clear

SI NËN QIELL

Vleresimi aktual: 5 / 5

Yje aktiveYje aktiveYje aktiveYje aktiveYje aktive
 

aeae28f2db62b5a147d8a5b18869024a XLTregim

Ardian-Christian KYÇYKU

Zërat e tyre dëgjoheshin si nën ujë. I përfytyronim të mbyllur në flluska si ato të sapunit, ose edhe si ato që përshkruajnë ëndërrat në vizatime, dhe buzëqeshnim. Buzëqeshjet tona largoheshin pó si flluska, po zor se ua vinte njeri veshin. Për vite me radhë, asnjëri prej tyre nuk pati kurreshtjen e as mori mundimin të përkthente buzëqeshjet tona të çiltra. I pandehnin flluska të mbrame, nga ato që braktisin vdekatarin para se të japë shpirt, ose njëheresh me daljen e shpirtit, a thua se shpirti qënkej ajër i mbyllur në bula e nuk u përzjeka dot me ujin. Kur muzgu tretej në mbrëmje dhe nga bluja e thellë, si pickime, yjëzit mblidheshin mbi ne, na dukej sikur të gjitha flluskat e ditës paskëshin qenë ca lloj vezësh të tejdukshme. Ato ngjiteshin lart, drejt shtresës aq të hollë ku ujrat takoheshin me qiejt, njëheresh me afrimin e yjeve drejt ujrave, dhe plasnin butë, si në shurdhëri. Yjet shndërroheshin në fjolla bore, ose lule kristali. E gjitha ngjasonte njëfarësoj me pllenimin, por jo aq të luleve, se sa të peshqve që vallzonin rreth nesh. Mbrëmjeve të dimrit, vendin e yjeve e zinin fjollat e borës, por pllenimi nuk ndryshonte. Kjo ishte mahnitja e fundit që ne shprehëm me fjalë, para se ata të vinin me radhë për të na ftuar jashtë, ose në atë që quanin brenda, madje jo rrallë brenda jetës.

Kur Ajo dhe unë mësuam të merremi vesh pa flluska, numuri i atyre që na kërkonin u pakësua. Se edhe gjyshërit, prindërit, miqtë e hasmët lodhen një ditë, ose humbin shpresën. Luteshim vetëm që ata të mos na qanin siç qahen të mbyturit. Ndoshta do të qe dashur, nja një muaj para ikjes, të grindeshim me të gjithë, t’i zhgënjenim sa më hidhur, t’u bënim gjëra të pafalshme, t’u hapnim plagë e gërvishtje nga ato që vetëm dikush tejet i shtrenjtë mund të t’i shkaktojë (që të dihet se vetëm Zoti është Zot, më pat thënë ajo). Mirpo nuk ia patëm dalë mbanë. Madje nuk dinim t’i kishim kujt borxhe në të holla – dhe na la pa flluska dita kur burra e gra moshash të ndryshme, pak pasi largohej edhe i afërmi më i durueshëm, vinin me radhë e na numëronin borxhet. Ne i vinim fjalët dhe fjalitë e tyre në vargje dhe pyesnim shoshoqin me sy. Poemat tingëllonin pakashumë si më poshtë vijon:

Një cigare pa filtër / një kafe me sheqer / një çaj /

Një mollë / dy hurma farëzeza / një fletë aritmetike /

Dhjetë lekë të vjetra / pesë lekë të reja / një dollar /

Tre libra të hollë / dy libra të trashë / s’ka rëndësi autori tani /

Një penë / dy kallamare / një stilograf / një bombone

Një stemë / njëzet pulla / qeni laraman / kanarina /

Dylbia me një sy, monokli me dy lente, pena e kaltër / një shëtitje me varkë /

Dy maja pene / bluza e gjelbër / një penel / një fletore vizatimi

Unaza prej argjendi / dy varse / tri palë vathë / kravata me xixa /

Katër unaza ari / dy me gurë të çmuar / një me kokë shqiponje /

Një me kokë gjarpri / një sandviç / dy ullinj / një kanë / tetë pjata /

Vreshta majë kalasë / Dy pula / Lopa e zezë / dy këndezë /

E ashtu me radhë. Vetëm Zoti nuk na thirri as edhe një herë të vetme, o ngaqë është vetë Malli e sheh gjithçka, o ngaqë është vetë Dhembja dhe duron gjithçka, o ngaqë nuk mbarohet kurrë.

Me kalimin e kohës, vargjet e fundit nisën të trasheshin, të rëndoheshin e të merrnin trajta borxhesh shtetërore. Shumë rrallë, si për të hequr mësyshjet, ose ndonjë magji të zezë, dilte se kishim borxh edhe ndonjë puthje, ndonjë shkelje syri, ndonjë prekje në muzg, ndonjë frymëmarrje të shpeshtuar, që çartte gjumin e ëndërrat, si edhe ca gjume të prishur, ca pagjumësi, ca bileta kinemaje.

Nuk kthenim dot përgjigje, se, - kulmi, - mund të na pandehnin të dalë mendsh, ose të mbytur. Prandaj detyroheshim të sillemi krejt si dy të mbytur. Po kush ishte në gjendje të vilte dhunshëm aq dashuri, kujdes, përkushtim, falë mbytjes, për më tepër nga ca njerëz që, edhe pa u munguar, na i jepnin falas të gjitha, gjer edhe smirën, urrejtjen, pabesinë?!

Po qe se vitet nuk do të kishin rrjedhur aq shpejt, mbase do të na kish dhembur fakti që ata na keqkuptojnë, ose na marrin për ç’ka s’jemi. Mbase do të qemë munduar t’i sqaronim, t’i bindnim se ishte fjala për krejt tjetër gjë. Por koha rridhte ndryshe në botën e flluskave, të ujrave e të qiejve pa fund.

Si për të prekur në sedër, me radhë, ose edhe në kore të vegjël, ku shartoheshin tinguj e fjalë të nënujshme, ata nisën një poemë që sikur rrekej të fshinte nga kujtesa Homerin, ose edhe më prodhimtarin ndër lahutarë malesh.

Dikur ajo më pyeti me sy se mos ndoshta, tek merreshim me përkthimin e atyre vargjeve, kishim nxitur, ose ndihmuar kohën të rridhte më shpejt. Apo koha ikte ashtu edhe thjesht po të heshtje e po të mos i rendisje njerëzit dhe qëniet sipas një radhe që shndërrohet pashmangshëm në kohë?!

Eja, bir, bijë, filan, filane, se të pret gjyshi, të pret gjyshja, të pret mami, të pret babi, të pret motra, të pret vëllai,

të presin shokët, të presin shoqet, të pret edukatorja, të pret mësuesja, të pret roja. Eja, bijë, bir, se na la gjyshja, na la gjyshi, na la mami, na la babi,

ra Muri i Berlinit.

Eja, bir, eja, bijë, se u hapën kufijtë, se mund të flasësh lirshëm, pa u trembur, mund të thuash ç’të duash, mund të shkruash sa të duash e ç’të duash. Eja,

bir, eja, bijë, se u pajtuam edhe me Amerikën, edhe me Rusinë, edhe me Kinën, edhe me shumicën e vendeve të ish-Jugosllavisë.

Eja, të shikosh si janë lartuar pallatet, kafenetë, qëndrat e biznesit, avionët sa një lagje copa. Eja, se po zgjaten rrugët që bashkojnë zemrat, se u hoqën telat e telefonit, dhe tani do të keni telefona si kuti shkrepsesh, plot me pamje, melodi, emra, mbiemra, përemra, ndëremra e me numura sa të doni, e me lojra që as nuk i ëndërronit kur

ikët. Eja, të shikosh ç’fustan nusërie të kemi qepur, ç’kostum prej konti do të mbash në dasmë, ç’këpucë lustrafine, ç’kravatë, ç’unaza ju kemi blerë,

Eja,

babi, eja, mami, jam unë, nuk më njeh?! Eja, shpirt, eja, shpirt, ku të fluturon mendja?! Eja ta pimë një kafe në Paris, në Barcelonë, në Romë, në New York,

në Abu Dabi, ku të

duash ti. Eja, se u ftoh gjella. Eja, se duhet paguar qiraja. Eja, se na kanë prerë korentin. Eja, se na kanë prerë ujin. Eja, se të kanë sharë e mallkuar. Eja, se më ra të fikët. Eja, se të kanë dënuar me heshtje në mungesë. Eja, se po flet presidenti. Eja,

se u pajtuan të gjitha partitë në pushtet. Eja, se më hyri një spicë në thembër. Eja, se u bëre gjysh, eja, se u bëre gjyshe, eja, se dole në pension, eja, se t’u botuan kuj(t)imet, eja, se të kanë përbaltur, eja, se të kanë ngritur në qiell, eja, se të është dhënë çmimi i parë, i dytë, i tretë, i tretë bis, çmimi inkurajues, eja, se fitove në lloto, eja, se ta coptuan tokën, eja, se ta morën shtëpinë, eja, se gropa jote e varrit qënka shkruar nën emër tjetër, eja, se...

Kënga e dytë e poemës, niste e vijonte me “Vallë”, me “Nuk”-e, me hamendje, dyshime dhe sqarime, shoqëruar me ofshama, palosje të trishtme buzësh e duarsh, me tundje koke në shenjë zije e hidhërimi, si më poshtë vijon:

Vallë më dëgjon, vallë më shikon, vallë më ndjen!?

Nuk më dëgjon, shpirti im, nuk i shkon zëri, nuk më del zëri, po tretet shpirti im ylli im e hanë peshqit e hanë bimët mishngrënëse e hanë kushedi ç’kafshë kushedi ku i ka eshtrat kushedi kur e kanë ngrënë e unë e kërkoj dhe e vajtoj dhe tretem më keq se ai, më keq se ajo, më keq se ata.

Mes vargjesh të gjatë, heraherës fanitej nga një rresht me “Si, si kështu, si ashtu, pse ashtu, pse kështu, mor, moj...”. Emrat u bënë përemra, vetat shkanë e u shumuan, kohët e foljeve dolën binarësh, u thyen, u vyshkën. Ndonjëherë pati edhe sharje, shpifje, munxosje, nënqeshje të errëta, se ne nuk dinim ç’kishim humbur me atë kokëfortësi e me atë heshtje e me atë pangopje nga njëri-tjetri. Se kishin kaluar kushedi sa vite, sa ftesa, sa thirrje, sa vaje, sa njerëz, sa filma, sa humbje shpresash, dhe pangopja jonë me njëri-tjetrin edhe shkencërisht mund të dëshmohej ç’ishte, si më poshtë vijon:

O përçmim, urrejtje e pashpjegueshme dhe hakmarrje ndaj tyre,

O sëmundje e pastudiuar sa duhet e, rrjedhimisht, pa ilaç, a më keq akoma: pa shërim

O dashuri e çmendur ndaj vetes sonë,

O vdekje

O diçka tjetër që nuk gjen përgjigje.

 

Ne sollëm edhe një herë ndërmend, pa ia shkëputur sytë njëri-tjetrit, se trupat s’dihej ku i kishim dhe a i kishim më; kujtuam me një mall te panjohur e me një dhembshuri përtej moshës fillimet e asaj ngjarjeje dhe vargjet më të ndjerë të asaj poeme. Dinim vetëm se të fundit që recituan mbi ujra, ose nën qiell, ishin disa thinjoshë të kërrusur, që na quanin Babi, Mami, dhe na hidhnin nga një lule, e cila vetëm me yje, me sy, ose me fjolla bore nuk ngjante. Jo, bërtisnim ne me flluska, gjithë gëzim e hidhërim përzjerë, - pa ditur nëse, në një rast të ngjashëm, do të kishim vepruar ndaj tyre si ata ndaj nesh, - jo, lule u hidhen të vdekurve, ne nuk ju hedhim lule, jo ngaqë nuk mundemi, por ngaqë ju nuk keni vdekur. Ne vetëm dolëm një pasdite nga kinemaja, aq, mësojeni mirë, aq, menduam të notojmë në gjol natën, u zhveshëm, lamë plaçkat tek frëngjia e bunkerit, që të mos na lageshin nëse zinte shiu, dhe u zhytëm të shiheshim syndërsy nën ujë. Aq. Pastaj, nuk di sa zgjati koha që ndenjëm ndarë, u afruam të shiheshim më qartë, se uji paskësh diçka nga një qelq pa kufij e pa fjalë, dhe thamë diçka që u mbyll në një flluskë të vetme. Por mund të ketë qenë thjesht një buzëqeshje e përkorë, fëminore, se ata nisën të na kërkonin, të thërrisnin pas nesh, të endeshin me varka e dylbi e polumbarë. Kush mund të betohej se qe më mirë në anën tjetër të ujit, në anën tjetër të qiellit, apo në anën tjetër në përgjithësi?! E nëse betohej ndokush, sa vlerë mund të kish pas aq vitesh?! Ra heshtja që e dinte se ne nuk kishim kujtesë peshqsh, as zemra guri, po vetëm shpirt fëmijësh të dashuruar.

Etichete: "Si nën qiell""Tregime të padukshme"Proza

KERKO

Copyright © 2024 FENIXPOST, developed by AgoràFutura.Net - All rights reserved.

Search