clear

Kalendar përdhunimi, nga Elona Caslli

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

548a71e2440f2f847118ee8a3744fec9 XLKalendar Përdhunimi

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbarë shoqërinë shqiptare . Një vajzë 13 vjeçare përdhunohet sistematikisht nga 7 djem në qytetin e Kavajës.

Ekzistojnë Kalendarët e Vitit Akademik në një Universitet, për të treguar se kur mbaron një semestër dhe kur fillon një tjetër, kur duhet ta japësh një provim, apo kur duhet ta lësh për vjeshtë një tjetër.

Tragjedia e vajzës, na mësoi se në shoqërinë shqiptare, ekziston edhe një Kalendar Përdhunimi.

Që prej dy muajsh vajza përdhunohej sipas Kalendarit të Përdhunuesit.

Numri i përdhunuesve përkonte me numrin e saktë të ditëve brenda një jave. Shtatë ditë ka java. Shtatë ishin përdhunuesit.
Dita e përdhunimit caktohej vetë nga Përdhunuesi. Kur prindërit e këtij të fundit nuk ishin në shtëpi, kryhej edhe akti i përdhunimit.
Kjo ka qenë dëshmia e Përdhunuesve në Komisariat.

Lind pyetja – Pse vajza iu bind këtij përdhunimi kolektiv?
Fillimisht, kjo vajzë kish patur një marrëdhënie me njërin prej djemve. Pra, kish patur një të dashur. I dashuri i saj, i cili do të shndërrohej më pas në përdhunuesin e saj, kish filmuar një çast intim mes tyre dhe e kërcënonte vajzën se do ta bënte publike videon, në rast se ajo nuk kryente marrëdhënie seksuale me shokët e tij.

E gjendur krejt e vetme përballë një presioni të madh dhe shpurës së përdhunuesve, vajza ka heshtur dhe është ushqyer me vaktin e përdhunimit ditor.

Cila qe ajo mitër që i strehoi dhe i mëkoi me gji këta përdhunues?!
Ç’ninullë u është kënduar netëve të gjata, para se t’i zinte gjumi?!
Lindën përdhunues apo u bënë të tillë?!

Vite më parë, një gazetar i njohur amerikan, do të intervistonte një burrë rreth të dyzetave, i cili kish përdhunuar mbi 200 gra dhe kish vrarë disa prej tyre dhe ishte dënuar me vdekje.
Gazetari e pyeti- Pse e ke bërë të gjithë këtë?!

Në paradhomën e vdekjes , ai burrë dha mesazhin më kuptimplotë universal , i cili thoshte:
-Kur isha adoleshent pasditeve shikoja me orë të tëra video pornografike. Nuk ngopesha duke i parë dhe brenda meje vlonte dëshira, që atë që shihja në video ta bëja në jetë. Ajo periudhë adoleshence përcaktoi fatin tim.
Dhe kështu ndodhi. Pasditeve shihja videot dhe në mbrëmje , natën vonë, peshkoja viktimat e mia. Ishte më e lehtë natën, sepse nuk kishte njerëz. Përdhunimi dhe vrasja kryheshin më lehtë.
Unë pas dy orësh do të vdes dhe nuk kam asgjë për të fshehur. Por, vallë duke më vrarë mua a keni vrarë të gjithë përdhunuesit në botë?!
Në këto çaste që flasim jam i sigurt se qarkullojnë mijëra si unë në botë , të gatshëm për të përdhunuar apo për të vrarë dikë.
Ju po dënoni me vdekje pasojën, ndërkohë që duhet të dënoni me vdekje shkakun.

Nuk e njoh mjedisin ku janë rritur 7 djemtë që kanë përdhunuar atë vajzë, por diçka e di me siguri:
Ata nuk janë shkaku, ata janë pasoja.

Shkaku fillon që nga cilësia e edukimit në bankat e shkollës dhe në familje. Fillon që nga organizimi i aktiviteteve në kohën e lire nga shkolla dhe nga familja dhe së fundmi përfundon në karakterin e secilit prej tyre.

Unë mendoj se një pjesë e adoleshentëve shqiptarë, lëvizin në boshllëk.
Lëvizja në boshllëk është udha që të shpie pashmangshmërisht drejt vesit.

Një fakt tjetër që duhet nënvizuar është fakti që vajza gjatë përdhunimit ditor, e ka vazhduar të përditshmen e saj. Pra, ka vazhduar të shkojë në shkollë.

Si është e mundur që Stafi Pedagogjik nuk ka vënë re një grimë shqetësimi në fytyrën e kësaj vajze?!
Si mundet që një 13 vjeçare të ushqehet me një përdhumin të përditshëm dhe mos të shfaqë asnjë shenjë turbullimi?
Çdo shkollë ka një psikolog. Ku është psikologu në këtë rast?!

Lajmet raportonin se kishin qenë familjarët e vajzës që kishin zbuluar të vërtetën.

Ndërkohë, paradoksi tjetër qëndron në faktin se kjo ngjarje, u denoncua fillimisht nga Ish.Kryeministri Z. Sali Berisha, i cili bazohej në një mesazh dërguar nga një qytetare që jetonte në Kavajë.
Ku është Drejtësia? Ku është Shteti?!

Si ka mundësi që ky fakt të dalë në dritë nga nisma e një qytetareje të thjeshtë pas dy muajsh ?!
Si ka mundësi që autoritetet përkatëse kanë heshtur?
Si ka mundësi që Drejtoresha e Zyrës Arsimore në Kavajë deklaron se nuk ka qenë në dijeni të këtij fakti?!

Përdhunuesit e asaj vajze nuk janë vetëm ata shtatë djem.
Përdhunuesi i asaj vajze është edhe Shteti shqiptar, i cili ka dy muaj që hesht para këtij përdhunimi.
Përdhunuesi i asaj vajze është çdo njeri që hesht dhe përligj këtë ngjarje rrënqethëse.

KERKO

Copyright © 2024 FENIXPOST, developed by AgoràFutura.Net - All rights reserved.

Search