clear

Lojërat e këqija me kufijtë

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 
 

Nga Pëllumb Nako

 

Menaxhimi i kontrollit kufitar si pjesa më e rëndësishme që garanton qarkullimin e lirë të mallrave dhe njerëzve, ka një rëndësi kaq të madhe sa çdo çrregullim i tyre sjell pasoja të menjëhershme me natyrë politike. Automatikisht cenohet siguria rajonale dhe fqinjësia e mirë. Ndaj dhe nismat e ndërmarra në këtë drejtim ndërmjet vendeve të cilat nuk janë ende pjesë e Bashkimit Europian, si në rastin konkret, vendet e Ballkanit Perëndimor, janë nën një vëzhgim të rreptë të vendeve Europiane. Sepse dihet që Ballkani Perëndimor është fqinji direkt i hapësirës Shengen dhe çdo veprim i ndërmarrë prej vendeve të tij, dëmton apo përmirëson edhe sigurinë e hapësirës. Ndaj, thënë me fjalë të tjera, megjithëse vendet tona, ndryshe nga hapësira europiane, janë ende sovrane në të gjitha aspektet shtetërore, nuk kanë pavarësi të plotë në hapat e ndërmarrë për ndryshime që prekin sigurinë kufitare. Veprimet e ndërmarra në këtë drejtim, pa marrë në konsideratë pikërisht këta parametra, bëhen për konsum të brendshëm patriotik ose për presion të mbetur në kufij qesharakë ndaj Europës. Dhe normalisht me fund të trishtë. Me faturën gjithmonë në kurriz të njerëzve të thjeshtë.

 

Ndërkohë, po të shohim se si ka vepruar lidershipi politik ynë i sotëm, në raport me sigurinë kufitare në rajon, por sidomos me Kosovën, më së paku duket kaos. Me dëshirën e protagonizmit mbikombëtar, vetëm se ka mbjellë konfuzion. Ose ndoshta ky i quajtur konfuzion është një strategji kaq e hollë sa ne njerëzit e zakonshëm, të vdekshëm, nuk e kuptojmë dot. Sepse hapat dhe nismat e ndërmarrë kanë treguar një aftësi të çuditshme për të shkatërruar arritjet e deritanishme dhe paaftësi të jashtëzakonshme për të ndërtuar projekte reale që i hyjnë në punë Shqipërisë, Kosovës, rajonit dhe në përputhje me standardet europiane dhe interesat kombëtarë.

Historiku i veprimeve dhe i të gjithë hapave të hedhur nga  qeveria shqiptare në këtë drejtim, do të karakterizohen nga aksione e nisma të lëna përgjysmë, që harrohen dhe mbeten kontradiktore. Në tërësinë e tyre ato janë kaq pak të kuptueshme saqë duke imagjinuar një lidership të aftë dhe të përgjegjshëm, çdokush abstragon duke krijuar perceptimin se bëhet politikë e madhe. Por ndërkohë nuk kemi asnjë produkt konkret.

Tri janë nismat e bëra publike dhe të lidhura me sigurinë rajonale që ka ndërmarrë direkt ose ka mbështetur lidershipi shqiptar: Shengeni Ballkanik, korrigjimi i kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, heqja e kontrolleve kufitare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Duket fare thjesht se i vetmi shtet që preket nga të tria nismat është Kosova. Pra, shteti më i ri dhe shteti të cilin disa vende europiane nuk e njohin. Një gjë e tillë të bën ta kesh të vështirë për të kuptuar  sesi ende pa u bërë shtet me të njëjtat të drejta si vendet që e rrethojnë, Kosovës i duhet të korrigjojë kufijtë në veri, t’i hapë në jug-perëndim dhe pastaj të shkrihet me gjithë rajonin. Kaq shumë ndryshime të propozuara, kaq madhore dhe në kaq pak kohë, nuk dëshmojnë qëndrueshmëri, as vizion për rrugën që duhet të ndjekë ky shtet drejt përforcimit të pavarësisë. Dhe kjo nuk është gjë e mirë. Sepse dhe koha këtë tregoi. Projektet politike shqipfolëse për Kosovën,  deri tani kanë dështuar.

Korrigjimi i kufijve përfundimisht mori një goditje të rëndë. Heqja e kontrolleve kufitare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë i njoftuar disa herë, i shtytur po aq, nuk duket se do të përfundojë më mirë. Edhe ky projekt është tashmë i dështuar. E vetmja gjë që ka mbetur është shija e hidhur dhe zhgënjimi i qytetarëve në të dy vendet që prisnin me sot e me nesër heqjen e kontrolleve kufitare.  Zhurmë propagandistike apo projekte pa baza, pak rëndësi ka. Fakti mbetet që asgjë nuk u realizua dhe nuk realizohet, të paktën së shpejti.

Ende në qarkullim, por si fantazmë, ka ngelur projekti Shengeni Ballkanik që gjithsesi po përdoret jo për atë që presupozon të zgjidhë.

Por për fat të keq këto dështime nuk duken si te vetmet. E çara shqipfolëse po reflektohet edhe në rajon. Dhe kjo është më e rëndë se çështjet e mësipërme.

I gjithë opinioni publik i vendit tonë është në dijeni për nismat që lidhen me ndërtimin e konsullatave apo ambasadave të përbashkëta të Shqipërisë dhe Kosovës. Të gjithë në Kosovë e Shqipëri kanë ndjekur me shumë interes mbledhjet e përbashkëta qeveritare të të dyja vendeve. Më së paku këto veprime të lënë të kuptosh se jemi në kushtet e një strategjie të përbashkët ose maksimalisht të përafërt për politikë rajonale e më gjerë të të dyja vendeve.

Në samitin e Berlinit nuk u vu re një gjë e tillë. Për të mos thënë që ndodhi e kundërta. Kundërvënie. Barriera doganore e vendosur nga kryeministri i Kosovës për Serbinë dhe për Bosnjë-Hercegovinën u kundërshtuan nga pjesa tjetër e lidershpit kosovar dhe nga ai shqiptar. Formalisht apo informalisht, kjo nuk ka fare rëndësi. Dhe debati nuk u mbyll këtu. Ai vazhdoi. Këtë radhë në mënyrë më indirekte.

Sepse edhe në Sarajevë, para disa ditëve, Kryeministri ynë foli përsëri për temën e tij të preferuar: Shengenin Ballkanik. Këtë radhë e hodhi si ide, duke harruar që shumë muaj më parë kishte njoftuar ngritjen e grupit të punës dhe se në pranverë gjithçka do ishte gati për të rrëzuar kufijtë e Ballkanit Perëndimor. Por pak rëndësi ka projekti real. Është argumenti politik ai që ka rëndësi.  Kush do ta besojë shefin tonë se kjo nisme do të realizohet? Asnjë. Sepse shefi ynë foli për Shengen dhe qarkullim të lirë të mallrave pikërisht në vendin që sot po përballet me tarifën 100% të shërbimeve doganore të Kosovës. Shengen do të thotë doganë zero. Ndërkohë si argument politik, shefi e realizoi qëllimin. Ai kishte zgjedhur një mexhëlis, viktimë të barrierës doganore, për të folur lidhur me lirinë e qarkullimit të mallrave. Ndërkohë vllau kosovar ka rritur në masën 100% taksën doganore. Pra, më shumë se një projekt, Shengeni Ballkanik i kryeministrit është kundërvënie politike ndaj Kosovës  në rajon. Këtë radhë indirekt, por zyrtarisht në një takim rajonal dhe jo në mënyrë informale si në Berlin. Shefi e di mirë sesa e komplikuar dhe e pamundur është arritja e ndërtimit të një hapësire të përbashkët në Ballkanin Perëndimor. Këtë e dinë të gjithë. Ndaj dhe Shengeni Ballkanik i tij ka më shumë vlerë si argument politik në kundërvënie ndaj tarifës së Kosovës, sesa ndonjë vlerë tjetër.

Pas një radhe të tillë dështimesh, antagonizmash ndërshqiptare në rajon, duket se edhe deklarimi që strategu i këtyre nismave pranë kryeministrit bëri në një emision televiziv , është pa vend dhe demagogjik. Sipas tij, liderat e opozitës aktuale dhe historike janë xhelozë se mos Kryeministri ynë arrin të bashkojë Shqipërinë me Kosovën. Ndaj dhe shprehin reagime të ashpra.

Të paktën deri tani duket se korrigjimi i kufijve me Serbinë, heqja e kontrolleve kufitare me Shqipërinë, si projekte të paraqitura nga qeverisja e sotme, rezultojnë të dështuara. Shengeni Ballkanik është një lojë më shumë se një projekt. Nëse përplasja që po dallohet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës në rajon duket konsideratë e tepruar, mbetet fakti se nuk ka sinkronizim të qëndrimeve të të dyja vendeve.  Dhe pas të gjitha këtyre ndodhive negative, sipas strategut, opozita po bëhet xheloze për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.

Duket qartë se lidershipi që po na qeveris ose është gjenial dhe ne masa poshtë nuk e kuptojmë, ose vazhdimin e supozimit  duhet ta bëjë teto Ollga si për Koçin që i propozuan për dhëndër.

 

KERKO

Copyright © 2024 FENIXPOST, developed by AgoràFutura.Net - All rights reserved.

Search