Ishin bërë shumë vite tashmë që punoja në polici. Fillimisht, gati të gjithë ish-shokët apo ish-shoqet e mia të shkollës shprehinin një lloj habie kur mernin vesh zgjedhjen që kisha bërë. Në një nga këto raste, takova edhe Loretën me të cilën kishim qenë në një klasë në universitet. Ajo kishte ardhur në Tiranë për një seminar. Pas përshëndetjeve të zakonshme sesi isha dhe sesi ishte, më pyeti se ç’punë bëja. - Kam ca vite që kam hyrë në polici, i thashë. - Çudi, nuk të kisha menduar kurrë në polici, u përgjigj ajo e befasuar. Shumë gjëra mund të mendoja për ty, por në polici nuk të kisha imagjinuar kurrë, shtoi më pas me një pamje edhe të habitur edhe kurioze. Madje edhe të zhgënjyer. - Disa rrethana më bënë të bëja këtë zgjidhje, shtova. Por nuk jam bërë pishman. Ndihem mirë dhe më duket zgjedhje e përshtatshme. - Nuk di ç’të them, por nuk të imagjinoja dot, e mbylli habinë ish-shoqja e klasës sime me banim diku në një qytet verior. Pastaj papritmas e rimori temën e bisedës me një ligjërim tipik të kohës kur ishim studentë. Po më thoshte se tradicionalisht, thuajse në konsesus të plotë të gjitha shtresat sociale, kanë perceptimin se figura e policit nuk barazohet me intelektin. Jo rastësisht ndoshta tregohen aq shumë anekdota për ta. Kudo në botë. Pastaj shtoi duke thënë sesa herë kishim bërë homor me ta. Sidomos historitë e xhandarëve që lexonim në gjuhën e huaj. - Dhe mbaj mend, vazhdoi Loreta me një pamje sarkastike, që ti ishe në rreshtat e parë të atyre që i përqeshnin. Ndoshta e bëje këtë nga inati që kishe me ta. Sepse më kujtohet që vetë më ke treguar atëherë që të kanë rrahur disa herë. Megjithatë, të paktën profili yt që kam fiksuar nga koha e fakultetit nuk më duket se jep ndonjë shenjë ngjashmërie me profesionin e tyre. Ndaj kjo zgjedhje po më duket e pakuptueshme. Nuk ka përputhje. Qesha, duke i dhënë të drejtë. Pastaj shtova se gjykimin e jepte duke parë gjërat nga jashtë, duke mos e njohur në brëndësinë e tij profesionin e policit. Sigurisht edhe mua më kujtohej qartë një rast kur dy policë më kishte rrahur paq. Ishim larë në liqenin artificial, por kjo gjë nuk lejohej. Nga i gjithë grupi i shokëve të klasës, me përzgjodhën mua sepse mesa duket flokët e tregonin që sapo isha zhytur në liqen. Më pyetën nëse isha larë dhe unë pa dyshim iu përgjigja që jo. Mos gënje, më thanë se kemi prova. Pastaj me prekën në pjesën e sipërme të panatallonave që ishin ende të lagura. Si ndëshkim më goditën me majën e këpucëve në kërcinj. Më dhembën disa ditë. - E di, - iu përgjia. Por sot mendoj ndryshe. Krahas anekdotave që tregohen për ta, edhe tradicionalisht, në mjediset e ndryshme sociale nuk gjendet figurë e dytë më popullore se ajo e policit. Duket sikur ndërmjet dy qëndrimeve ka një hon të konsiderueshëm. Por vitet e punës që kam bërë në polici më kanë prezantuar një botë tërësisht ndryshe nga perceptimi tradicional. Nuk them se janë maja e mendimit të botës intelektuale. Nuk është domosdoshmëri për të shkëlqyer në këtë drejtim. Por ata të befasojnë shpesh me shpejtësinë e të menduarit. Krahas intuitës janë ne gjendje të bëjnë analiza dhe sinteza rrufe lidhur me një ndodhi apo me një person. Improvizojnë aty për aty. Në pyetjet mëse të zakonshme të bëjnë të biesh në kurth nëse fsheh diçka. Gjatë ushtrimit të detyrës së tij, sidomos në rrugë, asnjëherë, asnjë polic nuk e di se kë ka përball tij. Kaq të ndryshëm janë njerëzit me të cilët ai ka të bëjë përditë sa që reflekset në njohjen e profilit të secilit prej tyre u janë kthyer në shprehi. Ti ndoshta do të thuash se shprehitë dhe reflekset nuk janë treguesi thelbësor i intelektit. Nuk e kundërshtoj. Por specifika e profesionit të tyre është të arsyetojnë për vlerën sociale duke u përplasur me dobësitë njerëzore. Edhe të atyre që mund të jenë intelektual apo edhe qeverisësit e tyre shumë më të lartë. Eksperienca e krijuar u transformohet në dije me nivel të kënaqshëm intelektual. Ndoshta më parë, kur tregoheshin anekdota, njerëzit i kanë stigmatizuar pikërisht sepse polici punon dhe jeton përditë me botën jo të vogël plot cene të personalitetit të çdo individi. Pra me anën e tyre negative dhe kjo gjë ndoshta nuk lë askënd të qetë, - provova të jap disa argumenta kundërshtues për ish-shoqen e klasës. Fakti që policit i ndodh të jetë i pranishëm në dobësitë apo veset edhe të atyre që bëjnë historinë apo formojnë opinionin publik, ndoshta luan rolin e saj në këtë perceptim. Në përgjithësi askush nuk ndihet rehat kur tjetri është i pranishëm në diçka që ai kërkon ta fshehë. - Nuk di ç’të them, shtoi ish-shoqja e klasës. Tani që je në botën e tyre, mund të kesh argumenta me shumicë. Por unë nuk kam pasur ndonjëherë të bëj me ta dhe imazhi im ka ngelur ai i shkollës. Njëlloj si për ty që nuk të imagjinoj dot në këtë punë. Nuk e fsheh. Nuk e di sesi ke mundur dhe a ke mundur të depërtosh në profesionin e tyre. Bota e policëve me ngjall mister. Më duket sikur gjithmonë shikojnë diçka që ty as të shkon ndërmënd. Sikur nuk flasin me ty, por për ndonjë gjë që ti ose nuk dëshiron ta thuash ose thjesht e fsheh. Madje kam përshtypjen se edhe vetë atyre u pëlqen shumë kjo veshja më mister e profesionit që kanë. Sikur dinë gjithçka. Jam e sigurt që shpesh lozin edhe bllofiin. Sepse kanë informacione nga më të ndryshmet, për të gjithë. Sekreti për to, u jep një lloj pushteti që mezi e mbajnë përbrënda. Këto gjëra duket se i bëjnë të ndihen të vetësigurt. Dhe vetësiguria shkakton aq shumë faulla saqë në fund ata rezultojnë jo fort të hollë. Edhe ato operacionet që reklamojnë në televizion. Ku i gjejnë gjithë ato emra. Edhe aty shoh enigma. Këto gjëra me duken si disa të vërteta që askush nuk është në gjendje t’i verifikojë. Kurse ti, nga ana jote nuk ke shfaqur ndonjëherë ndonjë veti që dikush të të mendonte në radhët e policisë. Nuk po flas për formimin profesional këtu. As nivelin intelektual. Kur më vjen ndërmënd dhe kujtoj që ty si individ të pëlqente aq shumë letërsia, habia me shtohet. Polici dhe letërsia nuk më duken gjëra që afrohen. Përjashtime mund të ketë, por për rregullin nuk besoj se mund të gjesh argumenta. Ti nuk je rregulli. Ti je përjashtimi. Një ish –filologjiks me dëshira për letërsinë i kthyer në polic dhe jo një polic me interes për letërsinë. Kontradiktë me maksimale nuk ka. Por megjithatë nuk është letërsia kryesorja. E përsëris, në tërësi, perceptimi për policin nuk lidhet me nivele të larta intelektuale. Dhe të dy e dimë se hierarkia e vërtetë në një shoqëri, dhe për rjedhim edhe ambicja për të ecur para, nuk është vetëm ajo e gradave që t’i shoh sot mbi supe, as e pasurisë që mund të vërë gjithkush me rrugë nga më pak dinjitozet e as e pushtetit me çdo kusht, por e të qënurit intelektual i mbarënjohur me profil shërbyes për më të mirën. I respektuar. Megjithë abuzimin masiv për këtë term. Polici është pjesë periferike, jo protagonist. - Dëshira për letërsinë ndoshta është ashtu si thua ti, - vazhdova unë duke u munduar ta kuptojë më qartë. Por edhe këtu do të të thoja të mos i shohësh gjërat me mosbesim. Sepse ka qënë një oficer policie ai që më ka dhënë të lexojë dy nga librat që sot për mua janë nga më të dashurit. I kishte lexuar dhe nënvizuar të gjithë rreshtat më pikantë. Nënvizimet përputheshin plotësisht me ato që më dukeshin edhe mua interesante. Ndërsa për profesionin, fillimisht edhe unë nuk ndjehesha komod. Shihesha si i huaj apo si pushtues që isha futur në radhët e policisë nga një forcë madhore së cilës ata nuk kishin ç’ti bënin. Sepse për fat të keq ka shumë të tillë. Vijnë e ikin sa herë që kanë pro apo kundër konjokturat politike. Gjithmonë në pozicione drejtimi. Ndërkohë kur e ndan mendjen që do t’i përkushtohesh një profesioni, pavarësisht se nga vjen dhe kush je, duhet të jesh serioz. Të jesh profesionist i mirë, do të thotë të kesh fillimisht respekt për veten. Unë e vlerësova këtë nevojshmëri duke u vetorientuar në drejtime që edhe isha i përgatitur, por edhe më efikas. Fati dhe konjokturat jo gjithmonë i ke në krah. Kjo më ka bërë të ndjehem brenda policisë njëlloj si brenda vetes. Kurse çështja e nivelit intelektual ha shumë diskutime. Ta thashë edhe pak më sipër. Punonjësi i policisë nuk ka shumë kohë të renditet në majat e piramidës intelektuale. As të perfeksionojë manierat e të menduarit dhe të të shprehurit. Me eksperiencën që grumbullon, ai arrin të krijojë edhe një shqisë tjetër shtesë krahasur me njerëzit e tjerë. Një shqisë më shumë, eshte një informacion i përçuar më shumë. Pra mendimi i tij lëvizet nga informacion i marrë në më shumë rrugë sesa shumë individë të tjerë. Po a është kjo gjë nivel i caktuar dhe i kënaqshëm intelektual? Unë them po. Nuk shoh kontradiktë ndërmjet nivelit intelektual, dëshirës për letërsi dhe të qenurit polic. Njëri nga librat që të fola më sipër flet pikërisht për botën e policëve në veprim. Po deshe të tregoj për ilustrim vetëm një aspekt. Aspekt që personifikon gjithë cilësitë për të cilat të kam folur disa herë sot. - Mir, u përgjigj ish-shoqja ende me vullnet për të vazhduar bisedën. - Si dhe të thashë, rimora fjalën unë, improvizimi është një nga cilësitë që spikat rëndom në botën policore. Në një aksion që po kryente policia italiane, për kapjen e një mafiozi të rrezikshëm kishte merak se mos dështonte përsëri pas disa përpjekjeve pa sukses. Numri telefonik i mafiozit ishte vënë në përgjim dhe në episodin që përshkuhet në libër, ai ishte duke folur. Ndërkohë policët nuk e dinin dhe nuk kishin mundësi ta dinin nëse aparati telefonik që po mbanin në përgjim dhe nga i cili ai fliste, ndodhej në shtëpinë e tij apo jo. Nëse ndërhynin, kishin frikë se mos nuk ishte aty dhe më pas do të merte masat të zhdukej. Pasi e diskutuan vendosën të përdorin një zgjidhje që një mendje standard, sado intiligjente të jetë, do të kishte vështirësi ta kryente. U vendos që të modifikohej motorri i një motoçiklete në mënyrë që ajo të bënte zhurmë të madhe. Motoçikleta do të kalonte para shtëpisë së mafiozit dhe në rast se zhurma e saj do të ndihej në telefonin nga ku ai po fliste, do të merrej vesh nëse ishte aty apo jo. Pas disa momenteve, mafiozi u kap. - Duke qeshur, Loreta tha se edhe ajo kishte parë plot filma. - Jo, jo nxitova t’i përgjigjem. Është e jetuar kjo histori. - Ma komplikove shumë, tha ish-shoqja e klasës. Pastaj me një ton me doza ngacmimi dashamirës shtoi se mesa duket isha policizuar tërësisht dhe kisha marrë për mison t’u mbushja mendjen të tjerëve se kisha bërë mirë për zgjedhjen e bërë. - E kuptoj, i thashë. Ja tek jam. Do të të tregoj diçka tjetër. I ngrohur nga suksesi i historisë, i propozova t’i tregoja një ngjarje tjetër të jetuar, këtë radhe në Shqipëri. Edhe kjo e ngjashme me atë të ndodhur në Itali. Për rastësi ajo ka ndodhur në zonën ku banonte ish-shoqja e shkollës. - Pa ta dëgjojmë, tha ajo më e gjallëruar. Në veri të vendit është një pikë kalimi ku punon edhe një polic me emrin Preng. Ai është personazh tipik i debatit tonë. Nga jashtë mund të perceptohet i ngjashëm me cilësitë dhe kufizimet që po diskutojmë. Këtë gjë e ndihmon edhe pamja e tij thuajse gallofe. Trupmadh, me uniformën gjithmonë çuditërisht të gjerë. Ndërkohë këmisha edhe pantallonat e saj, nuk dihet se për ç’arsye i rrinë shkurt sa që vrullshëm i venë në dukje duart e mëdha si lopata furre dhe këmbë me madhësi të dukshme që së largu. Prenga ka vite që punon në atë pikë kufitare. Ka bërë edhe shumë trajnime. Urdhërat dhe udhëzimet me të cilat punon, i njeh mirë. Gjuhë të huaj nuk di. Flet pak dhe keq disa fjalë italisht. Kur bisedon me të, thotë se lexon edhe libra. I pëlqejnë ato të lidhura me histori e gjeografi. Në hierarki është në rolin bazë. Pra në fund të piramidës. Në karrierën e tij ka goxha arritje. Sidomos në identifikimin e dokumentave të falsifikuar. Ka bërë disa kurse për këtë. - Kjo që po më thua, më ndërpreu shoqja e klasës, personifikon shtresën e policëve të nivelit më bazik. - Po iu përgjigja . E saktë. - Mendova se do më flisje për nivele drejtues, saktësoi ajo. - Jo, jo. Dua të të tregoj shëmbuj intiligjence paksa me natyrë folklorike, por plotësisht efikase. - OK. Një ditë shkova në pikën ku punon Prenga, rimora tregimin unë më pas. Më duhej të bëja një lloj innspektimi për të pasur një pamje të prekur nga afër sesi funksiononin gjërat. Me shpejtësi, dhe me saktësi, komandanti i pikës më shpjegoi sesi vinin gjërat atje. Pastaj më përmëndi edhe një rast kur nga ana e punonjësve të policisë sapo ishte kapur një shtetas me dokument të prodhuar fallco. Më duhet të të shpjegoj, i thashë Loretës, se falsifikimi i një dokumenti dhe prodhimi tërësisht fallco i tij, janë gjëra jo të njëjta. Dhe prodhimi fallco është shumë i vështirë të dallohet me sy, për të mos thënë i pamundur. Komandanti më tregoi edhe dokumentin e sapo sekuestruar. - Shumë mirë, thashë. Kush e dalloi që ishte fallco? - Prenga, tha komandanti sikur donte të më thoshte se këtë përgjigje po prisja. - Po si ka mundësi, pyeta. Ky është prodhim tërësisht fallco. Si e ka dalluar. Me sy është e pamundur. Ma thërrisnin Prengën, kërkova. Pas disa minutave dera e hapur e zyrës thuajse u bllokua e tëra kur në të u shfaq Prenga. Nuk e lashë të më përshëndeste si ndodh rëndom në të tilla raste, por menjehërë e pyeta sesi ishte dhe si i kishte nga familja. Mora me mënd se po më përgjigjej se ishte mirë sepse nuk dëgjova gjë. Aq i ndrojtur ishte Prenga kur fliste me eprorët. - Po si e dallove këtë dokumentin e pyeta shkurt, - Po ja, tha Prenga, makinat ishin vendosur në radhe se kishte pak ngarkesë. Të gjitha me dritare mbyllur dhe me ngrohjen hapur. Sot të pret i ftohtit. Tek radha, pak në distancë nga kabina, vura re një makinë me dritare të hapura dhe drejtuesi i mjetit me mëngë të shkurtëra dukej se nuk kishte ftohtë. E mora me mënd se ç’do më thoshte Prenga. Përderisa edhe vetë ai kishte ftohtë atë mëngjez, tipi në makinë duhet të kishte pasur siklet të madh, ndaj dhe nuk e ndjente fare të ftohtit. - Po, i thashë Prengës. Vazhdo. - Kur erdhi para kabinës, ai më paraqiti një kartë identiteti belge. Kur e pyeta më tha se ishte rezident aty dhe po kthehej pasi kishte kaluar ca ditë pushimesh ne fshatin e tij për vit të ri. E pyeta lidhur me detajet e udhëtimit dhe m’u përgjigj i qetë. Por nuk po më bindte. Pastaj e pyeta se çfarë gjuhe flitet në Belgjikë. Ai u skuq, mërmëriti disa fjalë që nuk i kuptova. Por nuk e dinte. Dhe unë e çova për kontroll më të thelluar. Aty sigurisht paisjet teknike e identifikuan kartën e identitetit tërësisht të falsifikuar. Loreta qeshi dhe u duk e zbavitur . - Prit , i thashë se nuk ka mbaruar. Pasi i dhashë disa falenderime Prengës, ai u mat të delte por po hezitonte. Mendova se mos kishte ndonje siklet që donte të ma thoshte direkt, mendova. - Po, i thashë, fol. Kishe ndonjë problem? Bëri një lëvizje në fytyrë afër buzëqeshjes, po pa vajtur deri aty dhe më tha se nuk kishte ndonje gjë të madhe për të më thënë. - Po thuaje i thashë, se nuk ka problem. - Po ja shef, tha Prenga, kur e pyeta atë tipin se çfarë gjuhe flitet në Belgjikë, çfardo gjuhe të më kishte thënë do të kishte kaluar, sepse edhe unë nuk e di se në ç’gjuhë flasin njerëzit aty. E qeshura e shoqes sime kumboi sa që njerëzit kthyen kokën. Ende mosbesuese, por mesazhin e kishte kuptuar mirë. *Ish drejtor i Interpolit dhe i Policise se Kufirit te Rep. se Shqiperise