Ngjela, si dhe Prof. Sami Repishti. Ky i funit shkroi për gjyqin që iu bë nazistit 93-vjeçar Oskar Gruening, i cili kishte punuar si llogaritar në kampin e Aushvicit (Auschwitz) më 1944. Ky nazist plak u dënua si pjesëmarrës në vrasje, sepse gjatë jetës së tij nga viti 1944 deri në ditën e gjyqit, nuk shprehu kurrë pendesë dhe dënim të krimit, por e justifikoi me fjalët ashtu ishte jeta në kampet e Nazizmit. Pra u dënua për mosdëshmimin e krimit që pa me sytë e tij edhe pse nuk kishte marrë pjesë vetë në shfarrosjen e viktimave. Këtë ai e bëri nga turpi, nga pesha e fajit, nga frika e dënimit, sqaron Repishti (Illyria, N.Y 10 prill 2015).

Dënimi i nazistit 93-vjeçar Oskar Gruening tregon se dënimi i krimeve të komunizmit, ndonëse po vonohet, nuk do të lihet pa u kryer, sepse ky proces është pjesë e katarsës dhe e ecjes së shoqërisë sonë drejt Europës së Bashkuar. Justifikimet e z. E. Caja dhe sulmet e z. S. Braja tregojnë se këta janë ende në ujrat e mendësisë komuniste dhe nuk kanë punuar për ndërgjegjësimin e tyre si qytetarë europianë, por vuajnë nga nostalgjia për regjimin diktatorial që u kishte dhënë koburen në brez dhe shkopin e dënimit në duar...

KERKO

Copyright © 2024 FENIXPOST, developed by AgoràFutura.Net - All rights reserved.

Search