clear

Gruaja e Shën Gjon (Johan) Gojartit

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

63b8b73b2f8bb7befb479e829b909a63 XLGruaja e Shën GJON (Johan) GOJARTIT
(Trilli. Artistik ku flitet dhe per Kodikun e Beratit)
Nga Gazmend Krasniqi
Asaj princeshës së re që përfundoi në guvën asketike të Shën Gjon Gojartit (347-407), nuk i mbahet mend emri, mbase pikërisht se nevojitej vetëm historia e saj. Edhe në rrëfimin tonë nuk do të ketë vend për predikatorin gojartë, që urrente teatrin, për shkak të aktoreve të "paturpshme", as për peshkopin e Kostandinopojës dhe të syrgjynosurin e disahershëm që sa bënte miq, bënte edhe armiq, as për njërin nga dotorëtë e kishës, siç thotë Pjetër Bogdani, as për shenjtin që u kuptua dhe u vlerësua, si gjithmonë, vetëm pas vdekjes, duke u varrosur me nderime në Shën Sofia, bri më të nderuarve. Madje, as për dhunimin e varrit të tij nga kryqtarët, duke ia shpërndarë pjesët e skeletit në vise të ndryshme të Europës, ku mund t’ia shikosh edhe sot kafkën apo pjesë të ndryshme të gjymtyrëve, sidomos dorën e djathtë, me të cilën shkroi kodikët me të cilët mburret edhe sot krishterimi. Edhe rrëfimi ynë ka të bëjë me njërin nga këta kodikë të rrallë, i cili ndodhet që prej pesëmbëdhjetë shekujsh në tokën e shqiptarëve dhe UNESCO i ka vendosur te "Memoire du monde" (Kujtesa e botës). Por le të kthehemi aty ku e nisëm. Ata që kanë dëgjuar për historinë e princeshës, do ta kujtojnë se, fillimisht, Shën Gjon Gojarti, i verbuar nga bukuria e gruas së re, e mori atë për djallin vetë. Pas lutjeve të saj, se kërcënohej nga bishat dhe se qe kristiane, ai i bëri vend, por, sigurisht, e ndau guvën në dy pjesë: një për vete e një për të. Me gjithë këto përkujdesje, mëkati ndodhi. Shën Gjon Gojarti mendoi se do të shpëtonte vetëm duke e hedhur gruan në një greminë. Historia thotë se, meqë Roma nuk ia pranoi faljen, ai u rikthye në guvë, ku filloi të jetonte e të ushqehej si një kafshë, deri atë ditë që gruaja, tashti së bashku me fëmijën në krah, u dha para tij dhe i tha se e falte. Deri këtu historia njihet. Nuk ka të dhëna që ajo ta ketë vizituar Shën Gjon Gojartin gjatë syrgjynit të tij në Epir (viti 403), nuk mund të thuhet se nga e mori informacionin që njëri nga kodikët e shkruar prej tij përfundoi në qytetin e Beratit, konkretisht në kishën e Shën Gjergjit sipër kështjellës. Për mënyrën se si rrodhi historia, sot mund të mendohet se ka qenë e pranishme në Berat, në shekullin XII kur frankët kampanë (les franc de Champagne), që betoheshin se ishin informuar nga kryqtarët e ardhur nga Kostandinopoja, morën dy prej ungjijve të kodikut - atë të Shën Gjonit dhe atë të Shën Lukës - me justifikimin se e bënin këtë për sigurinë e tyre. Mbase mund të mendohet se ajo ka ardhur me vonesë, përderisa nuk u ndalua kjo grabitje. Ndryshe nga çfarë ndodhi në rastin e serbëve, në vitin 1356, ku kodikët e mbetur nuk u prekën. Këtë e vërteton shënimi që ka lënë në anë të kodikut i quajturi Skuripeki, i cili shkruan: "Kur hynë serbët e car Uroshit në Berat dhe bridhnin lart e poshtë në rrugicat jashtë kështjellës, unë Skuripeki, bashkë me zonjën konteshë dhe me murgun Theodulo, i shpëtova manastirit të Theologos dhe kishës së Shën Gjergjit 27 libra nga më të mirët dhe më të zgjedhurit. I mbajta në krahë e shpatulla dhe bëra katër rrugë. Po të mos ndërhynim ditën e parë, ditën e dytë s'do të gjendej gjë, pasi serbët... edhe të vdekurit i nxorën nga varri". Specialistët thonë që "shkruesi nuk tregon një njohës të mirë të greqishtes", sepse kemi të bëjmë me një Skuraj-beg, pra me dikë në marrëdhënie me turqit selxhukë, që po depërtonin ndërkohë në viset e Ballkanit, duke i rënë anash ose duke iu përgjigjur thirrjeve për nevoja lufte të Kostandinopojës. Pikërisht këtë njeri shfrytëzoi princesha, apo dukesha, siç thuhej në dokument: serbët e car Uroshit nuk do të dyshonin te një njeri i lidhur me "turqit e pafe". Përveç një përpjekjeje të vitit 1431, ku kodiku u mor nën mbrojtje nga fisniku vendas Theodor Muzaka, sundimi shumë shekullor i turqve nuk prodhoi ndonjë ngjarje që lidhet me kodikun: mbase kjo lidhet me një nga gjërat që u përmendet atyre, atë që është lejimi i bashkekzistencës së feve. Dihet ata nuk e cenuan asnjëherë autoritetin e Patriarkanës së Stambollit. Viti 1914, Lufta e Madhe, solli në Berat edhe forcat austriake. Në ditarin e asaj kohe, të mbajtur nga një qytetar beratas, i cili mund të gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit, fondi 486, dosja 660, mund të lexohen këto rreshta: 20 prill, e mërkurë. Nga ora tre pas mesdite komandanti austriak u ngjit në kala bashkë me Papa Spiron dhe me një përkthenjës dhe vajtën në kishë që të shohën Ungjijtë, sipas urdhërit të datës 18 të këtij muaji. Nga tanët ishin të pesë të thirrurit prej komandantit, siç është thënë më lart, por u thirr edhe veqili i dhespotit Papa Zaharia. Duke ekzaminuar me radhë Ungjijtë nuk gjetën atë që kërkonin dhe u thanë tanëve se kërkojnë një Ungjill të vjetër, dorëshkrim. Papa Zaharia u përgjigj se neve këta kemi, në ka qenë ndonjë më i vjetër neve nukë dimë. Mitropoliti mund ta dijë dhe, bile, përsëriti Papa Zaharia, sipas të thënit të komandantit mitropoliti me kohë kishte bërë një raport në Vjenë se në kohën e rebelëve iu voth një gjë shumë e çmuar dhe mund, tha Papa Zaharia, të ishte ay Ungjill që kërkoni juve. Pasi i shqyrtuan të gjitha librat, shkuan pa bërë gjë. Ajo që nuk dinte ditarmbajtësi, qe se atë natë komandanti austriak nuk e çonte ndërmend se duhej të hiqte dorë nga zbulimi me të cilin mendonte se do ta trondiste themelet e botës perëndimore, sepse mendonte që ky kodik aq i vjetër do të kërkonte rishikimin e Biblës, që nga Vulgata deri në përkthimin e Luterit. Mirëpo, po atë natë iu ngatërruan idetë, sepse pat një fanitje të papritur, sikur u vizitua nga një grua që i ngjiste Shën Mërisë. Në kohën që do ta merrte veten, u urdhërua që të transferohej në vise të tjera, shumë larg Beratit. Gjashtë muaj më vonë u vra nga një plumb qorr. Tashti ne e dimë se kush ishte ajo grua që iu shfaq. Kur zunë vend në Shqipëri fashistët italianë, zotëruesit e kodikut u kujtuan se kristianët qenë më ngulmues se islamikët, bie fjala, në kërkimin e kodikut, kështu që në atë vit të pushtimit e groposën atë në një vend të fshehtë, Fillimisht, italianët nuk u ndjenë, por në vitin 1942 vepruan krejt si austriakët: por, si ata, kërkuan dhe mbetën duarbosh. Në vitin 1942, me ardhjen e tyre, nazistët gjermanë kërkuan tri gjëra: arin e Bankës së Shqipërisë, listën e hebrenjve dhe kodikun e Shën Gjon Gojartit, për të cilin kishte dijeni vetë Hitleri. Do të fusnim në dorë vetëm të parën. Për f at, priftërinjtë u lajmëruan nga kuislingët shqiptarë që të merrnin masa për ta zgjidhur vetë problemin, kur dihej se me ushtritë naziste nuk bëhej shaka. Natën që u lajmëruan, dy nga priftërinjtë panë në ëndërr të njëjtën grua, por, megjithëse ngulnin këmbë për të kundërtën, edhe ata vetë qenë të bindur se kjo nuk ishte Shën Mëria. Sidoqoftë, atyre u dukej e rëndësishme që kapën të njëjtin mesazh: ata i kërkuan Shën Mërisë që t'i mbronte nga një be e rreme. Gjermanët e ashpër, të cilët nuk e besuan këtë be të rreme, i vunë në rreshtin e ekzekutimit. Atëherë, gruaja e tregimit tonë, e cila, nga një cep i padukshëm po e ndiqte me vëmendje këtë situatë, e ndjeu të nevojshme të futej edhe vetë në rreshtin e atyre që do të ekzekutoheshin, kështu që gjermanët - ndoshta më tepër po bënin presion, sesa e kishin me të vërtetë - i ulën armët. Mirëpo vetë të rreshtuarit për ekzekutim që nuk e panë gruan, sepse u ishte hequr kjo aftësi, u shpërndanë të çuditur për mënyrën se si rrodhën gjërat. Në vitin 1968, atë mundi ta shikonte i vetmi berremës i mbetur gjallë. Ndërsa ngjitej kalldrëmeve, ajo pa se qyteti kishte ndryshuar shumë, që nga herët e tjera, por arriti të orientohej deri te shtëpia e duhur. Kuptohet, është çasti kur po ikte i fundit nga ata që e dinin se ku ishte groposur kodiku: pra, me ikjen e atij perssoni, do të kishim varrosjen përjetë të kodikut. Rrjedhimisht, pas kësaj nate, megjithëse Shqipëria po shkonte drejt një vendi që e vendosi në Kushtetutë se qe ateist, berremësi i fundit rrëfeu se ku qe groposur kodiku. Më 12 gusht 1968, pas dëshmisë që dha berremësi i fundit, oficerët e Sigurimit dhe drejtuesit e pushtetit lokal kuptuan se në pjesën lindore të ajodhimës ndihej pak boshllëk dhe ranë në gjurmët e një bodrumi 2 metër të gjatë dhe 1.3 metër të gjerë. Në atë bodrum ndodhej një arkë llamarine, ndërsa brenda saj, të mbuluara me kashtë, u shfaqën pergamenat e lashtë, të dëmtuara nga lagështira dhe të veshura me myk nga igrasia. Gruaja, e padukshme për të tjerët, shihte me nge elementet e autenticitetit të kodikut: ngjyrën e purpurt të pergamenave, shkrimin me fjalë të pandara nga njëra-tjetra, shkronjat e mëdha, kuadrat, me pak harkime dhe emrat e papërkthyer të Perëndisë. Shkrimi i vendosur në dy kolona qe prej argjendi, por titulli dhe rreshti i parë te Ungjilli sipas Markut, për shembull, qenë prej ajri. Nuk qe as ky çasti i ikjes së saj nga bota. Ai çast lidhet me germën Φ(fi), me të cilën identifikohet ky kodik në listën ndërkombëtare të dorëshkrimeve të rralla kishtare. Shumë pak kodikë kanë ndajshtesa grafematike si ky numër konstant irracional, afërsisht 1.62, që përmendet si raporti i rregullit të përkryer, i pashpjegueshëm nga mendja njerëzore, sepse është i përsosur - një rregull harmonik mbinatyror. Matematicieni më i madh i Mesjetës, italiani Leonardo Fibonacci (1170-1250), e mori atë nga arabët, të cilët e kishin nga indianët, ku qe zbuluar që në shekullin VI. Sapo ra në kontakt me këtë grafemë greke, të cilën e dalloi menjëherë midis germave latine, të panjohura për të, por me të cilat identifikohet kodiku, iu kujtua se i qe thënë që ky do të ishte çasti i saj i përkryerjes hyjnore. Shumë duan të besojnë se pikërisht në atë çast u nis për në qiell. Siç thuhet, tashmë për të mos u kthyer më.

KERKO

Copyright © 2024 FENIXPOST, developed by AgoràFutura.Net - All rights reserved.

Search