clear

Gjuha shqipe përballë komuniteteve virtuale.

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

Gjuha shqipe përballë komuniteteve virtuale.

 

Lekё Pepkolaj.

         Gjuha jonë është e lidhur shumë ngushtë me popullin shqiptar ose siç thotë Gjeçovi: “Gjuha asht rrnesa e kombit”. Gjuha ka një rol të rëndësishëm në përcaktimin e një kombi për vetë faktin se gjuha ka karakter objektiv dhe ne mund të bëjmë me metoda shkencore analiza filologjike të teksteve dhe të arrijmë të gjejmë identitetin e popullit tonë.  Lidhjet mes gjuhës dhe populllit që e flet atë janë shumë të hershme, por nga fundi i shekullit XVIII, gjuha ka marrë një natyrë tipike nacionaliste. Në këto vite theksohet lidhja mes ‘gjeni i gjuhës’ dhe ‘gjeni i popullit’. Ideja se gjuha është shprehje e mënyrës së të menduarit dhe të përjetuarit e një populli vazhdon edhe gjatë shekullit XIX, e cila më pas bëhet një nga pikat kryesore të ideve nacionaliste të nisura nga politikat gjuhësore të revolucionit francez. Ky konceptim përdoret për të përligjur politikat gjuhësore që sjellin krijimin e gjuhëve zyrtare të Evropës në shekullin  XVIII  dhe në fillim të shekullit XIX. Dihet se gjuha është e lidhur ngushtë me origjinën dhe vjetërsinë e kombit tonë dhe në këtë këndvështrim vërtet sjell edhe nacionalizëm. Një nga pikat më kyçe me frymë nacionaliste të gjuhësisë është etimologjia, ku edhe kjo tërheq një masë të madhe përsonash përveç gjuhëtarëve. Etimologjia drejtohet që herët në gjetjen e origjinës së një gjuhe si ‘një teori e përgjithshme e fjalës dhe e ecjes së shpirtit human’. Këto lloj përpjekjesh i gjejmë në fillim të viteve 1800 edhe tek gjuhëtarët e njohur gjerman.

Ja, çfarë thotë Rotsaert: “të zbulosh etimologjinë e fjalëve domethënë për Graff, gjetjen e shprehjes origjinale të zemrës e shpirtit të popullit gjerman”.  Etimologjia është një disiplinë e ndërlikuar e gjuhësisë ku perdor metoda shkencore, ndryshe nga etimologjia popullore. 

Duke e parë në këndvështrimin tim prej matematikanti mendoj se:

-të gjesh origjinën dhe historinë e një fjale, është njësoj sikur të zgjedhësh një problemë ku nuk mjaftojnë orë, ditë, muaj apo vite.

Nuk ka asnjë dyshim që binomi komb-gjuhë sjell edhe frymë nacionaliste por këmngulja e tepërt në këtë drejtim dëmton kulturën që sjell vërtet kjo frymë.

Nuk po flas për rëndësinë që ka ‘cybercultura’ (kultura që vjen nga përdorimi i kompiuterit) në shumë fusha të dijes, por do të përpiqem të preku dëmet dhe të mirat e këtyre kumuniteteve virtuale kaq të përhapura në kohën e sotme, në aspektin e gjuhës tonë.

Dëmet janë:

- Albanizëm i tepruar. Siç e theksova edhe më sipër duke qenë se gjuha është shumë e lidhur me kombin, në vetvete sjell edhe nacionalizëm. Por edhe në rastin e komuniteteve virtuale e ndeshim shpesh një gjë të tillë. Shkaqet kryesore janë mungesat ‘konjitive’ (njohurite) e ‘metakonjitive’ (vetëdija dhe kontrolli i njohurive) të individëve por ka edhe ndikime te karakterit social.

- marrje informacioni mbi gjuhën nga përsona jo kompetent.

- subjektet nuk rrinë dot pa u shprehur ku ndikon edhe në largimin nga kuvendi i përsonave kompetent të fushës. Është në karakterin e përsonit të shprehë atë që mendon se e din edhe pse të tjerët e dinë ose siç shpiegon Shën Agostini: “pse shko e rrëfehesh para Zotit për dicka që Zoti e din”, jo më të thuash diçka që ti mendon se të tjerët nuk e dinë.

- vështirësi në gjetjen e materialeve me referenca të sakta dhe nga autor serioz.

- materialet kalojnë aq shpejt në rrjet saqë ka rrezik të humbin efektin dhe qëllimin e tyre fillestar.

Të mirat janë:

- çdo artikull ose libër të ri, apo edhe konferencë shkencore mbi gjuhën i ndeshim në kohë reale.

- arrin të vjelësh në lidhje me gjuhën tonë mendimet e historianit, arkeologut, gjenetistit etj,  në një kuvend të bërë së bashku.

- këto komunitete kthehen në një lumë ku mbledh ujë nga përrenjët e të gjitha zonave ku ka shqiptarë. Mendoj që ky aspekt i rëndësishem i këtyre komuniteteve virtuale duhet të shfrytëzohet nga gjuhëtarët.

- vetë komunitetet kthehen në terren për ruajtjen e gjuhës shqipe.

Sot mendoj se është një kohë e vështirë për gjuhën tonë në aspektin e gjuhës zyrtare e cila është një temë mjaft e rrahur nga studiuesit dhe ku nuk shohim asgjë konkrete për zgjidhjen e tij dhe për historinë e gjuhës shqipe. Ne kemi një mori librash e publikime për gjuhën tonë nga përsona jo kompetentë. Shumë nga këto botime e publikime kanë edhe ndikime të tepërta nacionaliste. Mendoj që këto botime e dëmtojnë vetë kulturën që sjell kjo frymë. Ka edhe nga këta autorë që e bëjnë për fitim. Tjetër është se shoh një lidhje të tepruar të gjuhës tonë me mitologjinë. I gjithë ky interes nga përsona jo të fushës ndoshta vjen nga një pakënaqësi që sjellin vetë kompetentët e fushës sidomos në origjinën e gjuhës shqipe. Gjuha jonë ‘hjek shumë randë’ dhe që të lihet vetëm në duart e gjuhëtarëve ku  besoj se këtë e kanë kuptuar edhe vetë ata. Ndërsa për origjinën e gjuhës shqipe kam të njëjtin mendim me studiuesen Enkeleda Merkoçi, ku në tezën e saj të doktoratës thekson: “problemi i origjinës së gjuhës shqipe nuk është vetëm gjuhësor, por mbi të gjitha etnografik, arkeologjik dhe kryesisht historik”.

Në qoftë se N. Mjeda thoshte në Kongresin e Manastirit në vitin 1908 dhe Çabej në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipenë 1972 se nuk i njohim akoma dialektet e gjuhës shqipe,  mendoj se edhe sot jemi pothuajse në ato ujëra. Nuk dua të pres vullnetin apo të nënvlerësoj punën e bërë këto vitet e fundit nga autorë të ndryshëm mbi historinë e kombit shqiptar, por ndaj për ta mendimin e Spiro Kondes, i cili thotë: “ai që do të marrë përsipër të shkruajë historinë e kombit shqiptar që nga kohët parahistorike dhe gjer në ditët e Gjergj Kastriotit ose Skënderbeut, duhet medoemos të ketë këto cilësi, domethënë të jetë:

  1. Filolog helenist
  2. Filolog latinist
  3. Gjuhëtar (glosolog)
  4. Indolog
  5. Gjuhën shqipe ta ketë shumë amtare dhe ta zotërojë shkencërisht”.

Kjo pika e pestë sot ka shumë rëndësi edhe për kohën virtuale të sotme ku dua të them më hapur se ne na duhen studiues që të jenë: dijetarë dhe albanistë (studiues qe ndertojne albanizmin dhe punojne ne perhapjen e tij, term ndryshe nga nacionalizmi). Ndërsa për ‘il liquido’ (e thënë ne gjuhen e Baumanit) e komuniteteve virtuale po ju lë porosinë  e Mustafa Krujës, i cili thoshte:  “duhet me i dalë zot gjâs mâ të çmueshme qi ka kombi shqiptar, gjuhës  shqipe. Këtë kurrkush s’ka të drejtë t’a dhunojë, t’a përçudnojë”.

 

KERKO

Copyright © 2024 FENIXPOST, developed by AgoràFutura.Net - All rights reserved.

Search