clear

J'accuse

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

Esse/ Objekt: Letër Akuzë

Në një formë shumë interesante, që të kujton letrën e hapur të Emil Zola J’accuse, një autore që jeton prej vitesh jashtë vendit, ka zgjedhur ta përcjellë kështu emocionin e saj. Në respekt të zgjedhjes së saj, po i ruajmë anonimatin… 

I nderuar zoti President,
I nderuar zoti Kryetar i Parlamentit
I nderuar zoti Kryeministër
I nderuar zoti Deputet
I nderuar zoti Kryetar Partie
I nderuar Pushtetar

Objekt: Letër Akuzë

Më lejoni të nderuar të lart përmendur t’ju marrë pak kohë nga koha juaj e çmuar për të zgjidhur problemet e shtetit, problemet e popullit, problemet e përditshme pa të cilat ne nuk mund të zgjohemi optimist e nuk mund të flemë paqësor.
Vij nga një familje ku besoj se ngjashmëria me të tjera nuk është e pakët. Im atë ushtarak I dalë në pension dhe invalid. Shteti për 35 vite pune dhe invaliditetin e tij e shpërblen me një rrogë që ju të lartë-nderuar ua lini bakshish kameriereve kur ju shërbejnë në lokale luksi për dëshirën që ju ngjallin rrumbullakësitë e tyre.
Nëna infermiere në pension, gjithë jetës u shërbeu me qindra e mijëra pacientëve, juve dhe familjarëve tuaj, ndërsa tani si shpërblim kur shkon dyerve të spitalit duhet të paguajë çka I mbetet nga faturat e muajit.
Unë kam mbaruar studimet e larta me medalje ari dhe certifikatat e arritjeve të mia, prindërit e mi i kanë vendosur me korniza në dhomën e gjumit ku përpiqen të flenë me ëndrra për të ardhmen time.

Të nderuar të sipërpermendur, bashkangjitur në këtë letër ju do të gjeni dhe foton e një kufome fëmije. Është fëmija që nuk munda të sillja dot në jetë të gjallë sepse Zoti i ndëshkon mëkatarët. Është fëmija që e lotova nëntë muaj netëve e ditëve duke mallkuar veten përse nuk isha burrë si ju ndoshta jo, por të paktën të mos lejoja askënd të më përdhoste trupin.
Ky fëmijë që nuk e pa dritën e diellit është vula e turpit tuaj; e kryetarit të Partisë që më priti me buzëqeshje duke më shtrënguar pas vetes si të më kishte motrën e vet, por motra nuk dhunohet zoti Kryetar duke e puthur me zor.

 

Ai fëmi është I yti zoti deputet që kërkon takime zyrave natën dhe zotohesh se sapo të takohemi dy a tre herë unë do ta kem një vend pune pranë jush për të më shfrytëzuar ende derisa një tjetër viktimë do të trokasë në derë.
Ky fëmijë është I juaji kryetar I Parlamentit, zoti Kryeministër, zoti President, zoti Pushtetar. Ky fëmijë-kufomë është turpi I një sistemi që çdo ditë përdhunon të drejtat e një studenteje që përvojë ka vetëm librat, është I një gruaje që për të rritur fëmijët me dinjitet duhet të shkurtojë fundin e të shkopsiti bluzën për t’ju bërë qejfin ju, që gdhini fukarenj e ngryseni miliardierë.

Unë ju akuzoj ju, “baballarë” të këtij kombi, të kësaj fëmije që dergjet në një arkivol dhuratë dyerve të politikës suaj.
Unë ju akuzoj ju, si një vajzë e përdhunuar që nuk guxoi të shkelë dyerve të drejtësisë se drejtësia jeni ju e unë jam thjesht ajo që refuzoi të bëhej lodra juaj.
Por çdo gjë e ka një çmim, fatkeqësisht jo për ju. Është çmimi i heshtjes së dhjetëra grave që varrosin shpirtin, trupin dhe ëndrrat e tyre për së gjalli. Ironi e fatit! Të parët që ngrenë gishtin e ngërdheshen jeni ju dhe zonjat tuaja të nderuara në krahë, të cilat dashurohen me markat, me milionat që burrat u sjellin duke shkelur mbi vuajtjen.
Jo zonja, atyre grave që burrat tuaj u mbyllin derën e zyrës duke u premtuar se do t’u hapin të tjera dyer po të heshtin për përdhosjen, nuk kanë fuqi as të këlthasin se sërish turpi mbi to do të bjerë.
Jo zonja të nderuara ato nuk janë të përdala, por janë zotërinjtë tuaj që I përdorin dhe i flakin kur të tjera u trokasin në derë për të kërkuar të drejtën që u takon…
Merreni këtë fëmijë zonja të nderuara dhe varroseni me nderet e duhura se është pjellë e politikës suaj, është zëri që duhet t’u prishë të paktën ëndrrat e një nate: “Erdha në këtë botë I vdekur për t’ju sjellë mesazhin të gjallëve”.
Unë ju akuzoj ju, o njerëz që gjetët një fëmijë të hedhur diku dhe iu sulët me mallkime nënës që e flaku. Ai fëmijë është dhimbja e saj që nuk pati guxim t’ua linte në prehër askujt prej jush të nderuar politikanë.
“Fëmija nuk qesh, por vetëm lëngon, e ama s’e don, por vetëm mallkon. Por mjerimi nuk kërkon mëshirë, por don veç të drejtë . Trupi I vocërrakut , është ba nji shtatore e ngurtë e zhgulun nga gjini I nanës. Merreni dhe çonie në qytet këtë shtatore. Vendoseni në nji shesh. Dhe si përmendore kushtojani ndokujt. Kushtonia atij që ka më shumë merita për këtë vend. Po ndoj Ministri, o ndoj Deputeti, o ndokuj tjetër… E në rast se nuk gjeni ndoj njeri që ka merita të mjaftueshme, atëherë kushtonia atij që ka merita ma pak: perëndisë klasike..”
Të nderuar të lartë-përmendur,
Një grua nuk mund të rrojë për t’u shpëtuar nga një burrë për të bërë të njëjtat gabime.

(Zëri I një nëne të përdhunuar nga zyrat e politikës)

M.K

P.S     Publikuar me lejen e autores

KERKO

Copyright © 2024 FENIXPOST, developed by AgoràFutura.Net - All rights reserved.

Search