Jemi të detyruar të lundrojmë
Nga Thoma K Jance
Ky shkrim eshte kredoja ime. Se pari duhet te kuptojme ç'eshte liria dhe kete per vite me radhe ma ka mesuar profesori i mirenjohur i antropologjise kulturore Paolo Chiozzi. Pastaj duhet ta deshirojme, ta kerkojme, gjejme lirine. Liria eshte edhe nje ndijesi qe duhet perjetuar.
Jemi të detyruar të lundrojmë.
Jam gjithnjë e më i habitur nga karakteri konvencional e i tejkaluar i ideologjive që na servirin si aktuale apo edhe si të reja. Ideologjitë e gabuara mbizotërojnë historinë, thoshte Isaiah Berlin. Sakrifica e njerëzve bëhet e sigurt, por nuk sjell lumturinë e ardhshme. Kanë shpikur sakrificën njerëzore mbi altarin e abstraksioneve, në emër të Fesë, të Kombit, të Partisë, të Popullit, të Progresit, të forcave të Historisë.
Herzen pati një paralajmërim të jashtëzakonshëm dhe faktet po i japin të drejtë. Ai qe i vetmi që paralajmëroi rrezikun e Progresit si koncept abstrakt. Shpesh u quajt renegat, dhe kjo tregon se forca e ideologjive nuk ka asgjë të afërt me realitetin. Shpërthimi i rritjes së popullsisë që po e shndërron njeriun në banor kafazi territorial dhe përgatit luftrat e së ardhmes, shkatërrimi i planetit për shkak të ndotjes së ajrit e të ujit, vdekja e specieve që thyen ekuilibrin midis botës dhe nesh, ballafaqimi i secilit prej nesh me vetveten dhe Zotin, orientimet e reja dhe të thella të shkences, konsumizmi i shfrenuar: Asgjë nga të gjitha këto nuk i intereson letersisë e politikes, apo atyre që merren me to. Ajo që sot pretendon të jetë pararoja, do të jetë praparoja e së nesërmes. Po ecim ende drejt bindjes së shekullit të 19, se njerëzimi i është qepur progresit dhe se progresi duhet organizuar. Kjo i ka rrënjet tek Platoni. Po ta përkthejmë në politikë do të thotë të sakrifikohet brezi i tanishëm me ëndrrën për të lumturuar të ardhshmin. U provua shumë herë pa asnjë rezultat. Sistemet dhe ideologjitë sistematike janë burgje të lirisë së individit. Vetëm liria individuale mund të formojë elita të gatshme për të dhënë zgjidhje.
Po cila është zgjidhja?
Së pari duhet të shtrohen si probleme.
Ne duhet t’i njohim dhe të jemi të kujdesshëm me problemet.Të pakten,nëse nuk jemi në gjendje t’i ofrojmë zgjidhje duhet të mos i shumëfishojmë. Fetë dhe teoritë e tjera humanistike ofrojnë vetëm shpëtim individual dhe zgjidhje të pjesëshme dhe mallëngjyese të problemeve. Përpjekjet individuale janë të reformatorëve të mëdhenj, por mbeten shterpe dhe frymëzojnë individualisht. Mendimi, sipas Isaiah Berlin, ekziston i materializuar vetëm në një njeri me të cilin mund të dialogosh e argumentosh. Kur dëgjoj që thonë se rinia ka nevojë për ideale, psherëtij. Ky i famshmi ideal shërben vetëm për të zëvendësuar dijen dhe përgjegjësinë individuale. Liria pra, është kushti i parë për mirëqenie, liria nga kauzat, ideologjitë, sistemet, liria ndaj detyrimit për t’u sakrifikuar për diçka. Duhet të themi se jemi optimistë sa herë që shikojmë një lule, një bukë të pjekur rishtazi, dhe jemi pesimistë sa herë që mendojmë për ata që e shkelin bukën dhe vrasin lulet. Besoj dhe unë si Berlin se skepticizmi është një vlerë e përjetshme, që duhet ruajtur, bashkë me lirinë për dije e prirjen për të marrë përgjegjësi. Jemi të gjithë mbi një anije pa timon dhe nuk dimë ku është porti: na duhet të vazhdojmë lundrimin.