Nga Dhimitër Shtëmbari
Helidon Haliti është djali i piktorit dhe poetit të mirënjohur lushnjar, Faslli Haliti. Nuk mund të shkruhej për të birin pa e nisur nga i ati. Helidoni është një degë e fuqishme e dalë prej një trungu me rrënjë të thella.
Në vitet gjashtëdhjetë – shtatëdhjetë të shekullit të kaluar Faslliu do të ishte ndër të parët piktorë në tërë rrethin e Lushnjes. Si mësues vizatimi në shkollat e qytetit ky jo thjesht do t’i zbulonte të aftët në fushë të pikturës, por edhe do t’i udhëhiqte drejt afirmimit të talentit të tyre. Erdhi një kohë, kur dega e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të këtij rrethi, rrethin e piktorëve do ta kishte më të dalluarin në shkallë vendi. Mjaft nga piktorët e sotshëm 50 – 60 vjeçarë lushnjarë i janë mirënjohës Faslliut për ndihmën që u ka dhënë.
Nuk është rastësi, që djali i Faslliut, Helidoni, të merrte rrugën e artit pikturik. Nuk është pa domethënie edhe fakti tjetër, që edhe dy fëmijët e kunatit të Faslliut, të ndjerit Alfred Xhomo (Prof. Dr.), respektivisht Armando dhe Blerta Xhomo, u formuan si piktorë të talentuar, tashmë të njohur brenda e jashtë vendit.
Helidoni, me fluturim të shpejtë horizontit të artit pamor
I lindur në Lushnje në gjirin e një familjeje intelektualësh (të dy prindërit – Faslliu dhe Nervana kanë qënë mësues), Helidoni do të shquhej ndër moshatarët e vetë. Vizatimet e tij do të tërhiqnin vëmendjen e mësuesve në shkollën ku mësonte, sikundër do të zgjonin kureshtjen e vizitorëve në ekspozitat figurative që hapeshin në Shtëpinë e Pionierit të qytetit me punimet e piktorëve të vegjël.
Vizatimet e Helidonit të vogël do të shquheshin për nga harmonia e ngjyrave. Përmbajtja e këtyre punëve ishte vet jeta, e pasqyruar kjo në mënyrë poetike. Dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Në ato çka lexonte në familje, ai do të zbulonte tharmin artistik të tyre, të cilin, natyrshëm, do ta shfrytëzonte në vizatimet e veta.
I rritur në një qytet, me kokën mbështetur në jastëkun e kodrave të Karbunarës dhe me këmbët e shtrira fushës, deri në Tërbuf, Helidoni do të mund të arrinte të zbulonte ato çka do t’i bëheshin ushqim shpirtëror dhe materie për pikturën. Shumë vite më vonë, gjatë një bisede në një studio televizive ky piktor i afirmuar tashmë do të shprehej, se jam me fat që jam lindur e rritur në Lushnje, ku gjëndet fusha, kodra e deti. Ku rritet delja, lopa e bualli. Ky fluturon harabeli, lejleku e pelikani kaçurrel. Ku gjelbërimit të natyrës i bie drita e hënës dhe rrezja e diellit. Asgjë nuk i mungon vendlindjes sime.
Mbasi mbaroi të mesmen në Berat me rezultate të larta, vazhdoi e mbaroi në vitin 1993 Universitetin e Arteve të Bukura në Tiranë, degën e pikturës. Doli dyerëve të këtij Universiteti me një ëndërr të ndezur, por… Ishte koha kur po griseshin dhe hidheshin rrugëve deri edhe pikturat më të arrira! Ishte koha kur e kishe të vështirë të tregoje se ishe piktor, se ishe artist! Shkurt, Shqipëria e këtyre viteve nuk e dinte se ku e kishte kokën! Shkollave bëhej sikur bëhej mësim, ndërsa krijuesve iu ishte vënë damka e zezë!
Jashtë dëshirës së vetë, si edhe shumë të tjerë Helidoni emigroi në Greqi. Në qoftë se të tjerë kishin krahun e punës, qofshin këta edhe intelektualë të njohur, Helidoni vuri në provë talentin e vetë. Shkoi atje ku mund t’i bënte punë talenti. E tërhoqën menjëherë, sepse vërtet nuk iu duhej Helidoni, por iu nevojitej piktori. Iu bënte punë talenti i tij. Thuajse gjatë një dekade realizoi art të vërtetë edhe pse ishte nën presionin që të bën ekonomia! Gjithësesi, siç shprehet populli, njëriun e zotë sido që ta hedhësh, ai në të gjitha rastet bie në këmbë. Në këmbë pati rënë edhe djali i Faslliut.
Kur u largua nga Greqia, punëdhënësve iu erdhi keq. Iu kishte ikur një njëri, puna e të cilit i bënte ata jo vetëm të njohur, por edhe të kamur.
Kau nuk e di se sa i fuqishëm është, prandaj i bindet pendarit. Mirëpo Helidon Haliti e kish kuptuar açik se ç’ishte në gjëndje të bënte, prandaj kishte vendosur të vazhdonte fluturimin e vetë horizontit të artit pamor.
Në Hong Kong, ndër 300 piktorë nga rreth 60 shtete, i jepet titulli: Mjeshtër i Madh.
Me t’u kthyer në Atdhe, piktori Helidon Haliti vendosi të bëhej udhëtar i vendosur në rrugën e bukur të artit, nisur prej të atit. Natyrisht sot ka shkuar larg. Dhe shumë lart. Megjithatë, edhe pse me shikimin përpara, herë mbas here kthehet edhe andej nga është nisur. Ishte domethënëse ajo që realizoi pak vite më parë në Galerinë e Arteve në Tiranë: çeli një ekspozitë vetjake titulluar “Dielli dhe rrëkerat”. Metafora e përdorur ishte kuptimplote: me këtë ekspozitë, sikur desh t’i thoshte të atit: Po, baba i dashur! Dielli ka qënë, është e do të jetë kurdoherë, sikundër edhe rrëkerat kanë qënë, janë e nuk do të mund të mungojnë sa kohë që do të ketë diell e shi në këtë dynja.
Pjesëmarrës dinjitoz në ekspozita të shumta në Shqipëri e në mjaft shtete, Helidoni shumë shpejt do të bëhej një emër i njohur. Shumë i njohur. I zgjedhur tashmë kryetar i Shoqatës Kombëtare të Akuarelistëve Shqiptarë, ky piktor i talentuar shumë shpejt i kaloi kufijtë e vendit të vetë. Tashmë e gjenë të ftuar në shumë shtete europiane. Dhe jo vetëm europiane. Erdhi një kohë që ftohet në Bienalen e Hindisë, në Nju Delhi. Kjo veprimtari u zhvillua me pjesëmarrjen e 48 shteteve, organizuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Akuarelit. Nga skuadra shqiptare u pranuan të ishin pjesëmarrës Ormira Lulani, Edi Kojani, Spyro Stoukas, Alban Met-hasa dhe Helidoni. Ky i fundit u përfaqësua me peisazh nga Himara. Nga 48 shtete me gati 380 artistë pjesëmarrës u veçuan 19 artistët më të spikatur. Mes këtyre ishte edhe Helidoni.
Bienalja e parë e mbajtur në vitin 2015 solli në Shqipëri mbi 200 artistë nga rreth 50 shtete të botës. Më 12 mars 2017 Shoqata Ndërkombëtare e Akuarelistëve organizoi Bienalen e dytë Ndërkombëtare të Akuarelit po në Tiranë, ku morën pjesë mbi 400 artistë nga e gjithë bota. Edhe në këto veprimtari Helidoni rreshtohej ndër më të shquarit.
Bienalja ndërkombëtare e akuarelit që emërtohet “Ëatercolor Art Biennale 2016”, organizuar në Tajlandë ishte një nga veprimtaritë më të mëdha të arteve pamore, ku morën pjesë artistë nga të gjitha kontinentet. Këtu piktori shqiptar do të nderohej me çmim të parë.
Vit mbas viti dhe fama e akuarelistit shqiptar kaloi deri edhe jashtë kontinentit. Në një veprimtari ndërkombëtare, organizuar në Hong Kong, një juri e specializuar pa mëdyshjen më të vogël i dha këtij akuarelisti titullin “Mjeshtër i madh”. Ishte një nder i merituar për piktorin që përfaqësonte Shqipërinë, nder i konfirmuar prej një jurie që veçonte më të talentuarin ndër mbi 300 artistë ndërkombëtarë nga rreth 60 shtete.
Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve, kryetari i Shoqatës Ndërkombëtare të Akuarelistëve (International Watercolor Society), Atanur Dogan, e vlerësoi shumë lart artistin shqiptar të akuarelit, duke u shprehur: “Mendoj se të gjithë e njohin Helidonin. Ai është një nga mjeshtrat e mëdhenj të akuarelit. Është një njeri shumë i mirë dhe një organizator shumë i zoti, gjithashtu”.
Sipas Kadaresë, pikturat e Helidonit janë të lidhura jo nga prangat, por nga mjetet e lirisë
Shkrimtari i madh, Ismail Kadare është shprehur, se “…pikturat e Helidon Halitit e bëjnë njeriun të ndalet përballë tyre, ndoshta duke e mos njohur emrin apo vendlindjen e tij. Ky është akti i papërsëritshëm i artit. Një artist duke e zotëruar këtë talent, le të themi, ka çelësin e enigmës. Ne i njohim këto skena; ne i kemi takuar ato në jetën që jetojmë, ose thellë në vetëdijën tonë. Megjithatë, ne ndjejmë nevojën të qëndrojmë përballë tyre, në këtë jetë të dytë tonën, të ofruar nga piktori. Në këtë rast, kjo është bërë e mundur falë Helidon Halitit, një piktor i gjeneratës së re të Shekullit XXI.
Këto piktura, si të gjithë artet, kanë dhe nuk kanë një lidhje me jetën. Për të qenë më të saktë, ato janë të lidhura me jetën jo nga pranga, por nga mjetet e lirisë; kjo është lidhja e rangut më të lartë, e vetmja që pranohet nga arti”.
Më bukur, nuk ka se si mund të thuhet për këtë piktor të shkëlqyer myzeqar. Të bën përshtypje fakti, se kolosi i letrave shqipe e ka përfshirë këtë artist të madh të penelit në radhën e piktorëve të shekullit të 21 – të. Të mbetet në mëndja edhe tjetra: shkrimtari Kadare e shikon pikturën e Helidonit të lidhur me jetën, por jo me pranga, por me mjetet e lirisë. Bukur!
Është interesant të thuhet, se Helidoni i sapokthyer nga jashtë, ku pat kontribuar në lëmë të artit pikturik më shumë se një dekadë, nuk mungoi të shkonte edhe në shtetin më të ri të Europës; në Kosovë. Në Muzeun e Prishtinës çeli ekspozitën e vetë “Fabulous”, ku i dha mundësi vizitorit kosovarë që të shikonte art në 26 piktura të punuara kryesisht në vaj dhe në akrilik.
Ndërsa shkruante për këtë ekspozitë, Milena Selimi do të pohonte një të vërtetë të besueshme se Helidoni “Mund të quhet padyshim një nga piktorët më prodhimtarë të viteve të fundit. Piktor i ngjyrës dhe i temës së përrallave, legjendave dhe baladave shqiptare”. Po. Ky piktor bashkon kohët, lidh brezat, i hedh dritë shpirtërores.
I ftuar nga njerëz që e dashurojnë artin, Helidoni ka qënë i pranishëm edhe në Galerinë Mazuraj, ku pat paraqitur rreth 80 punime me temë interesante. Dhe kjo i pat pëlqyer shumë këtij piktori, teksa qe shprehur, se është kënaqësi kur një vepër e jotja meriton të zerë vend në një muze arti.
Akademiku i mirënjohur shqiptar, zoti Moikom Zeqo, është shprehur, “…Në të gjithë botën ekspozitat e akuarelit janë të befasishme. Teoria është gjithnjë konvencionale; nuk ka asnjë teori shteruese të artit… Akuareli i ka kapërcyer kufijtë, sidomos të Japonisë, Kinës e të vendeve, që, si të thuash, sollën një frymëzim për impresionizmin evropian; pikturën evropiane, moderne. Ka bërë që të ketë një fuqi të madhe shprese, sepse është e paimitueshme, e patjetërsueshme. Helidoni ka një krijimtari në ngjyrat e vajit sidomos, ku ka një ngritje metaforike të hiperbolizuar, shtesë të figurave, që lidhet me realitetin shqiptar”.
Poetika në punët e piktorit të shquar myzeqar
Ata që e kanë ndjekur dhe vazhdojnë ta ndjekin nga afër veprimtarinë krijuese të Helidonit në fushë të akuarelit nuk mund të mos diktojnë karakterin poetik të saj. Poetik që nga titujt e pikturave: “Magjia ime vazhdon”. “Qiell i vetmuar”. “Në majën e muzgut”. “”Gëzuar freskinë”. “Aromë jugu”. “Muzg mes rrjetash”. “Erë Prespe”, “Mjegull ulqinake”. “Ditë ëndrrash”. Etj, etj. Sigurisht që nuk do të mund të ishte ndryshe përderisa është nën ndikimin artistik të të atit poet.
Poetika e këtij piktori shfaqet edhe te ajo çka ai i përciell shikuesit. Në shumicën e pikturave të këtij akuarelisti diktohet dimensioni asimetrik i detajeve, herë – herë me lojëra të befta, që të zgjojnë emocion. Malin, fushën, luginën, bregun e detit apo anën e lumit, një rrugë apo një mjedis tjetër ndanë detit autori ta sjellë larg shëmbëllimit fotografik, duke dashur të të fut në mendim, pse jo – edhe në diskutim brënda vetes. Pra, autori realizon atë çka dëshiron: komunikimin e vetë me secilin artdashës.
Në qoftë se kompozitori me vetëm shtatë nota muzikore arrin të realizojë qindra këngë të ndryshme, dhe të gjitha të pëlqyeshme, edhe Helidoni me ato lloj ngjyrash që janë arrin të krijojë një mori punësh të arrira, të pangjajshme me njëra – tjetrën. Te piktura “Sot” duhet të qendrosh gjatë para saj për ta lexuar e kuptuar dhe pastaj – edhe për ta shijuar artistikisht atë. Me një munër të papërcaktuar ngjyrash, që vetëm syri i një profesionisti si ai mund t’i shquajë, autori të ve në lëvizje njëherësh mendimin dhe ndjenjën. Lëndina me lule, që vazhdon e vazhdon me fshatin, që ngrihet lart, tej e përtej, deri te mali me dëborë! Sa shumë detaje, drejt një të tëre komplekse, realizuar me mjete të fuqishme shprehëse.
I dashuruar mbas akuarelit, Helidoni arrin të krijojë raporte të ngrohta komunikimi me artdashësin. Siç nuk është vështirë të diktohet, ky piktor bën përpjekje rezultative për ta “detyruar” shikuesin të ndalet para pictures së vetë. Shpjegohet pikërisht me këtë sens fakti që shikuesi harxhon goxha minutazh para pikturës së këtij artisti, duke ngjallur në vetvete dialog të brendshëm shpirtëror. Thënë me fjalë të tjera, përmes punëve të veta, autori ngacmon ndërgjegjen për ta interpretuar atë çka shikohet në pikturë përmes metrit artistik. Në çastin që ky autor e ka dërguar punën te shikuesi, ka llogaritur “urën” për të mbrritur te artdashësi.
Duke punuar, si i thonë, në zonën e rrezikshmërisë, mes reales dhe ireales, konkretes dhe abstraktes, Helidoni bëhet zëdhënës i sinqertë i asaj çka ai mendon të të drejtojë. Ndërsa je përpara tablosë “Shtëpi mbi pranverë” harrohesh se je para asaj pikture, sepse, në mënyrë të pavullnetshme, mendimi të dërgon atje ku shpirti ta thotë se është ajo pamje. E gjelbërta me të verdhën e zbehtë të natyrës, shkrirë njësh me grinë e qiellit të krijojnë mbresa që të trokasin fort në zemër. Shkurt, sikundër një lojtar që luan lirshëm me topin, edhe ky piktor luan po kaq bukur me ngjyrat.
Ëndrra, pengje dhe shpresa
Njeriu jeton me ëndrra. Pa to, nuk do të mund të bënte dot një hap përpara. Kishte ëndrra, pa u ngjit aq lart artisti i madh i penelit, Helidon Haliti. Sot ai është kryetar i Shoqatës së Akuarelistëve Shqiptarë. Është një detyrë, që ai vazhdon ta kryejë brënda mundësive që i jep realiteti i kohës sonë. Janë realizuar në Shqipëri tri Bienale. E fundit është ajo e këtyre ditëve. Dhe bëhet fjalë për një pjesëmarrje të gjërë, me piktorë të ardhur prej shumë shteteve nga disa kontinente.
Ëndrra e Helidonit ka qënë dhe mbetet që punët e tij të mund të ekspozohen kudo në Europë e jashtë saj. Se është mirë për Të, por po kaq mirë është edhe për Shqipërinë. Edhe këtë ëndërr, në një farë mënyre, e ka realizuar. Ka hapur ekspozita në një numër të konsiderueshëm shtetesh. Pikturat e tij tashmë janë bërë pronë edhe e disa prej personaliteteve më në zë të Euopës, si, fjala vjen, e ish Presidentit francez, Sarkozi.
Ndërkohë, Helidon Haliti ka brënda vetes edhe disa pengje, që nuk ka mundur t’i shkund prej zemrës. Realiteti aktual shqiptar nuk u jep mundësinë shumë piktorëve që të gjejnë vetveten! Dhe ndodh, pastaj, që pikturat, edhe pse me shumë vlera artistike, të dergjen studiove! Shteti i ka mundësitë, që, përmes disa politikave të veçanta, të inkurajojë tregun e vlerave artistike.
Siç dëgjojmë të jetë shprehur në studio të ndryshme televizive, Helidon Halitit nuk i janë zbehur shpresat. Nga ëndrrat – te shpresat shikon një tynel me dritë përfund tij. Shpreson e beson, se do të mund të ketë më shumë shkolla private për pikturë, do të mund të ketë më tepër galeri, private e shtetërore figurative, pse jo – do të mund të ketë deri edhe një akademi të Arteve figurative. Mbi të gjitha, ky piktor i shquar shpreson të hiqet taksa për piktorët.
Ka të drejtë Helidoni kur shprehet:
– Koha që jetojmë do artin, por, mjerisht, jo artistin!