clear

Beratinus, aty ku ëndrrat qenë të bardha

Vleresimi aktual: 5 / 5

Yje aktiveYje aktiveYje aktiveYje aktiveYje aktive
 
75cd11cd8924573260ee8d9e352fa490 XLBERATINUS

fragmente reportazhi...

Heshtja e rrugicës thërriste në kujtesë enigmat e kohëve të shkuara. Barërat dhe lulet e drojtura rrëzës së mureve të bardhë kishin në kujtesë të tyre vetëm zhurma hapash dhe zëra të largët. 
  Një simfoni mallëngjyese që luhej në teatrin e heshtjes. Të kujtonte dallditë e gurëve të bardhë që plasnin nën zheg nga pamundesia për të rrëfyer vetveten.....dhe cdo gjë aty është shenjtëri. 
   Rrëfime, pëshpërima, vështrime të fshehta, kërcitje qeshjesh fëminore, fëshfërima. Ece-jake plakash të moçme që baresin rëndë. Cicërima të hareshme zogjsh të çmendur. Edhe gjurmë puthjesh në ajër. Në atë ajër të pezullt e të afshët aromë jargavani në pritje të hënës tinëzare dhe pas cdo dritareje të rrugicës kishte sy vajzërore që sodisnin fshehtas pas saksive me karafila. Zemra që regetinin pas xhamave. Mërmërima melodish e këngësh që kujtonin jashikët e moçëm lindore. Vargje dashurie që nuk gjenin prehje, që endeshin buzë më buzë e zemër më zemër, që përplaseshin atyre mureve me jehona të pafundme emocionesh.
 
    Të qenit vajzë aty duhet të kishte qenë një mrekulli e dhimbshme. Të qenit djalë....nje pafundesi pritjeje, që hena të binte nga qielli...Parvazet e dritareve shumëngjyronin nga karafilat. Herë-herë pikonin një të kuqe të nxehtë dikur të famshme në shkollën e Onufrit, piktorit më të madh beratas e më tej. Pragjet e portave të mëdha me hark guri jeshilonin anash nga jaseminet e borzilokët. Rrugica ishte një skenë e hijshme dhe e çuditshme ku hynim e dilnim nga shumë porta njëherësh dhe spektatorë ishim po vetë ne. Aty-këtu harliseshin sipër mureve anësorë degë kumbullash e shegësh. Kokrrat e mëdha dhe të kuqe të shegëve në pragvjeshte ishin ledhatim i syve, deri në dehje. Çardakët me radhë saksish me karafila që vaditeshin rishtazi mëngjeseve dhe mbrëmjeve nga duart e njoma të vajzave. Vaditeshin shpesh me mendime, me ndjesi, me denësa pamundësish e pasionesh, që pikonin poshtë pragjeve e gurëve të kalldrëmit.
 
     Një vajzë në një çardak beratas ishte më tepër se një Zhulietë, e cila lindëte e vdiste në të njejtin çast brenda një kënge dashurie. Berati është qyteti i dashurisë dhe i poetëve. Atyre rrugicave këndohej dashuria më tepër se në çdo vend tjetër. Kjo forcë e pamëshirshme e shpirtit që të shkulte mendtë e kokës, aty kultivohej e fisnikërohej deri në palcë. Dhe gjithçka që ndodhte përjetësohej në gur, dhe më tej, në gur të bardhë.Te guri i portave lyer me gëlqere uleshin në muzg plakat. Ato bënin filozofinë e botës. Ishin aty për të thurrur kujtimet e së shkuarës si relike të venitura të një kohe që nuk do të kthehej më. Aty gjithcka ka mbetur e ngrirë, e bardhë, e shkuar. Duhet një e qarë apo e qeshur fëmije të të zgjojë nga kjo ndjesi. Dhe kur zgjohesh, prapë te vjen të përgjumesh nga kotja e së shkuarës që të përpin rishtazi. Ti don të jesh në të shkuarën, të rijetosh edhe njëherë. 
Një zë nga një dritare, një melodi nga një çardak, një pëshpërimë nga prapa ndonjë porte, një vezullim hëne mes degëve të një peme, një joshje magjike e ndonje puthjeje të harruar të fton forcërisht të biesh në ëndërr dhe për një çast s'do të duash të zgjohesh.
Je në Berat.
 
 
ae28667edef70ca4bb141d0da1b69e58 XL ae28667edef70ca4bb141d0da1b69e58 XL ae28667edef70ca4bb141d0da1b69e58 XL ae28667edef70ca4bb141d0da1b69e58 XL

KERKO

Copyright © 2024 FENIXPOST, developed by AgoràFutura.Net - All rights reserved.

Search